Mediat greke kanë zbardhur të tjera detaje lidhur me atentatin në Athinë ku mbeti i vdekur me plumb në kokë 45-vjeçari Irakli Davella nga Finiqi dhe u plagos rëndë biznesmeni Edi Lolo, banues në Tiranë.
Protothema shkruan se shënjestra e atentatit mund të ketë qenë Edi Lolo, i cili kishte vetëm pak ditë që kishte kthyer në Athinë nga Dubai.
Nga mënyra se si sulmuan sulmuesit, duket se ata e kishin planifikuar sulmin dhe prisnin momentin e duhur. Para krimit ata vodhën një makinë nga Athina, u drejtuan për në zonë, iu afruan viktimat dhe filluan të qëllojnë.
Sulmi ndodhi jashtë një dyqani në kryqëzimin e rrugëve Aristotelous dhe Komotinit, ku autorët qëlluan me gjakftohtësi mbi viktimat dhe më pas u zhdukën nga vendngjarja.
Informacionet nga burime policore bëjnë me dije se 45-vjeçari që humbi jetën pronar lokali në Peristeri. Policia beson se bëhet fjalë për larje hesapesh, nisur nga e kaluara e 45-vjeçarit, i cili dyshohet se ka lidhje me tre figura të krimit në Greqi, të cilët janë vrarë mes grupeve rivale të mafies greke.
Po ashtu, në vitin 2009 kundër viktimës është ngritur procedim penal për organizim kriminal, zhvatje dhe të tjera, ndërsa pas kësaj ai dyshohet se nuk ka qenë i përfshirë në ngjarje kriminale.
Shënjestra megjithatë thuhet se ka qenë edhe njeriu i cili ka mbetur i plagosur rëndë në kokë dhe bark dhe po lufton për jetën. Edi Lolo kishte ardhur së fundi në Greqi nga Dubai, për të cilin hetuesit besojnë se ka luajtur rol kyç në pritë.
Autoritetet greke vlerësojnë se ndoshta ardhja e tij në Greqi ka ndodhur për një arsye specifike dhe ka mobilizuar një grup rival, i cili ka dashur ta largojë nga rruga.
Vlen të theksohet se, sipas raportimeve, së bashku me 45-vjeçarin që humbi jetën dhe të plagosurit, ka qenë edhe një burrë tjetër, i cili nuk është prekur nga plumbat.
Hetimi i policisë greke për ekzekutimin mafioz është ende në vijim.