Duke folur mbi zgjedhjet parlamentare që po mbahen sot, presidenti deklaroi se ka takuar në rrugë qytetarë të angazhuar të gjithë për të votuar për të sjellë ndryshimin.
Duke folur në një intervistë për Adi Krastën në Syri.tv Meta tha se ka reaguar pasi situata parazgjedhore në vend ka qenë tepër e rëndë, ndërsa u shpreh i kënaqur me atmosferën në Shijak.
“Vëmendja e botës dhe Evropës sot është vendosur në Shqipëri, si dhe një ndër kushtet për çeljen e negociatave me BE. Qytetarët që takova sot nëpër rrugë të angazhuar të gjithë për të votuar dhe për të sjellë ndryshimin e shumëpritur. Procesi i zgjedhjeve ka vëmendjen time në të gjithë Shqipërinë. Situata parazgjedhore ka qenë tepër e rëndë, kam reaguar për të ndalur presionin që po i behej qytetarëve për votën. Kredencialet e këtyre zgjedhjeve janë tepër të rëndësishme për vendin tonë dhe te ardhmen tone europiane. Vëmendja ime është kudo në Shqipëri nga Kukësi deri në Sarandë. Vlora ka tërhequr më shumë atje vetë Presidentin sepse u tregua qartë që atje kishte një presion shumë të madh dhe duhej ruajtur procesi i demokracisë. Zgjedhjet e Parlamentare, sot janë vendimtare dhe për vetë çeljen e negociatave, sepse ne jemi ndër vendet e fundit që nuk jemi ende në BE”, tha Meta.
“Jam shumë i kënaqur me atmosferën tepër pozitive që kam parë në Shijak. Ftoj të gjithë qytetarët t’ju drejtohen kutive te votimit dhe te vazhdojnë të tregojnë qytetari siç e kanë bërë deri tani. Pjesëmarrja në këto votime është një indicie e qartë që do jetë një ditë historike, pasi ka të bëjë me gjithë legjitimin e shtetit tonë. Sytë e të gjithë ndërkombëtareve janë tek ne sot, ti japim një mesazh botës demokratike se jemi një popull tërësisht europian”, vijoi kreu i shtetit.
Presidenti Meta u shpreh se është i qetë sepse sot po flet sovrani. “ Zgjedhjet e 2017, janë ato që ne na lanë jashtë Bashkimit Europian dhe këtë e treguan në atë kohë dhe Shijaku dhe Dibra, që janë dosjet e pazbardhura në Prokurori. Nëse ne do të kishim reaguar shumë më me forcë për krimet e 2017, nuk do kishim humbjen e jetës në Elbasan dhe plagosjen në Kavajë. Sot unë jam shumë i qetë sepse sot po flet sovrani. Kushtetuta dhe Republika janë një”.