BallinaTe tjera“Ua bëj hallall gjyqit dhe atyre që do të shtinë mbi trupat...

“Ua bëj hallall gjyqit dhe atyre që do të shtinë mbi trupat tanë të pafajshëm”- U ekzekutua pas arrestimit nga komunistët, fjalët e fundit të At Mati Prennushit! Gjyqi i 10 priftërinjve më 1948, si u pushkatuan 3 prej tyre

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ishSigurimit të Shtetit 1944-1991 përkujtoi dje 142-vjetorin e lindjes së At Mati Prennushi (2 tetor 1882-11 mars 1948). At Prennushi kreu studimet teologjike në Grac të Austrisë.

Ai u arrestua në fillim të vitit 1948, bashkë me prelatë të tjerë. Në fjalën e fundit, ai tha: “Jam i pafajshëm, po vdes në krye të detyrës s’eme. Rrnoftë Krishti Mbret, rrnoftë Papa, rrnofshin Katolikët, rrnoftë Shqipniat. U baj hallall gjyqit dhe ato që do të shtinë mbi trupat tonë të pafajshëm!”. Ai u ekzekutua me vdekje 11 marsin e vitit 1948, në sheshin e varrezave të Rrmajit, bashkë me Imzot Frano Gjini, Imzot Nikollë Deda, At Çiprijan Nika, At’ Mati Prennushi, cili është shpall martir dhe mban dekoratën e lartë të Flamurit të Kombit”. Dokumentet e proceseve hetimore-gjyqësore shkruajnë se ata u dënuan për “deliktitin e dobësimit të mbrojtjes” si dhe akuzën politike se do të organizonin kryengritjen me armë dhe fshehjen e tyre në kishë e në Kuvendin Françeskan të Shkodrës, një akt i inskenuar nga Sigurimi i Shtetit, i dokumentuar në Historikun e Armës së Sigurimit, Shkodër.

Më 26 janar 1946, diktatori deklaronte: “Elementët e klerit katolik të implikuar në Shkodër, nën maskën e fesë dhe në seminaret e tyre kishin krijuar qendrën e një organizata fashiste, e cila është në lidhje edhe me elementë jo katolikë dhe me kriminelë të luftës, zhvillonte një aktivitet të organizuar kundër pushtetit popullor. Klerikët katolikë u zunë në flagrancë me dokumente në duar dhe në seminarin e tyre u kap materiali që shërbente për punën e tyre, e cila konsistonte përgatitjen e kryengritjes me armë, në rrëzimin e pushtetit popullor”, duke paralajmëruar kështu ashpërsimin e luftës ideologjike ndaj fesë, fillimisht me ndëshkimin e njerëzve kryesorë të saj dhe më pas me mbylljen e të gjitha institucioneve fetare e shpalljen të jashtëligjshëm të besimit fetar.

LETRA

Çfarë shkruan në një letër që At Matia u dërgon të gjithë françeskanëve me rastin e vrasjes At Lekë Lulit tradhtisht, vetëm me i plaçkitë të hollat që kishte me vendi. Në letër jep urdhën të premë që asnjë frat të mos merret me politikë e të mos ju besojnë asnjenës parti, mbasi jo vetëm mund të pësojnë fatin e At Lekë Lulit, po do të njolloset me akuzat ma të këqija. Në të vërtetë koha e turbullt dhe e pasigurt e vitit 1944 sjell shumë të paprituna. Shumë nana shkodrane zanë derën e Kuvendit për me ju shpëtue kokat e djelmëve të kapun nga gjermanët, si komunistë ose të dyshimtë; shumë të tjerë afrohën me vërejtë se çfarë qëndrimi po mbante kleri kundrejt partizanëve; shumë të tjerë vijnë me lypë ndihmë për jetesë si Pjerin Kçira me shokë; shumë të tjerë kërkojnë me e pasë mirë me të gjitha palët e, që këta të fundit janë kenë ma të shumtit. Në Kuvendin e Fretënve gjetën strehë shumë prej atyne që do të shpifin për “veprimtarinë antikombëtare” të françeskanëve, vetëm me sigurue një vend pune, me marrë një gradë shkencore të pameritueme etj. etj.

Nuk ishte e thjeshtë me kenë Provinçial në një kohë ma keq se në kohë të paganëve, për Françeskanët e Shqipnisë ishte koha ma e vështirë e shekullit. Mos harroni se, gjithshka ishte në dorën e jugosllavëve, e kush ma parë se Fretnit do të kishin punë me ta? Në Janarin e 1945 gjeneral Sheuqet Peçi e mbas tij, terrorist Mehmet Shehu, i kerkojnë shkëputjen nga Vatikani… Pergjegja sot ruhet në Arkivin e M. P. Mbrendshme Dosja 1302/II-A, ku At Matia në hetuesi asht perballë hetuesve Nesti Kopali, Pjerin Kçira etj., torturues e vrases vegla jugosllave e antishqiptare, që i sherbyen sigurimit komunist. At Matia nuk pranon asnjë akuzë që lidhet me “futjen e armëve në Kishë të Fretenve në vitin 1946, kur Kuvendi u kthye në burg”, ku At Matia u masakrue barbarisht… U arrestue me 15 Nandor 1946, doli në gjyqin e mësheftë në mencën e Kuvendit tyne me grupin e Imz. Frano Gjinit, me 1 Janar 1948, ku gjyqtari Misto Bllaci e dënoi me vdekje.

Në fjalen e fundit Provinçiali At Mati Prennushi tha: “Tash e disa shekuj na kanë ngulë ndër hûj e na kanë varë n’ konop ata që nuk deshten as fenë as kombin, por na e kemi thirrë vedin gjithmonë Shqiptarë katolikë të Gjergj Kastriotit. Kemi jetue gjithmonë me popullin si në luftë, si në paqë. Në luftë me turkun e me shkjanë, sepse njeni na mbante në robni e tjetri donte me na përpi. Ndërsa na nuk jemi nda kurrë prej popullit, por jemi përpjekë me e mësue e me i dhanë atë kulturë që ka Europa e mos me u dallue për keq prej të tjerëvet. Na kemi hapë shkolla Shqiptare e nuk kemi dallue ndër to as katolikë as myslimanë, mjaft që populli Shqiptar të ecin në rrugën e Zotit”. Ndërsa, në Zallin e Kirit me 11 Mars 1948, para pushkatimit tha: “Jam i pafajshëm, po vdes në krye të detyrës s’eme. Rroftë Krishti Mbret, Rroftë Papa, Rrofshin Katolikët, Rroftë Shqipnija! U bëj hallall gjyqit dhe ato që do të shtijnë mbi trupat tonë të pafajshëm!”.

DOSJA

Dosja gjyqësore e një prej proceseve më të bujshme të diktaturës komuniste, ajo e Monsinjor Frano Gjinit. Ky proces dënoi Monsinjor Gjinin dhe 3 priftërinj të tjerë me vdekje dhe 6 të tjerë me burgim dhe me punë të detyruar. Me i riu ndër ta, At Zef Pllumi, mori dënimin e parë në vitin 1948 në këtë proces gjyqësor duke e dënuar me 3 vjet heqje lirie dhe punë të detyruar. “I pandehuri Pader Mati Prendushi tha: Unë nuk kam pas dijeni për Partin Demokristjane. Sa për kundra pushtetit jam krejt i bindur se s’kam bërë asgjë, por për ndihma kam dhënë njerëzve të Lëvizjes N.C dhe i kam strehue si Injac Ndojen e Cesk Kabashin i kam mbajte një muej në Kuvend, po të isha kundra nuk e çaja kojen kurrë. Nuk kam dhënë asnjë direktive ose udhëzim kundra Pushtetit, po te dal nje jam gati. E ndiej veten të pafajshëm. Roftë Shqipëria e shqiptarët. Dhe në deksha unë, nuk prish punë. E dij se jam i pafajshëm”, thuhet në dosjen e gjyqit të 10 priftërinjve në 1948.

Procesverbalet e plota janë marrë nga dosja e gjyqit të Mons.Frano Gjinit e gjetur në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Vendimi që u mor në fillim të janarit të 1948 ishte: Për Monsinjor Frano Gjini, Dom Nikoll Deda dhe Padër Mati Prendushi, dënim me vdekje. Për Dom Tom Laca, dënim i përjetshëm. Për Padër Gjon Karma me 15 vjet privim lirie e punë e detyruar. Për Dom Ndoc Sahatçija me 15 vjet privim lirie e punë të detyruar. Për Padër Mhill Miraj me 7 vjet privim lirie e punë e detyruar. Për të pandehurin Zef Haxhi dhe Dom Nikoll Shelqeti me nga 5 vjet privim lirie e punë të detyruar. Për Atë Zef Pllumbi me 3 vjet privim lirie e punë të detyruar. Kjo dosje përmban të gjithë procesin, nga akuzat e prokurorit ushtarak Namik Qemali dhe vendimin e gjykatës me kryetar Misto Bllaca dhe anëtarët Anastass Koroveshi dhe Xhemal Bejtja. Përmes një procesi dhe akuzash të pabaza, procesverbalet japin dinamikën e plotë të dënimit kriminal të françeskanëve shqiptarë si dhe fjalën e tyre të fundit në gjyq kundër procesit politik ndaj tyre.

GJYQI

Pasi këshilli i gjykatës ushtarake dëgjoi fjalët e funit të të klerikëve, deklaroi: “Gjykata mbasi shqyrtoji aktet dhe bisedoji çështjen konstaton se: Sikundër u provua gjatë zhvillimit të gjyqit, klerikët katolik në Shqipëri dhe sidomos këta të pandehurit kanë qenë gjithë armiq të popullit, të cilët e kanë shtypur vazhdimisht në çdo regjim, në çdo kohë duke rojtur këta në kurriz të popullit me një jetesë plotrehatshme, ndërsa populli vuante të zezat e ullirit dhe sidomos elementi katolik në pjesën e veriut të Shqipërisë dhe veçanërisht malësitë. Të pandehurit klerikë kanë qenë t’atillë që në çdo kohë e çdo regjim nxirrnin njerëzit e tyre adaptë për të bashkëpunuar me ta, ndërsa pjesa tjetër punonte me popullin gjoja për punë fetare, por në të vërtetë, ata mashtronin popullin me veladonin e tyre, duke e lënë krejt në prapambetje dhe injorance në çdo sektor dhe për këtë vepër kaq të poshtër janë përgjegjës direkt të pandehurit.

Në dosjen e publikuar kohë më parë nga “Kujto.al” mësohet se Këshilli Gjykatës Ushtarake të Zonës Ushtarake të Shkodrës akuzoi meshtarët: “Kleri katolik qysh në kohën e Turqisë asht munduar t’a përçajë popullin shqiptar dhe i ka hedhur në luftë njërën fe me tjetrën. Në kohën e austro-hungarezëve kanë qenë të lidhur ngushtë me ta, vegla të tyre, punonin për imperializmin austro-hungarez për të qëndruar në vendin tonë jo si okupatorë që ishin në të vërtetë, por si çlirues, prej të cilëve subvencionoheshin mirë. Mbas shkatërrimit t’ imperializmit austro-hungarez, kleri mbasi pa patron dhe për këtë kishte nevojë të madhe, pse pa të nuk do të kishte subvencione. Për këtë u lidh menjëherë me imperializmin italian pa vonesë nga ana tjeter axhent te tyre d.m.th klerik të ndryshëm nga këta mbanin njekohsisht lidhje edhe me padron të tjerë si më imperialistet Jugosllave, me regjimin e Zogut e të tjerë që bënin subvencionoheshin edhe nga këta. Kleri reaksionar në Shqipëri, sidomos të pandehurit me një herë mbas lidhjes me imperialistet italian janë vënë në shërbim të tij.

Në Shqipëri, qysh prej kohe ishin axhentat e Italisë fashiste si Meloni, Jakomoni e të tjerë me të cilët kleri mbante lidhje të vazhdueshme dhe merrte subvencionet, përveç lidhjeve që kishte e mbante me Vatikanin. Monsinjor Volaj e Pader Rrok Gurashi, nga armët e gjetura, nga opinioni publik dhe nga krejt vazhda e tradhtisë së tyre qysh shumë vjet ma parë, duke qenë krye të tradhtisë në çdo kohë e në çdo regjim, ka qen si kryesor e shkaktar për çdo poshtërsi kleri katolik reaksionar, tradhtie dhe vepra këto që kanë damtuar rëndë interesat e popullit dhe të pushtetit tij, si gjatë luftës Nacionalçlirimtare dhe mbas çlirimit, kur populli i është vënë punës për rindërtimin e Shqipërisë së re për t’i siguruar vetes jetë ma të mirë, ma të lumtur, dhe ma të begatshme. Si të tilla shumë të damshme dhe të rrezikshme peër popullin e Pushtetin konsiderohen faje penale të parashikuara nga nenet 2,3 pikës 1, 2, 3, 4, 7, 8, 9, 10, 14 dhe nene të nenit 4 po të kësaj ligje gjykata mbasi shikojë të kaluarën, t’ardhshmen dhe rezikshmërinë që i paraqesin shoqërisë, me vota të përbashketa, njeserisht në kundërshtim me kërkesën e prokurorit vendosi dënimin e tyre”, – thuhet në dosje.

DËNIMI

“Për të pandehurit: Monsinjor Frano Gjini, Padër Mati Prendushi dhe Dom Nikoll Deden nga Shkodra me Vdekje dhe me humbjen e të drejtave politike dhe civile përgjithmonë dhe me konfiskimin e pasurisë tundshme dhe të patundshme. Për të pandehurin: Dom Tom Lacen nga Shkodra me privim lirie e punë të detyruar përjetë dhe me humbjen e të drejtave politike dhe civile peërgjithmonë dhe me konfiskimin e pasurisë tundshme dhe të patundshme. Për të pandehurit: Padër Gjon Kermen dhe Dom Ndoc Saharcin me nga 15 vjet privim lirie e punë të detyruar dhe me humbjen e të drejtave politike dhe civile për 5 vjet kohë dhe me konfiskimin e pasurisë tundshme dhe të patundshme. Për të pandehurin: Padër Mhill Miraj me 7 vjet privim lirie e punë të detyruar dhe me humbjen e të drejtave politike dhe civile për 5 vjet kohe dhe me konfiskimin e pasurisë së tundshme dhe të patundshme.

Për teë pandehurin Zef Haxhi nga Shkodra me 5 vjet privim lirie e punë të detyruar. Për të pandehurit: Dom Nikoll Shelqeti dhe Zef Gjeto Pllumbi nga 3 vjet privim lirie e puneë të detyruar. Të denumve u ngarkohen 162 lekë shpenzime gjyqi. Ky vendim i referohet Gjykatës Nalt Ushtarake për aprovim për sa u përket të dënumve me vdekje, kurse për të tjerët mundet të bëhet ankim po në Gjykatën e Nalt Ushtarake brenda tetës ditëve nga data 8/I/1948, që u shpall vendim. Shkodër, me 8/I/1948”, thuhet në vendim e Këshillit Ushtarak kundër 10 klerikëve në Shkodër.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular