Mëngjesin e sotëm, Erion Veliaj ndau me ndjekësit e tij në “Facebook” një lajm të cilësuar prej tij si “superlajm”, duke deklaruar se “Agjencia Europiane e Mjedisit liston Tiranën në top 10-shen e kryeqyteteve të Europës me mbulimin më të madh urban me pemë”. Madje, sipas kryebashkiakut, Tirana ka kaq shumë pemë sa ka lënë pas qytete si Athina, Beogradi, Brukseli dhe të tjera.
Për ta ilustruar këtë, ai publikoi një grafik me mbishkrimin “Urban Tree Cover of European Capitals”, pa datën e të dhënave, ku listohen 10 kryeqytete me mbi 50 mijë banorë, për përqindjen e mbulesës me pemë në zonat funksionale urbane.
VNA bëri disa kërkime dhe rezultoi se grafiku i publikuar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës i referohet të dhënave të publikuara nga Agjencia Europiane e Mjedisit në dhjetor 2021, bazuar në matjet e kryera në vendin tonë në vitin 2018.
Pra, Erion Veliaj ka mashtruar. Publikimi i Veliajt është një foto e marrë nga uebsajti “Voronoiapp.com”, një platformë që bën artikuj bazuar mbi të dhëna dhe statistika. Shkrimi i publikuar nga ky uebsajt, “Ranked: Urban Tree Cover of European Capital Cities – Voronoi (voronoiapp.com)”, nxjerr në dritë të vërtetat për gjelbërimin dhe pemët në Tiranë, ndryshe nga sa pretendon Veliaj, që e cilëson si një “arritje të jashtëzakonshme për gjithë punën e bërë gjatë këtyre viteve me mbjelljen e pemëve të reja”.
Në artikull bëhet e qartë se të dhënat u publikuan në vitin 2021, por bazohen në të dhënat e vitit 2018 nga Shërbimi i Monitorimit të Tokës së Kopernikut, dhe përditësohen çdo tre vjet. Në fund të shkrimit, jepet burimi i të dhënave, konkretisht raporti i Agjencisë Europiane të Mjedisit, të cilit i referohet edhe Veliaj, “Urban tree cover — European Environment Agency (europa.eu)”, të dhëna që janë për vitin 2018, të publikuara në dhjetor 2021./VNA