Policia ka vendosur në pranga një 30-vjeçar, i cili ka tentuar të marrë me forcë një të mitur në rrugë. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Lunar të Dibrës, ndërsa mësohet se 30 vjeçari me iniciale G. L., tentoi të rrëmbejë një 15-vjeçare. Ende nuk dihen rrethanat dhe motivet e ngjarjes, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e dinamikës.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Lunar, njësia administrative Selishtë, një shtetas po tentonte të merrte me forcë një shtetase të mitur, kanë shkuar menjëherë në drejtim të këtij fshati.
Si rezultat i veprimeve, është bërë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit G. L., 30 vjeç, banues në fshatin Lunar, i cili dyshohet se ka tentuar të marrë me forcë një 15-vjeçare, në rrugë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.