Nga Ardi Stefa
Përpara disa muajsh kam shkruar një analizë me titull: “Stabilitet përpara demokracisë apo demokraci që krijon stabilitet?”
Asnjë presje nuk i heq atij artikulli, madje shumë nga tezat e ngritura atëherë koha tregoi se ishin të vërteta.
Sipas një retorike, e cila e ka zanafillën kryesisht nga ana e mazhorancës, nëse sot kemi një situatë problematike në opozitë, kjo ndodh sepse shoqëria sot nuk kërkon opozitë, por “stabilitet” dhe në këtë drejtim opozita nuk ka çfarë të ofrojë dhe as nuk ka një propozim alternativ bindës qeverisës për ta siguruar atë.
Ky qëndrim ka në thelb vlerësimin se ajo që aktualisht po zbatohet si politikë qeveritare është jo vetëm e suksesshme, por edhe e vetmja që mund të ekzistojë. Ndërkohë që, po sipas kësaj retorike, edhe nëse dikush do të kërkonte një politikë alternative, nuk do të mund ta gjente.
Natyrisht që kjo është një variant i teorisë “ose ne ose kaos”, e cila është formuluar shpesh dhe që në formulimin e saj më të zakonshëm ka formën, “nëse ajo që propozon qeveria nuk zbatohet, Shqipëria do të rikthehet te Berisha dhe politikat e tij destabilizuese!” ose e thënë me sloganin “Vetëm përpara, kurrë më mbrapa!”.
Një argument, i cili u përdor me efikasitet në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023.
Pa dashur, natyrisht, të jap asnjë shpjegim se përse mazhoranca këmbëngul në të njëjtën taktikë, e çuditshme është se përse opozita e partisë së Berishës këmbëngul që ta vërtetojë argumentin e mazhorancës.
Por historia nuk është thelbi. Çështja është e tashmja. Dhe në këtë të tashme janë dy faktorë, të cilët anashkalohen artificialisht në të gjithë këtë debat.
Njëra është se një pjesë shumë e madhe e shoqërisë është e pakënaqur me politikën e qeverisë, skandalet e njëpasnjëshme, korrupsionin, mungesën e perspektivës, etj, etj,- kritikat më të zakonshme me të cilat përballet çdo qeveri. Shumica e njerëzve të pyetur në sondazhet e zhvilluara besojnë se gjërat nuk po shkojnë në drejtimin e duhur; se nuk e shohin pozitën e tyre personale duke u përmirësuar; se nuk kanë shumë optimizëm për të ardhmen, me koston e lartë të jetesës, shpopullimin dhe arsimin e shëndetësinë përtokë.
Një tjetër realitet që tregojnë sondazhet është që qytetarët nuk besojnë tek partitë, por kanë një shkallë shumë të lartë besimi te Drejtësia e Re dhe SPAK.
Kjo do të thotë se një pjesë shumë e madhe e shoqërisë nuk e ndan narrativën e qeverisë se politika që po zbatohet është më e mira e mundshme.
Së dyti, duhet të shohim më nga afër nocionin se politika që po zbatohet është e vetmja e realizueshme. Ka një arsye që vendi ynë ka taksa shumë të larta, evazion fiskal, është shumë i ulët në rankim në fuqinë blerëse reale të pagave, pensionet janë mjerane, ose se kemi një përqindje të lartë të emigrimit të rinisë; shëndetësia e arsimi nuk janë atje ku duhet, jemi prapa në investime dhe rënie të produktivitetit.
Së treti “opozita agresive” që shohim aktualisht, ashtu sikundër një “opozitë konsensuale”, që për hir të politikës mund të bënte marrëveshje me mazhorancën, thjesht mban qeverinë në pushtet, sepse bëhet pjesë e problemit.
Dhe pikërisht ky është problemi me kërkesën e vazhdueshme për agresivitet: zakonisht e bëjnë ata, të cilët besojnë se sot nuk kemi mundësi të zgjedhim politika. Se nuk ka alternativa dhe rrugë tjetër. Se të gjitha propozimet e tjera janë të paarritshme.
Por e dinë që nuk do të ndërtojnë momentum elektoral që do t’i sjellë në pushtet. Në rastin më të mirë, thjesht do të “bashkëqeverisin”, sikundër po e kërkojnë me ngulm dhe e kanë të vetmen kauzë reale- të faktorizohen si opozita zyrtare.
Prandaj është e qartë se shumica e shoqërisë do të donte një politikë të ndryshme, e cila realisht mund të ekzistojë.
Ndërkohë, opozita deri më tani nuk ka arritur të bindë se jo vetëm mund ta propozojë një politikë të tillë, por edhe ta zbatojë me efektivitet.
Megjithatë, mosbesimi ndaj opozitës nuk do të thotë “votëbesim pa kushte” ndaj qeverisë.
Ajo që po them është në fakt simptoma kryesore e krizës politike në Shqipëri. Sepse mungesa e një opozite bindëse vetëm e bën qeverinë edhe më arrogante, por nga ana tjetër është edhe një shans i madh për atë opozitë jopopuliste, e cila bëhet interpretuese e kërkesave të shoqërisë.
Jam i bindur se sot shoqëria shqiptare kërkon opozitë politike. Një opozitë të re. Jo të vjetëruar në njerëz, ide, mendime, artikulime e veprime.
Nuk është opozitë, qoftë edhe zyrtare, çdokush që deklarohet i tillë. Konceptet për politikën, mënyrën e të protestuarit, reaguarit, vepruarit, kërkuarit e bindurit kanë ndryshuar. Nuk janë më atë të para 20 apo 30 viteve.
Sepse sot shoqëria do t’i shkonte pas një politike me më shumë drejtësi. Me ndjenjën e vërtetë të sigurisë që gjeneron forcë dhe besim për sistemin e shëndetit publik, arsimit, ekonominë, financat e sigurinë.
Shoqëria do të mbështeste ide që do të rrisnin dhe nuk do të minonin rolin rregullator dhe ndërhyrës të shoqërisë. Ajo do të donte të shihte investime reale dhe jo thjesht retorika armiqësore ndaj kundërshtarit politik.
Dhe e gjithë kjo do të fitonte besimin e saj nëse ajo nuk do t’i shihte si akuza e kërcënime, por si një propozim të prekshëm qeveritar gati për t’u zbatuar nga ana e opozitës.
Kjo sigurisht kërkon një ndjenjë tjetër përgjegjësie nga ata që i referohen, të paktën në mënyrë deklarative, mundësisë së një politike alternative qeveritare.
Sepse padyshim që me përjashtim të një grushti militarësh që i shkojnë verbër nga pas liderit apo edhe disa figurave butaforike, të neveritura nga shoqëria dhe që kërkojnë veç kolltukun e deputetit sot, e nesër të ndonjë ministrie, opozita është për faqe të zezë, për të mos thënë që nuk ekziston.
Shoqëria e refuzon modelin e një opozite si logjikë e biznesit që na solli në situatën aktuale.
Duket qartazi në refuzimin që u ka bërë thirrjeve për mosbindje civile nga politikanët miliarderë pa një ditë pune në jetën e tyre.
Shoqëria sot kërkon që opozita të ketë politikë të re, njerëz të rinj, të ketë ide, programe të qarta, të jetë dinamike në veprim e tolerante në dëgjimin e pulsit e kërkesave të shoqërisë. Të largohet nga thirrjet për dhunë e kërcënimet. Të largohet nga egoja personale, partitë familjare, “logjikat pronësore” dhe deliret e “rikrijimit” (partitë nuk rilindin nga hiri i tyre…).
Shoqëria shqiptare sot ka nevojë për opozitë. Nuk do të jetë e lehtë, por në fund të fundit, asnjë ndryshim i vërtetë nuk vjen pa përpjekje dhe mendim.