Nga ALFONS ZENELI
Që në faqet e para të romanit “Brirët” mund të konstatohet lehtë se Marash Mirashi me bagazhin e tij të jashtëzakonshem letrar, me fuqinë e vet si poet, me eksperiencën unike si gazetar na ka vënë në duar një libër i cili qëndron dhe do qëndrojë denjësisht në “raftin” e letërsisë serioze shqiptare.
Vendosja e subjektit në një dimension surreal, është bërë me shumë guxim dhe ka rezultuar po aq e sukseshme dhe pa të metë. E theksoj se ky inkursion, ka bartur rreziqe shumë të mëdha gjatë gjithë kohës së shtjellimit të subjektit. Është dashur pra të krijohet një planet tjetër, një mikroklimë tjetër dhe për më tepër me një pafundësi detajesh të cilat do mund të ngaterronin lehtë këdo. Pikerisht sepse bëhet fjalë për një terren të sajuar enkas që nga fillimi. Paçka se siç mund të kuptohet fare lehtë, në thelb bëhet fjalë për realitetin 80- vjeçar shqiptar.
Kur pata kontaktet e para me pjesë të romanit në dorëshkrim, gjëja e parë që me ra në sy ishte “gjeografia” e çuditshme e pagëzimit të personazheve. Emrat e personazheve kanë një rendësi të jashtëzkonshme pasi që emrat krijojnë një simbiozë dhe bëhen pasqyra të ndersjellta midis tyre dhe personazheve që ata identifikojnë. Ric Varfi. Emri anglosakson mund të përkthehet dhe i pasur. I shoqëruar me mbiemrin antonim Varfi, krijon një gjendje të posaçme tek lexuesi. Nëpërmjet këtij kombinimi ne mund të lexojmë më shumë se sa thjesht një teke të “prindit”. Mbiemri është në fakt trashëgimia, e kaluara. Emri është e tashmja. Personazhi Riç Varfi ka patur një të kaluar të varfër dhe një të tashme të pasur falë tipit të avancuar të qeveritarit sekser, hajdut, imoral, delenxhi e servil deri në shpërfytyrim. Emri i tij është thjesht një paqsyrë e pasurimit revolutiv të politikanëve shqiptarë. Përgjate leximit, lexuesi bindet më së ploti për këtë karakter të skalitur mjeshterisht. Aq sa të vjen të besosh se çdo karakter me atë ndotje aq të lartë ligësie, nuk mund të kishte asnjë emer tjetër perveç Riç Varfi. Po kështu dhe Samanta një tip Laje apo Nafije që shëtit nëpër kohëra me emra të ndryshëm por me të njëjtin tundës në dorë e gatshme për t’ju shërbyer qorrazi eprorëve që nga brigadieri e deri te ministri apo kryeministri. Kjo më kujtoi Uriahipin e mjeshtrit botëror të skalitjes se personazheve Çarls Dikens.
Lista e emrave te personazheve është një pasqyre e qartë e mjeshtërisë së Marashit në spikatjen, profilizimin, dallueshmërinë, larminë e karaktereve të secilit personazh duke na dhënë qoftë dhe vetëm nëpermjet tyre një panorame të plotë të shoqërisë së Babzilandit. Moderatori i njohur televiziv Blind Kuk, gazetarja rebele Kristinë Pamshira, komandanti i gardës Ndrec Beshi, gazetarët Fill Bobi, Lad Taçi et, përfaqësojnë secili, njëri më mirë se tjetri të gjithë konglomeratin tipilogjik të një shoqërie “ku therret qametistani”. Po keshtu, me kaq kujdes e mjeshteri ka vepruar edhe me emrat e vendeve. Tirrvud, Babziland, Kismetistan, Tallavaland apo toponimi spektakolar Ibretistan. Prezenca e këtij konglomerati emrash të personazheve, ndërthurja e mjeteve, sjelljeve, pijeve, teknologjisë së larmishme, skenave ekstreme, kaçureli si një kokteil arkaik në të njëjtën skenë me komunikimin nëpërmjet skype-it, prezenca e priftit dhe lehtësia e arrestimit të tij, Samanta, një tip kooperativisteje ( mjelëse) e dalluar e cila i përket socializmit, burri me kollare te shkurter (adjutant gri) mjeshtër korrupsioni që asiston drejtorët e ministrive apo ministrat, apo vetë atë të madhin, gjigandin i cili i përket pluralizmit, zetoristë që duket se vijnë nga një kooperativë e harruar e tufëzimeve dhe plot skena ku aktorët, ngjarjet, vendet, profilet duket sikur përplasen në kohë nuk janë gjë tjetër veçse pasqyrë e realitetit të dhimbshëm shqiptar si një vijë tragjike e pandërprerë për 80 vjet.
Më kujtohet gjatë kohës së komunizmit se shpesh nëpër mure, faqe malesh e vende të dukshme publike apo banderola bezeje të lidhura kryq bulevardeve për raste festash, vendoseshin portretet e anëtarëve të byrosë politike dhe KQ. Duke lexuar “Brirët”, na shfaqet e qartë e njëjta pamje. Duket sikur po kalon në bulevardin “Dëshmoret e Kombit” dhe shikon me radhë portretet e udhëheqësve politikë shqiptarë të dekadave të fundit. Ose sikur ke hapur dosjet në kompiuterat e MB dhe shikon se si të parakalojnë fotot dhe të dhënat e kontigjentit kriminal e personave në kërkim. Përfshirja e elemetëve nga epoka të ndryshme, një farë udhëtimi a shkëputje e vogël në kohë, një lloj kontradikte rrethanash që e vërejme shpesh është thjesht një lojë fine e autorit për të na pikturuar groteskun, absurdin dhe lidhjen genetike mes diktaturave bizantine komuniste, pavarësisht pamjeve që ato përftojnë, varësisht prej kushteve historike, politike dhe ekonomike. Siç është rasti i vendosjes së gazatarit Tim David gjatë kërkimit të Luginës së Kuajve. Gazetari i pajisur me aparat fotografik, celular, laptop, gazetari që vjen me avion, fle në një hotel ku dyshekët janë me kashtë. Thjesht në kohën e laptop it, satelitit e të celularit nuk ka askund dyshek me kashtë. Kjo është bërë qëllimisht për të sajuar një situatë sa absurde aq dhe kuptimplotë. Pikërisht për të evidentuar lidhjen midis diktaturave. Nëse në diktaturat moderne ka laptop, skype dhe xhakuzi, pak rëndësi ka që dyshekët nuk janë me kashtë por me pupla.
Nje tjeter vlere lehtësisht e dukshme në këtë roman është gjuha, fjala, fraza.
Gjuhë dhe frazë ritmike që sjell gjithnjë imazhe të reja nga i njëjti vend. Padyshim autori këtu ka shfrytëzuar edhe resurset qe ka si poet dhe gazetar njëkohësisht. Ritme narrative të mbushura plot fantazi, ironi, batuta e humor bëhen lokomotiva që na çon nëpër viset e romanit. Në libër ne gjejmë të gjitha pistat e mundshme të zhvillimeve qe mund të ndodhin në një vend, në një shoqëri. Lëvizja, kalimi sa nga njëra tek tjetra pistë, sa nga njëra tek tjetra skenë bëhet me një zhdërvjelltësi të mahnitshme nëpërmjet krijimit të situatave të rëndësishme ose në dukje jo të rëndësishme, nëpërmjet një gjuhe marramendëse për nga koloriti semantik, figurat, neologjizmat. Me fantazinë e tij, Marashi na fut nëpër gjithfarëlloj ambientesh sociale, rrethanash, situatash. Duke e lexuar, njeriu përfshihet dhe në përfshirje e sipër ndodh që të mos vërë re detaje të ndryshme. Në këto raste ndodh sikur të jesh në sallën e madhe të një muzeumi dhe natyrshëm të kalosh pa vënë re sende, objekte, detaje. Atëherë del Marashi si një ciceron i përkorë dhe na thotë: zotërinj, ky portreti këtu është vepër e filanit, ekspozuar në vitin “x”, me “y” teknikë. Kjo vazo është gjetur në filan vend dhe i përket dinastisë beta, shekulli zeta. Pra duke na dhënë një panoramë tejet komplekse ai kujdeset njëkohësisht që nëpërmjet zgjidhjeve gjuhesore të na detyrojë të vëzhgojmë me kujdes çdo fjalë. Në çdo fjalë mund të fshihen vlera që nuk duhet të kalojmë pa i kundruar.
Në roman, marrdhëniet e liderëve dhe dikastereve, kriterologjia e kontaminuar e emërimeve, falsiteti dhe servilizmi i mediave, varfëria e kamufluar nga propaganda dhe e pakuptuar edhe nga vetë të dëmtuarit, sharlatinzmi i klasës se analistëve, degjenerimi, korrupsioni dhe amoraliteti i administratës vijnë e shaqen pa asnjë sforco, vijnë me natyrshmërinë më të madhe të mundshme aq sa në asnje çast nuk e kap veten duke menduar se thjesht je duke lexuar një roman. Në zhvillimin e ngjarjeve përmendet shpesh mosha e subjektit të romanit: këto 30 vite. Por në mënyrë shumë organike futen plot elementë teknikë, gjuhësorë, socialë dhe psikologjikë nga periudha e komunizmit për të treguar realitetin dramatik të shoqërisë shqiptare. Operacion i kryer me sukses të plotë dhe mjeshtëri. Kemi reminishencat e brohoritjeve shoqëruar me parrulla, bustet, militantizmi, Samantën si një zgjatim i Lajes apo Nafijes, ekzekutimin e gjelit për sabotazh etj, gjëra të cilat tregojnë se këtu nuk ka ndryshim por një mutantizëm të së keqes, thjesht një sofistikim të saj. Fraza te tilla si “për nder të Babzilandit”, “Babzilandi nuk do ua harrojë kurre”, ” Për ideal të Babzilandit” etj krijojnë atë portalin midis epokave nëpërmjet të cilit kalon aq lirshem grotesku tragjik i shqiptareve. Një korpus klisheshë të cilat janë simptoma të shoqërive të atrofizuara nga diktaturat që ato vetë prodhojnë. Marashi na bën që të shohim më qartë se realiteti ynë është më grotesk nga ç’kujtojmë dhe më grotesk nga ç’paraqitet në libër. Keto nuk jane gjera që nuk i dimë. Por në roman na paraqiten në atë mënyrë që edhe t`i ndjejmë, t`i mendojmë, të vrasim mendjen për zgjidhje, të çlirojmë ndërgjegjet, të lufojmë për të mos u njehsuar me dele siç eshte shprehja në zhargon apo të ripërfundojmë në lopë si në Republikën e Babzilandit. Pra romani ashtu sikunder duhet çdo veper e mirfilltë letrare të vijë, vjen edhe si një porosi, si një alarm për të mos qene tepër vonë, siç psherëtin ne agoni personazhi i romanit, ambasadori.
Nomenklatura e Babzilandit e përbërë nga kryebariu dhe barinjtë. Barinjtë janë njëlloj me ndonjë përjashtim varësisht prej preferencave private të kryebariut, njëshit. Ka vetëm një suprem, komandant e komisar, udhëheqës i shquar e largpamës, orator batutaxhi, i korruptuar e arrogant, despotik, vulgar, brutal që bën e thotë çfarë të dojë. Pjesa tjetër janë “no face, no name, no number”. Anëtarë të një grigje, lëkura e të cilëve mund të rjepet çdo çast. Pëllitja kolektive dhe ndëshkimi me ecje këmbadoras një skenë e cila në mënyrë më të moderuar, praktikohet sot e kësaj dite nga qeveritarët shqiptarë të të gjitha qeverive. Sicç e dimë fare mirë, asnjëherë nuk ndodh që në një mbledhje qeverie shqiptare, të ngrihet një ministër dhe të kundërshtojë kryeministrin. As më parë nuk ka ndodhur. Përndryshe nuk do ishim kështu siç jemi. E nëse nuk ndodh, kështu kemi për të qenë gjithmonë. Ndërtimi i figurës se Njeshit, ë vetmit, atij me “A” te madhe, gjigandit, largpamësit ështe bëre me lehtësi. Fatkeqsisht lehtësi pasi Marashi por dhe të gjithë ne kemi shembuj te vdekur e të gjallë se ku të shohim se si janë diktatorët e vërtetë. Kryebariu si një diktator prototipk vuan nda deliri i te qenit personalitet me ndikim ndërkombëtar. Nga ajo mania për të ndikuar jashtë kufijve. Ja si përshkruhet në një segment ne roman: “Kryebariu zbriti nga makina dhe ashtu mendueshëm, mbytur nga vizionet për të ardhmen jo vetëm të Babzilandit por edhe më gjërë, të të gjithë rajonit”. Kam dëgjuar shqiptarë të lopëzuar të kohërave të diktaturës hoxhiste por dhe të kohëve të sotme që janë të bindur mbi fuqinë ndikuese në rang ndërkombëtar të udhëheqësve respektive. Kjo përbën një simptomë tjetër të rëndësishme të sëmundjes kolektive të shqiptarëve dhe nuk është aspak frut i fantazisë së Marashit. Populli i Babzilandit nuk do të kujtohej kurrë ta përmbyste diktaorin diabolik e pervers kryebariun nëse ky i fundit nuk do ishte i sëmure, nuk do kurohej me laksative dhe nuk do të pickohej nga nje insekt helmues.
Ardhja drejt fundit e romanit sjell rënien e Babzilandit si diktature klasike, rënien e tij siç ndodh rëndom ne të tilla raste, në kaos. Gjithë kuintecenca e terësise së shpalosur në roman përmblidhet tek fjalët e analiztit kontravers Fill Bobi: “Dua të sqaroj se populli i Babzilandit nuk e kupton dhe nuk ia ka idenë një revolucioni e le më pastaj ta bëjë atë. Populli i Babzilandit le t’ua dijë për nder laksativëve…! A nuk ndosh pak a shumë edhe në Republiken tonë?
Marash Mirashi ka mundur që ngjarjet allashqiptare, groteskun allashqiptar ta zhveshë pikërisht nga personalja, pra nga të qenit fenomen kryesisht shqiptar dhe e ka ngritur në nivelin e një çeshtjeje universale. Nëper roman trajtohet cështja e shqoqërive të atrofizuara, e individeve që veteskllaverohen dhe shndërrohen në kavje vllnetare. Ndaj këte roman mund ta lexojë e të mos ketë asnjë ngecje e paqartësi njelloj si lexuesi në Shqipëri, në Kinë, në Kili, në Malte, Gjermani, Kanada e kudo. Si përfundim, padashur te definoj asgjë, me shumë per të shprehur mendimin tim dhe ndjesitë e emia personale si lexues i kualifikuar, mund të them se leximi i romanit te parë te autprit Marash Mirashi është një kënaqësi e veçantë estetike dhe emocionale. Them se romani do të ishte i denjë për çdo romancier dhe ndonesi i pari, ngjan sikur të jete i dhjeti po të kemi parasysh gjithë ato vlera e resurse që i ceka modestisht edhe më lart.