Proze nga Shefqet Meko
Ditë më parë pata një bisedë telefonike me Ladin e Blacës, siç e thërrasin Ladi Miminllarin, djalin e qeshur, normistin e dikurshëm të minierës së qymyrgurit në Pretushë të Pogradecit. Në pak minuta kujtuam vite të shekullit që shkoi: punën në minierë. Ladi ka një rrëfim shpërthyes për vitet kur “puna normohej” dhe vakti “ahej me rracion”. Ai shpesh nuk të le të flasësh, të tregon gjëra të habitshme, kapërcen temat, kthehet prap tek rrëfimi i parë dhe përsëri sikur ngjesh me njëra tjetrën kujtime, momente, mbresa, çaste…Më mbeti në mendje rrëfimi i tij kur kujtonte një aksident tragjik në minierën e qymyrgurit që lëvrinte nën fshatin tim, mbase nën themelet e shtëpisë sime të ato kohëve.Një njeri i mrekullueshëm, që kur isha nxënës, kishim punuar bashkë në parcelat e kooperativës, Pëllumb Seitlliu,kishte fituar shansin të punonte në minierë. Ishte njeriu symbol i urtësisë dhe punës. I pafjalë.I papërtuar.Me një vështrim ëndërrimtar dhe durimmadh. Për bashkëfshatarin që njihja, Ladi i Blacës, më rrëfente çastin tragjik: “E kishte plagosur rëndë një vagon i shkëputur pabesisht.Ishim gati 200 metra nëntokë. E ngjitëm lart. E kishin nxjerrë nga errësira e nëntokës me shpresë se duke parë diellin do shpëtonte. E shtrimë në një tavolinë druri të çastit. Kockat i ishin dërrmuar. Aty mësova se në plagosje të tilla viktima shtrihej në një vend të sheshtë… Ai përpëliste sytë. Më shikonte mua sikur do ta shpëtoja. Ishim të gjithë rreth tij, të trembur nga ajo që kishte ndodhur, të frikur nga fati i tij…Ai, akoma ishte me shpirt. Nuk qeshte më. Ishte në dhimbje.Një çast, si nëpër filma kërkoi një krëhër të krihej për të ikur i bukur.Duart nuk i kontrollonte dot e krëhëri i ra mbi gjoksin e përgjakur. Në agoni tha: “Amanet fëmijët.I kam të vegjël…Shumë të vegjël”. Pëllumb Seitlliu ishte një nga viktimat që solli në bisedë Ladi i Blacës.Ai një njeri i urtë, që pushteti popullor nuk e donte.Unë e desha Pëllumbin.Ishte njeri që të bënte ta dojshe.
Miniera e qymyrgurit në Pretushë, ishte edhe një “shans për të vdekur”, por që për të shkuar dhe punuar atje, bëhej luftë e madhe. Duhej autorizim nga pushteti lokal. Unë jam një nga ata që ëndërroja të kisha shans të punoja në minierë për “të bërë para”.Fill pas vitit të parë në fakultet, mu dha shansi. Vetëm dy muaj. Dy muaj punë nëntokë, për të blerë një kostum që e ëndërroja.Pas vitit të parë në shkollë ku hanim dy veta një rracion, puna në minierë “më bëri me leka”, por ishte edhe shkolla që nuk më dha asnjë diplomë, por më testoi karakterin, më bëri ta shihja ndryshe jetën mbi tokë.Isha vetëm 20 vjeç. Kujtoj peshën e kapeles plastike në kokë, ecjen drejt errësirës, dritën mbi ballë që na bënte të dukeshim si qikllopët e legjendave, zbritjen në dishezë duke u mbajtur anash në trarët e drunjtë ku “qante”uji, zbritjen në nivel, dhe lluca nën çizmet e llastikut. Diku thellë, fillonim e shtynim vagonat metalikë bosh drejt destinacionit nga ku ktheheshin plot.Tmerri ishte kur zvarriteshim nëpër oxhaqe ku gjuanim shtresën e zezë, si amerikanët floririn në lumenjtë e Kalifornisë, por nën ankthin e shembjeve të pabesa. Kurrë nuk e kuptova se sa shpejt ikte koha përballë errësirës dhe frikës nga vdekja që heshtëte mbi kokat tona. Unë nuk isha “fronti i parë”, isha një ndihmësminator, një djalosh që shtyja vagonat, mblidhja qymyrin përtokë dhe mbaja paisjet e minatorëve. Ishte natë e frikshme puna në minierë, por kishte jetë dhe britma të bukura. “U bë norma…E tejkaluam sot”…Dhe mendja shkonte tek “dita e pagave”…
8 orë punë në minierë qymyrguri, pushimi nuk ka kuptim. Pushimi ose pak çaste “për të marrë frymë”, ishin një hiç. Miniera është punë dhe zhurmë e nëndheshme. Hedhje minash, buçakritje organellosh, lopata që lëvizin në errësirë, tubacione kompresoresh që sillnin oksigjen nga mbitoka për të “mëkuar” mushkëritë tona dhe pika uji që të bjenë në fytyrë si për të ta larguar gjumin. Miniera ishte dashuria ime e trishtë për para.Kur dilnim prej andej, ne të gjithë ishim të nxirë në fytyrë. Nuk njihnim njëri tjetrin. Vetëm zëri, ai na dallonte, me atë orjentoheshim. Në dalje kur shihnim dritën, diellin që lindte majë Malit të Thatë, ajrin e patër, freskinë e mëngjezit, ndriçimin e jetës dhe gotën e ngrohtë të qumështit që servirej falas çdo turrn, thoshim “Shpëtuam edhe sot…”. Sa më shijonte ajo gotë qumështi pluhur që na ofronte çdo mëngjez një grua zonjë, me pak flokë të thinjura dhe me rrudha të lodhura në fytyrë.Ajo grua e mirë, vinte përditë pa zbardhur dita nga Pogradeci,do ngrohte qumështin për ne, punëtorët e turnit të tretë që vinim si natë nga nënëdheri, kur nata kishte ikur. Në vinim nga nata dhe puthnim ditën. Ajo, gruaja e mirë, me ato duar që zgjateshin tërë mirësi e dashuri, me gotë qumështi e fjalë si valë liqeni, një ditë mësova se ishte mamaja e gazetares së bukur që kisha njihur në Shkodër, Zhaneta Shqepa…(Zhaneta Lazri e stome).
Dy muajt e punës në minierë më bënë tjetër njeri.Ishte një “veting” shpirtëror që depërtonte në deje dhe kapilarë. Në dy dekadat e para të jetës sime, unë nuk do të kisha mundur të perceptoja “peshën specifike” të jetës mbi tokë, pa ato 60 ditë pune në minierë, pa atë përballje me errësirën, lagështirën, erën e qibritit dhe “zhurmën e minjve” si vigjilencë e nëndheshme. Puna në minierë ishte një syhapje e madhe ku të dukej se geni jot pësoi “mutacionin e dashurisë” për dritën dhe jetën mbi tokë, sado e vështirë qoftë…Sado diktatoriale dhe mizore, prap ishte jetë mbi tokë.
Rrrëfimi i Ladit të Blacës, filloi më një kujtim të hidhur. Më herët unë kisha dëshmuar se si kishte humbur jetën në po ato galeri, Zenel Jaçelli, vëllai i Baki Jaçellit, i cili do na rrëfente se kur i thanë se i vëllai kishte vdekur nën një bllok të zi qymyrguri, ai sikur kishte kapërcyer kodrën me një hap të madh e trishtues duke çuar lajmin e hidhur në familje. Miniera mori edhe Fuat Shebillarin, nga fshati im, aksidentoi rëndë Gurali Kaftiranin.
Larg asaj miniere që tashmë është groposur në heshtje varrtare duke u bërë strehë egërsirash të nëntokës, kujtoj ato jetë që i dhanë dimension një projekti që fillonte me shpimet gjeologjike dhe projektet inxhinjerike Ajo minierë e la fshatin tim pa ujë, por ndërkohë përmirësoi sa e sa jetë njerëzish që punuan aty.Ata që shkonin në minierë, ato kohë ne i quanim “klasa punëtore”.Ishin vërtet njerëz të një klasi të veçantë.Të dashur, bujarë, ëndërrimtarë, të palodhur, të qeshur dhe optimistë. Fshati im kishte edhe “klasë punëtore”, kjo më frymëzonte. Ata vinin nga çdo shtresë. Kujtoj njerëzit që i mbijetuan minierës si Ethem Jaçelli, Skënder Aliçkolli, Arefi Meko, Rexhep Aliçkolli, Bexhet Shyti, Teki Mulla, Gurali Jeçelli, Lako Aliçkolli, Zini Muçelli, Hysni Shyti, Myzafer Jaçelli, Refki Meko, Ali Jaçelli, Petrit Seitlliu, Nezhdet Jaçelli, Bejani Salla, Gani Salla, Haxhi Muçelli, Bardhyl Fekolli etj. Njerëzit e mirë të punës në nëntokë ishin mesazh i madh qëndrese. Miniera të bën tjetër njeri. Ajo të “strugon” karakterin dhe të bën të çmosh çdo sekondë që jeton mbi tokë. Njeriu i vetëm që mbeti “i sertë” por profesionist gjatë punës në minierë ishte kushëriri im Kudret Meko.Kishte mbaruar shkollën gjeologji-miniera në Prrenjas dhe vitet e rinisë i la nëntokë.”Kutka i Bedriut”, siç e thërrishnim, ishte i vetmi me shkollë në familjen me shumë fëmijë, që ndërsa kthehej nga puna në thellësi të errëta, përballej me dhimbjen që sjell “familja e madhe” që ai nuk u kursye ta ndihmonte.Por tekniku Kudret Meko sa i sertë dukej së largu, aq i dashur dhe i kujdesshëm ishte nëpër galeritë e errëta dhe me lagështirë duke kërkuar që të mos nënvlerësohej asnjë rregull i sigurimit dhe parandalimit të askidenteve që “flinin”në errësirën e nëndheshme.”Kudret Meko ishte dhe mbetet shok i mirë” kujton Ladi i Blacës në telefon.
Miniera është një test jete. Ai që ka provuar punën në minierë, mbetet njeri ndryshe nga ata që nuk kanë hedhur asnjë hap drejt nëntokës.Dy muajt e punës për “kostumin e studentit” më dhanë një tjetër shije për jetën, madje më bënë që edhe kaq shumë larg atyre galerive të harruara dhe rrënuara, të gërmoj kujtimet e mia si himn dhe dashuri për të gjithë minatorët, jo thjesht tek ajo minierë lokale, por kudo. Minatorët, janë pjesa më e veçantë e njerëzimit sepse ata përpiqen të sjellin dritë nga errësira e nëntokës, duke sfiduar rreziqet.
Më zhyti në kujtime një bisedë telefonike dhe më mori gjumin shtrëngata e kujtimeve që edhe pse të hidhura, janë pjesë e jetës duke i dhënë asaj dimensionin real.Kam dëgjuar njerëz që me krenari thonë “Kush ka vajza, botën ka”.Unë, “nuk kam botën” por jam takuar me “botën e minatorëve” duke punuar me ta vetëm dy muaj. Sot numurohen 6,646 miniera qymyri in 70 vende të botës me rreth 5 milion punonjës.Minatorët, burrat e nëntokës, janë bota e ndritshme e shpirit njerëzor.
Shefqet Meko
Minneapolis 30 korrik, 2024
(Foto ilustrim nga Google.com)
All reactions: