Ahmet Prençi
Marash Mirashi është një poet i njohur dhe një mik i imi prej katër dekadash. E kam lexuar dhe e kam dashur fort poezinë e tij që në vitet ’80, kur të dy ishim studentë.
Botonim asokohe në gazetën e vogël që drejtonte miku ynë i përbashkët Shefqet Meko, i cili edhe sot që nga Amerika ndjek me shumë pasion krijimtarinë tonë.
Marashi ka botuar 4 vëllime me poezi, ndërkohë që është edhe gazetar i mirënjohur dhe i pasionuar i RTSH-së.
Ditët e fundit ai vjen me një roman që është i pari, por pas leximit krijon bindjen se është një prozator me shumë përvojë dhe mjaft i thellë në stil, kompozim dhe transmetimin e mesazheve të forta. Falenderimet shkojnë edhe për shtëpinë botuese “Fishta” me botuesin fantatstik Frano Kulli dhe redaktoren e pasionuar Merita Gruda. Para dy ditësh në Qendrën Kombëtare të Librit u bë promovimi i romanit ku mes personalitetesh të letërsisë dhe artit u diskutua për vlerat e padiskutueshme që sjell ky roman.
Romani ka titullin “Brirët”, një simbolikë që e përshkon të gjithë veprën dhe i jep kuptimin e plotë veprës që na dhuron. Teksti i romanit pasqyron në mënyrë të qartë stilin dhe temat që autori pëlqen të eksplorojë. Ai shqyrton aspektet e vështira të identitetit, marrëdhënieve njerëzore dhe sfidat morale, me të cilat përballen individët në një shoqëri të trazuar.
“Brirët” eksploron nocionet e forcës dhe të dobësisë, shpesh duke përdorur metafora të fuqishme, dhe duke u zhytur në dimensionet psikologjike të karaktereve të tij. Romani ngre pyetje për natyrën e pushtetit dhe pasojat që kanë vendimet e vështira mbi vetëdijen dhe moralin e individit.
Në romanin e tij të parë “Brirët”, Marsh Mirashi përdor ironinë, humorin e deri sarkazmën për të kritikuar dhe përqeshur problemet shoqërore apo dobësitë njerëzore. Ai krijon një atmosferë të mbushur me ngjarje të pazakonta dhe personazhe groteske, që pasqyrojnë realitetin e zymtë e të çuditshëm të shoqërisë shqiptare, duke ironizuar dukuritë që ndikojnë negativisht në jetën e përditshme.
Ironia dhe sarkazma e autorit janë të dukshme në mënyrën si ai përshkruan hipokrizinë, korrupsionin dhe egoizmin e personazheve, duke i vendosur ata në situata që i nxjerrin në pah cilësitë negative.
Përmes gjuhës dhe përshkrimeve të tij, ai u jep lexuesve një pasqyrë të qartë të realitetit, e në të njëjtën kohë na bën të qeshim me absurditetin e tyre. Kjo formë e të shkruarit ndihmon Mirashin të përçojë mesazhe të fuqishme dhe të bëjë një kritikë të thellë shoqërore, duke i bërë lexuesit të reflektojnë mbi vlerat dhe normat e tyre.
Mendoj se ky roman i bukur do të analizohet thellë nga kritikët seriozë të letërsisë, por për mua si lexues është një veprër e veçantë, e shkruar me gjuhë të pasur, ku janë gërshetuar me shije estetike poeti, kronikani dhe shkrimtari, duke na dhuruar në mënyrën e tij një skaner të funksionimit të shoqërive totalitare dhe autokrate. Emrat e personazheve, toponimet dhe situatat komike të gjetura nga autori janë kuptimplote dhe na bëjnë të qeshim e të mendohemi gjatë.
Uroj, shpresoj dhe jam i bindur që Marashi do na dhurojë vepra të tjera po kaq të bukura, për ta pasuruar më tej letërsinë tonë.
Suksese Marash Mirashi dhe presim vepra të tjera po kaq të bukura.