nga Shefqet Meko
Mëngjezi i Tiranës më duket i veçantë. Nata e qetë sikur hap sytë dhe ndiej përshëndetjen që më rriti “Mirëmëngjez”. Më vijnë në mendje vitet e mia ku mëngjezi fepste si një shpresë dhe Dielli bënte “shëtitjen” drejt perëndimit si një filkje që sillte të nesërmen, ndërsa ne në “turma të kontrolluara” bënim gati të njëjtën trajaktore si një “rreshtore vendnumuro”…
Mëngjezi sikur vjen ngadalë nën “shtriqjen” e përgjumur të Dajtit ndërsa makinat e para bëjnë “nxehjen” në bulevard me fshikëllima gomash drejt destinacioneve të panjohura. Sa makina janë ndezur këtë mëngjez? Sa shtëllunga tymi janë ngjitur në qiell, si tymosja e llullës së gjyshit në fshat?
Qielli i Tiranës hapet si një sipar ëndrrash dhe zhgënjimesh. Befas rrugët bushen plot, e njerëzit lëvizin. Jam kureshtar të di destinacionet. Ku shkojnë vallë? Ecin, ecin ndërsa sodisja nga kati i sipërm i dhomës në “Plazza” më ngjan me ushtarin “në vendroje” të shkrimtarit Marash Mirashi.
Njerëzit ecin e dua tu jem në krah. Tu them Mirëmëngjez, pa i njohur. T’i pyes çfarë halli kanë sot! Ku po shkojnë me mxitim? “Tek puna, tek puna” sikur më thonë hapat e shpejta të një shumice. Befas jo pak pinë të menduar kafen e mëngjezit. Cigaret nën “përkëdhelinë” e buzëve të thata mësojnë hallet e secilit. Nuk mi tregojnë mua edhe pse dua ta di. Cili është halli më i madh i këtij mëngjezi? Qelqet me ngjyra kanë filluar nga e para të njëjtat gjepura mashtruese.
Mirëmëngjez! Mirëmëngjez! Flajët shqip bëhen si shtëllunga të habitshme që “duartrokasin” ardhjen e Diellit.
Ky Diell i bukur e i zjarrtë përherë vjen së pari këtu e sikur merr “të fala” anonime për të m’i sjellë mua në Minneapolis. Këtë gjë ka bërë përditë, pa lodhje, pa bezdi duke më gjetur edhe mua në një qytet Amerikan ku “Mirëmëngjezi” thuhet në tjetër gjuhë, me të njëjtin kuptim njerëzor! Larg në Perëndim, shqip i flas vetëm timeshoqeje.Andej mëngjezet më duken vrap, këtu si shëtitje të nxituara, por të bukura…
Cili është halli më i madh i këtij mëngjezi?-pyes si somnabël nga pagjumësia.
Nuk përgjigjet askush. Dua përgjigje. Përgjigje shqip. Vishem sportiv dal nga Plazza. Ca shpatulla rrëshqasin mbi shpatullat e mia, pa kërkuar falje. Jam në Tiranë. Nuk mërzitem. Kërkoj të di cili është halli më i madh i këtij mëngjezi në Tiranë.”Doni punë zotni? Më merrrni mua zotni! Kam fëmijë zotni”.
Nuk kam punë për të ofruar. Kam vetëm një pyetje: Cili është halli më i madh i Njeriut?
“Punë zotni! Punë duam…”
Ata nuk e dëgjojnë pyetjen time. Ata duan punë që nuk mund tua ofroj.
Një burrë veshur thjesht, por fisshëm, sikur ka lexuar pyetjen time: Cili është halli më i madh?
-Ai që vdes, ai është halli më i madh! – më thotë duke thithur një cigare.
-Si?- e pyes, Unë …
-Vetëm vdekjes nuk ke ç’i bën, se këto të tjerat, rregullohen.- më përsërit dhe më fton të pimë kafe. Si dudum e ndjek. Aroma e kafes kërcen “tangon”: Mirëmëngjez! Mirëmëngjez! Nuk di pse nuk kam kureshtje ta pyes pyes për emrin. Ai më thotë përsëri: “Vetëm vdekjes nuk kemi ç’i bëjmë…, Ja, Unë ka një javë pi kafe vetëm. Një javë më parë më vdiq gruaja. Ai ishte hall, këto nuk janë halle”.
Unë kam ngrirë. Mëngjezi i Tiranës ka një freski të habitshme, një diçka që të kujton mosvdekjen…Më shkon mendja tek një Mik që sapo e kam humbur. Më shpëton një “Mirëmëngjez Mik” dhe pika loti bien mbi kafe…
Mirëmëngjez! Kjo fjalë nuk ka vdekje. Ne, të gjithë vdesim dhe ky mbetet “Halli i pazgjidhshëm” i Njeriut.
Mëngjezet e Tiranës të duken “antidot” i vdekjes që nuk dihet kur na vjen.
Mirëmëngjez- Mirëmëngjez-vijon kjo tango e rrallë në Tiranë, nën lutjet melodioze që vijnë nga xhamia pranë.
Mirëmëngjez! Mirëmëngjez!