HomeKryesoreVETËM NJË "JO" PLEBISHITARE PËR KASTËN E VJETËR POLITIKE, ËSHTË SHPËTIMI YNË

VETËM NJË “JO” PLEBISHITARE PËR KASTËN E VJETËR POLITIKE, ËSHTË SHPËTIMI YNË

spot_img

Prel Dedaj New Jork

Edhe në qoftëse gjendesh mirë ekonomikisht, kurrsesi një dhe i huaj, atdhe nuk të bëhet. Është pikërisht ky fakt, që njëlloj si unë edhe shumica absolute e shqiptarëve emigrantë kudo janë në vendet perëndimore, ani pse të integruar e disi komodë nga pikëpamja ekonomike, gjysmën e mendjes vazhdimisht e kemi tek vendlindja. Do ishte zgjatje pa vend, pasqyrimi i kronikës së ngjarjeve në këto 34 vite postdiktaturë në vendin tonë , pasi ato që do të thuheshin, tashmë janë gjëra që dihen nga të gjithë. Por ajo që duhet shtruar për diskutim e analizë, që është kërcënim serioz për të tashmen dhe të ardhmen tonë, mendoj se është zhbërja dhe tjetërsimi i shoqërisë shqiptare, në një trajtë krejt ndryshe nga modeli i vendeve me demokraci institucionale, ku qytetarët gëzojnë të drejta e liri të mbrojtura me ligj, si dhe mundësi reale për të siguruar të ardhura për një jetë normale e dinjitoze. Në vitin 1990 u ngritëm kundër diktaturës për një shoqëri pa klasa, ndarë në të deklasuar e të besuar të partisë, për të drejta e liri njerëzore një lloj për të gjithë siç i gëzonin të gjithë popujt e vendeve perëndimore. Realisht, në vend të deklasuarve të kohës diktaturës, që për hirë të së vërtetës nuk ishim shumicë, sot kemi masën qytetare shumicë e tej varfëruar, me pa mundësi për të jetuar, skllevër të kastës politike që pushtetin e konsideron të drejtë të përjetshme të saj. I vetmi ndryshim me periudhën e regjimit komunist, është mungesa burgjeve politike. Është tejet e rëndë kur përballemi me gjendjen e vështirë ekonomike të njerëzve tanë në atdhe, plot 34 vite mbas rënies së regjimit komunist, gjë që bën që të vetmit në Europë që emigrojnë e jetojnë pothuajse vetëm me të ardhurat që iu vijnë nga emigracioni, janë shqiptarët. Për polakët, sllovakët, çekët, moldavët, kroatët, letonezët, estonezët, hungarezët, bullgarët, madje edhe boshnjakët, serbët e rumunët, emigracioni është vetëm një kujtim i së shkuarës. Vetëm politikanët e tarafi i tyre, gjenden komodë dhe as iu bie ndërmend se ekziston emigracioni, përpos tani që iu duhen votat e tyre, për të vazhduar sundimin mbi shqiptaret. Kjo ikje, e stimuluar nga babëzia e dy klaneve të interesit me emra të ndryshëm, që nuk kanë asnjë ndryshim mes tyre, që qeverisën me turne 8 e 12 vjeçare në këto 34 vite, solli boshatisjen e vendin nga shqiptarët, kryesisht të energjive njerëzore siç janë të rinjtë, duke pamundësuar në maksimum zhvillimin e prodhimit vendas, pasi dihet se aty ku nuk ka kush konsumon, nuk ka interes as të prodhohet edhe sikur krahu i punës të jetë prezent. Për pasojë në tregun e brendshëm sundojnë mallrat e importit, shumë syresh me çmim dy e tre fish më të lartë se në vëndet nga vijnë, të cilat nuk i nënshtrohen asnjë lloj kontrolli dhe në të shumtën e rasteve përtej afatit për tu konsumuar. Pensionistët mëshirohen me “lëmoshë” nga lideri “global” Edi Rama, me bonuse në prag zgjedhjesh, për të blerë votën e tyre, që të sigurohet me çdo kusht mbajtja e pushtetit, kur pensionet i kanë qesharake ose më saktë pensioni minimal është i barabartë e me vlerën sa kushton parfumi që harxhon në një ditë kryetarja e parlamentit apo ministresha e arsimit etj, etj. Qeveria, siç tashmë ka dal hapur, komandohet nga krimi, vjedhja detyrë mbi detyrat, ndërsa kryeministri tregon përralla me BE. E ashtuquajtura opozitë tregon muskujt në parlament, për të bindur popullin që të vazhdojë të qëndrojë ndër gërshërët e zabitëve profesionistë në vjedhje, vrasje e tradhti ndaj interesave publike të shqiptarëve. Pa diskutim janë meritat e kësaj kaste politike që sillet si pronare e detit dhe tokës, që vendi ynë nga 3.5 milionë në vitin 1990, në vitin 2024 nuk i ka as dy milionë qytetarë që jetojnë brenda territorit tij, kur së pakti sot numri i popullsisë duhej të ishte mbi 5 milionë. Ajo që nuk gjejnë fjalë për tu shpjeguar, është e vërteta e hidhur se shkaktarët e këtij mjerimi qytetar, po përdorin të gjitha marifetet që të vazhdojnë pengmarrjen e zhvillimit, pa u proekupuar se Shqipëria çdo ditë e më tepër po shndërrohet në log i përkohshëm për filipinasit, bangladeshësit, etj nga Azia. Do isha i verbër në se nuk do shikoja edhe arritjet e shënuara gjatë këtyre 34 viteve të fundit, kryesisht në infrastrukturë, turizëm dhe ndërtim, ku pa hyrë në brendi të këtyre tre sektorëve, duhet pohuar se meritojnë komplimente. Por, pavarësisht nga propaganda që i paraqet këto arritje si suksese madhështore, pa as më të voglin dyshim se po gabohem, them se këta sektorë prodhojnë pasuri për një grusht personash, por jo edhe mirëqenie. Mungesa e shtetit ligjor, ortakëria e qeveritarëve me të fortët e lagjes, lënia jashtë vëmendjes e sektorit prodhues, kundërvënia dhe nënshtrimi me çdo mjet i organeve të drejtësisë para politikanëve, dihet se është një praktikë e mirëmenduar nga liderët që përfaqësojnë dy grupet e interesit, me objekt pasurimin pa cak të kastës politike dhe kriminelëve të lidhur me të, por mirëqenie qytetare, liri e të drejta dhe integrim në bashkësinë e demokracive perëndimore, nuk do sjellin as në 2030-ën , sipas barcoletave të Edi Ramës, as në vitet e më pastajme. Aktualisht, kasta politike me dy emra, është shëndruar në bllokmenë, kësaj here jo e rrethuar me mure 5 metra të lartë e truproja me ushtarë, por me resorte të panumërta, supervila, ku një banjo e kanë edhe macet e tyre, llogari bankare të fshehura në bankat jashtë vendit, pasuri e prona marramendëse në emër të tretëve si shoferë, vjehrra, kunetër, baxhanakë e individë të besuar. Kjo gjendje anormaliteti, e pa njohur në ndonjë vend tjetër në 50 vitet e fundit, nuk është rastësi as shpikje e Edi Ramës gjatë qeverisjes tij 12 -vjeçare. Por është produkt i një programi të posaçëm, përgatitur në odat sekrete të PPSH-së, për të mos lejuar ndërtimin e një shoqërie të lirë demokratike në vendin tonë. Nuk është aspak rastësi, që në vitin 2008 dy “gjeneralët” e politikës shqiptare Rama e Berisha, për të “mirën” tonë, ulën armët, hoqën gjoksoret dhe iu drejtuan tavolinës së bisedimeve, ku ndryshuan kushtetutën, duke ia hequr qytetarëve të drejtën për ti zgjedhur vetë përfaqësuesit e tij, por vetëm duhej të votonin ata që do ua caktonin kryetarët e partive. Gjithashtu, në mes flakëve të “luftës” opozitë-pozitë me 27 korrik 2024, sërish e gjetën gjuhën e përbashkët për ta përkeqësuar me tej kodin zgjedhor, ku bashkërisht votuan mbylljen e listave, duke krijuar premisa të mjaftueshme që parlamenti i ardhshëm të vazhdojë të kontrollohet po nga këto dy grupe interesi, pasi për ti quajtur politike nuk ka ma kuptim. Është e kuptueshme edhe nga nxënësit e klasave fillore se kjo manovër ka si objektiv që Edi Rama të mbetet në krye të një shumice qeveri-formuese, ndërsa Berisha të vijojë në opozitë me melodinë e tij të kahershme të vjedhjes së votave. Nuk përbën ndonjë të pa pritur as qëndrimi gjykatës kushtetuese, kur dihet se në çdo institucion të shtetit në këto 34 vite janë emruar individë që përmbushnin kriterin e besnikërisë ndaj shefave të partive ose ish bashkëpuntorë të fshehtë të sigurimit të diktaturës komuniste, jo intelektualë të devotshëm për ti shërbyer popullit e atdheut. Edhe më miopët e dallojnë mjaftë qartë bashkërendimin dhe bashkëpunimin e koduar midis dy grupeve “kundërshtare”. Legjenda e “demokratëve” nuk ndalet në sulmet e tij kundër SPAK. Ndërsa Ndoc Rroku i reformës në drejtësi, kryeministri Rama, ban krahëmarrje me komision parlamentar anti SPAK, i quajtur komisioni Xhafa. Edhe kur vërehet ndonjë rritje e mbështetjes qytetare ndaj subjekteve të reja politike, në sinkron me njëri tjetrin, të dy klanet iu lëshojnë shigjeta asgjësuese, për ti diskretituar, ironizuar e ngushtuar çdo hapësirë, që të shmangin rrezikun e humbjes së dominacës këta dy baballarëve të politikbërjes në Shqipëri, Rama e Berisha. Është normal ky bashkëpunim mes tyre, për të mos toleruar asnjë iniciativë politike të re, që ka opsion ndëshkimin e hajdutëve, kriminelëve dhe që ofron kontratë me qytetarët për zhvillim e mirëqenie, sundim të ligjit, dhe ndalim të boshatisjes së vendit. Të ndodhë që këta të rinjë të bëhen qeverisës të vendit, do thotë fund i mafjes 34 vjeçare që kanë operuar pa ndalur në dëm të qytetarëve, por që kanë grumbulluar pasuri marramendëse në kurriz të një populli të vogël si i yni, që është për ti patur zili edhe të pasur të vendeve të mëdha qindra milionëshe. Do ishte njerëzore dhe patriotike, që patronazhistët të thellohen, e të mos bëhen skllevër të interesave të vockla personale në dëm të vëllezërve e motrave të tyre shqiptarë, që po robtohen për një jetës ndër minimumin jetik të vendeve europiane e atyre të rajonit, e të mos i kryejnë mirë detyrat e shtëpisë të dhëna nga dy grupet mafioze, kësaj here. Gjithësesi kjo është lutje dhe mbetet në nderin e tyre të tregohen ose jo humanë e patriotë ndaj popullit e atdheut tyre. Por zakonisht ndryshimi dhe sukseset nuk vijnë me lutje as dhuratë nga ata që të kanë nëpërkëmbur e poshtruar. Përmbysja e një gjendje të pa dëshiruar arrihet vetëm me aksion politik dhe guxim. Mendoj se është moment kyq për të ardhmen tonë, të kuptojmë, ndonëse vonë, që të pabesëve mos t’iu japim besë kësaj radhe. Bazuar në gjithë sa u tha deri këtu, për të qenë realist, suksesi është shumë i vështirë, por jo i pa mundur. Përfaqësuesit e subjekteve të reja politike, duhet të zbresin në terren, jo për të bllokuar qarkullimin e mjeteve a goditur policët, por për të bashkëbiseduar me qytetarët, duke trokitur në çdo derë, që njerëzit të braktisin tuten, binden e besojnë tek ndryshimi. Ata që sollën këtë gjendje, jo vetëm që nuk meritojnë të riciklohen si qeverisës të këtij vendi, por me gojën plot duhen urryer e denoncuar. Në qoftëse do gabojmë edhe kësaj radhe, e keqja mund të bëhet e pa riparueshme, dhe do arrijmë deri në aty sa të themi, ishim më mirë kur ishim keq. Një “JO” plebishitare e shqiptarëve brenda e jashtë vendit për mafien politike me dy emra, është e vetmja zgjidhje e nyjes ku ka ngecur vendi ynë, i cili pa asnjë arsye bindëse mbeti gjithnjë i fundit në Europë, siç ishte edhe në vitin 1990.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular