Shembja e Teatrit Kombëtar më 17 Maj, 2020 ishte një akt antidemokratik dhe arbitrar, një shembull i brutalitetit të qeverisë i cili ndodhi në kundërshtim të plotë me sundimin e ligjit dhe dëmtoi në mënyrë të pakthyeshme këtë objekt të trashëgimisë kulturore.
Ju risjell reagimet e faktorit ndërkombëtar mbi shembjen e Teatrit Kombëtar, më 17 Maj, 2020 ndërkohë që bëhej thirrje për zgjidhje institucionale.
Presidenti i PPE Donald Tusk
Dënoj shembjen e Teatrit Kombëtar në Tiranë të dielën, e cila shkon kundër vlerave europiane si ruajtja e trashëgimisë kulturore, sundimit të ligjit dhe dialogut transparent. Frikësimi dhe përdorimi i dhunës ndaj protestuesve, shoqërisë civile, artistëve si dhe politikanëve të opozitës janë të papranushme.
Sundimi i ligjit, media e pavarur dhe e lirë si dhe lufta kundër korrupsionit duhet të mbizotërojë në perspektivën europiane të Shqipërisë. Unë shpreh mbështetjen time për partinë tonë anëtare të PPE, Partinë Demokratike, në luftën demokratike për një Shqipëri më të mirë.
Nënkryetarit të grupit parlamentar CDU/CSU në Bundestag, Johann Wadephul
“A kishin të drejtë të gjithë kundërshtarët e mi në disa parlamente kombëtarë, kur ata refuzuan “po-në” për fillimin e negociatave?”
Komisionerja e Bashkimit Europian, Mariya Gabriel
“Dialogu me shoqërinë civile dhe ekspertët e trashëgimisë kulturore është i domosdoshëm përpara se të merrni një vendim të pakthyeshëm për Teatrin Kombëtar. Ne inkurajojmë fuqimisht të gjitha institucionet përkatëse kombëtare që të përfshihen tani në një dialog konstruktiv për trashëgiminë kulturore”
Ambasadori i BE Luigi Soreca
“Prishja e Teatrit Kombëtar erdhi në një kohë kur ne kërkuam dialog midis autoriteteve dhe shoqërisë civile para se të merrej një vendim i pakthyeshëm. Na vjen keq që kjo thirrje nuk u ndoq nga institucionet përkatëse kombëtare dhe vendore.
Që në orët e para të këtij mëngjesi, ne kemi ndjekur me shqetësim të thellë zhvillimet në terren. Ne i bëjmë thirrje palëve të tregojnë kufizim dhe të shmangin përshkallëzimin e situatës”
Eurodeputeti Michael Gahler
Unë e dënoj veprimin e autoriteteve dhe dhunën policore sot në Tiranë e i bëj thirrje kryeministrit Rama që të ndalë shembjen e paligjshme të Teatrit Kombëtar, të ndalojë dhunën ndaj artistëve e aktivistëve dhe të angazhohet në dialog me të gjithë grupet e interesuara përfshirë Europa Nostra dhe Insitutin e Bankës Evropiane të Investimeve të cilat mbështeten nga Komisioni Evropian dhe janë të gatshme për të ndihmuar. Teatri Kombëtar është renditur si një sit kulturor europian i rrezikuar.
Reporteri për Shqipërinë në Parlamentin Europian, David Lega
I bëj thirrje kryeministrit Rama që të dëgjojë apelin e Komisioneres së Kulturës Gabriel dhe të ndalojë dëmet e pariparueshme. Sjell në vëmendje të Qeverisë shqiptare 15 kushtet që duhet të plotësojë Shqipëria për të filluar negociatat. Shteti ligjor është primar.”
Delegacioni i BE-së në Shqipëri
“Prishja e Teatrit Kombëtar erdhi në një kohë kur ne kërkuam dialog midis autoriteteve dhe shoqërisë civile para se të merrej një vendim i pakthyeshëm. Na vjen keq që kjo thirrje nuk u ndoq nga institucionet përkatëse kombëtare dhe vendore.”
Europa Nostra
“Ditë e trishtë për trashëgiminë kulturore në Shqipëri dhe Evropë. Ditë e trishtë për demokracinë dhe shtetin ligjor në Shqipëri dhe Evropë”.
Fondacioni gjerman, Konrad-Adenauer
“Shumë e trishtë! Gjatë një aksioni në terr dhe mjegull u shemb në Tiranë Teatri Kombëtar! Shprehim keqardhje, për mënyrën e marrjes dhe zbatimit të vendimit për shembjen e një institucioni të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore kombëtare!”
Ekipi i OKB-së në Tiranë
“OKB në Shqipëri ka ndjekur me shqetësim tensionin e krijuar nga prishja e Teatrit Kombëtar dhe thekson rëndësinë e forcimit të unitetit kombëtar dhe rritjes së besueshmërisë mes autoriteteve dhe qytetarëve, veçanërisht gjatë menaxhimit të pandemisë së Covid-19. Më shumë se kurrë, përpjekjet për të siguruar dialog, transparencë dhe kohë shtesë për të siguruar përputhshmëri të plotë me ligjin mund të ndihmojnë në zbutjen e rreziqeve të lidhura me veprime që mund të prishin unitetin kombëtar. OKB thekson rëndësinë e së drejtës për protestë paqësore dhe liri të shprehjes, në përputhje me ligjin dhe praktikën demokratike”.