Një tjetër vepër infrastrukturore pritet të shtohet në Jug të vendit dhe këtë herë bëhet fjalë për një Bypass në Sarandë si një formë për të zgjidhur trafikun që krijohet sidomos gjatë sezonit turistik. Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi çeljen e procedurës së prokurimit për studim projektimin këtë të hënë me një fond limit prej 30 milionë lekësh. Sipas termave të referencës që shoqërojnë procedurën bypassi i ri do të evitojë kalimin në Qafë Gjashtë.
“ Nga vrojtimet të herë-pas-hershme të nyejve kryesore të hyrjes së qytetit në periudha piku, veçanarisht në sezon veror, ka rezultuar se pothuaj të gjitha nyjet kryesore të qytetit kanë vështirësi të theksuara në qarkullim. Nga sa më sipër, mendojmë se zgjidhje për këtë lloj bllokimi, është realizimi i një pike të re hyrje për në qytetin e Sarandës. Kjo hyrje e re, mendohet se mund të vendoset në pjesën veriore të qytetit dhe të lidhet direkt me aksin rrugor [SH8] Sarandë – Himarë. Kjo hyrje e re do bënte të mundur evitimin e nyjes së Qafë Gjashtës, tashmë të mbingarkuar nga trafiku. Më poshtë paraqitet një plan i përgjithshëm për ndërhyrjet e parashikuara/propozuara, megjithatë është detyrë e projektuesit të studiojë në detaje, të japë sugjerime dhe të gjejë alternativën më të përshtatshme për të garantuar zgjidhjen e problematikave që kanë të bëjnë me trafikun e mbingarkuar të qytetit të Sarandës” thuhet në dokument.
Sipas ARRSH ndërhyrja e parashikuar përfshin segmentin rrugor që duhet të fillojë në hyrjen aktuale të qytetit të Sarandës, pranë rreth-rrotullimi i Qafë Gjashtës dhe duhet të përfundoj në lidhje me rrugën nacionale [SH8] Sarandë – Himarë. Pikat skajore të projektit duhet të përcaktohen në koordinim me projektin “Rruga e Bregut”, mundësinë e lidhjes me rrugën Kardhiq – Delvinë – Sarandë, në bashkëpunim me Bashkinë Sarandë dhe me ARRSH-në.
“Ky segment parashikohet të ketë një gjatësi totale prej afërsisht 3.5km, duke përfshirë segmente rrugore me karakteristika urbane ose interurbane, tunel me gjatësi afërsisht 800~900 ml, si dhe projektimin e nyjeve përgjatë këtij aksi rrugor. Projektuesi në bashkëpunim të ngushtë me Autoritetin Rrugor Shqiptar do të propozojë dhe do të realizojë një segment rrugor Kategoria C2 (ku në zonat urbane të projektohen elementët urban), në varësi të nevojës dhe të kushteve fizike dhe juridike të pronave që preken nga gjurma e projektit. Gjerësitë e rrugës do të realizohen sipas standardeve në fuqi në mënyrë që të plotësojnë të gjitha kushtet e nevojshme për qarkullim dhe aksesim komod” thuhet në dokumente.