Në orët e para të mëngjesit të datës 13 tetor ytë 2020-s, humbi jetën në maternitetin e Gjirokastrës 19-vjeçarja, Klediona Muxhaj nga Metoqi i Sarandës. E reja u dërgua në maternitet nga fshati Zhulat i Gjirokastrës nga familjarët e bashkëshortit pas dhimbjeve të lindjes.
Mjekët vendosën për ndërhyrje çezariane për shkak të pozicionit të fëmijës dhe ndërhyrje që u krye rreth orës 9.30 dhe zgjati gati 40 minuta. E reja u bë nënë e një djali me peshë 2,5 kg dhe të dy u konfirmuan në gjendje të mirë.
Rreth orës 3 të mëngjesit pas komplikacioneve në frymëmarrje mjekët vendosën për trajtimin në reanimacioni të 19-vjeçares. Familjarët e Kledionës kanë pretenduar për mjekim të pakujdesshëm dhe akuzojnë mjekët se e kanë vënë re me vonesë përkeqësimin e gjendjes së vajzës.
Sipas tyre mjekët janë rikthyer në spital me vonesë dhe se mjekimi ka qenë i pavëmendshëm. Vjehrri dhe vjehrra e viktimës konfirmuan gjendjen shumë të mirë dhe faktin se 19-vjeçarja nuk vuante nga asnjë sëmundje
Ditën e sotme ishin në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “Shqipëria Live” bashkëshorti dhe kunati i të ndjerës, Romarjo dhe Klaudio Muxhaj. Ky i fundit u shpreh se ajo e mbajti 9 muaj në bark, i dha gjak nga gjaku i saj dhe në fund nuk arriti as ta shikonte dhe as t’i dëgjonte zërin.
Më pas kunati shprehet se ata janë të sigurt se vdekja e nuses ka ardhur si pasojë e neglizhencës së infermiereve.
“Jemi shumë të bindur se vdekja e nuses ka ardhur për shkak të neglizhencës. Nëse nuk do të ishte kështu pse mjeku nuk del e flet? Pastaj edhe infermieret japin deklarata të ndryshme”.
Klaudi tregon se kur e kanë dërguar në spital, e kanë kontrolluar dhe u kanë thënë se duhej ta fusnin në operacion pasi bebi kishte ndryshuar pozicion dhe ajo nuk mund të lindte vetë.
“Lindi nusja në darkë dhe doktori tha se është shumë mirë. Duke kaluar 30 minuta na thanë se mund të hynim për të parë nusen dhe fëmijën. Mami hyri dhe nusja i ka thënë se si ishte djali. Më pas hyra unë dhe i thashë se nesër do shohim djalin. Kur kemi hyrë për ta parë, ajo ishte në gjendje të mirë shëndetësore.
Më pas infermierja na tha që të iknim, pasi nuk mund të rrinim aty gjatë natës. Me mjekun ka biseduar babai dhe i ka thënë se çdo gjë është mirë. Ai i ka thënë që të nesërmen do të flasim sërish pasi të kontrollonim djalin dhe ta dërgonin te nëna e tij. Infermierja na tha se kujdesem unë për të”, tregoi ai.
Më pas tregon momentin kur një infermiere ka marrë në telefon nënën e tij dhe i kanë thënë që të shkojnë në spital, pasi nusja ishte keq.
“Në orën 4.40 në numrin e mamit mori dikush në telefon dhe na tha “ejani se nusja është shumë rëndë”. Shkuam unë e mamaja. Dhoma e nuses ishte e mbyllur. Del doktori dhe tha ne nuk mundëm që ta shpëtonim, ajo vdiq. Ju shpreh ngushëllimet, ajo nuk ia doli. Ka patur komplikacione në frymëmarrje diku nga ora 3”,tha ai.
Kunati i të ndjerës shtoi se kanë dashur që t’ia lënë edhe Covid fajin për vdekjen e nuses.
Kanë tentuar që thonë se ka ndërruar jetë nga Covid-19. Infermieret kanë ardhur dhe na kanë thënë a ka patur nga këto viruset. Madje kur po e dërgonim për në mort, pamë që nusja ka patur hemorragji nga veshët”.
Ndërkohë kur e pyetën nëse dikush ka folur me drejtorin e spitalit, Klaudio tha se ka komunikuar babai i tij dhe një familjar i nuses.
“Me drejtorin e spitalit ka folur babai im, një familjar i nuses. Drejtori i spitalit ka thënë se ky është faj mjekësor, por më pas ka ndryshuar deklaratë. Është pakujdesi e infermieres që ka qenë në turn, por më pas e ndryshoi këtë deklaratë”, ka treguar kunati.
Ky i fundit shtoi se duke mos patur besim te ekspertiza e Gjirokastrës pasi mund të manipulohen nga mjekët e spitalit, kanë kërkuar ekspertizë nga Tirana dhe po presin përgjigje.