Kandidati për deputet i Partisë Demokratike për Tiranën, Gent Strazimiri, bashkë me banorët e “Njësisë 7”, denoncuan sot në SPAK Kryetarin e Bashkisë, Erion Veliaj, dhe Ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, pasi sipas demokratit po hedhin asfalt elektoral në këtë zonë të kryeqytetit.
“Kanë hedhur 50m asfalt natën, kanë mbyllur kanalizimet dhe punët i drejtonin drejtuesit e PS në zonë. Këto akte bëhen pak ditë para zgjedhjeve, si përpjekje për të blerë votën”, tha një prej banorëve.
“Veprimet kriminale të Veliajt dhe Gjonajt duke çuar dëm paratë e taksapaguesve, në përpjekje për të gënjyer banorët në ditët e fundit të qeverisjes së PS, do të kallëzohen penalisht në SPAK”, tha Gent Strazimiri.
Më tej, kandidati i PD vijoi se “Gjëja e vetme e mirë është se si socialistët, si demokratët po e përbuzin një shembull të tillë ndarje. Socialistë dhe demokratë duhet të marrin njësoj shërbime nga qeveria. Ne do të bëjmë kallëzimin penal për autorët e kësaj maskarade, drejtuesit e PS, kandidatët e PS, Erion Veliaj dhe Etilda Gjonaj në bashkëpunim. Me votën tonë të përbashkët në 25 prill do të ndërtojmë një Shqipëri më të mirë, do të fshijmë çdo ndarje që kjo bandë në pushtet u ka berë socialistëve dhe demokratëve që jetojnë në të njëjtin hall”.