Deputetja e zgjedhur e PD-së, Albana Vokshi i ka bërë thirrje kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi që të tërhiqet nga vendimi i Byrosë për të mos lejuar gazetarët në mbledhjet e Komisioneve Parlamentare.
Albana Vokshi si ish-kryetare e Komisionit të Medias, shprehet se gazetarët u treguan kurajozë duke protestuar, po ashtu dhe Bashkimi Europian e tha fjalën e saj kundër pengimit të gazetarëve.
“Gazetarët e thanë fjalën e tyre. Kurajozë dhe me integritet, gazetarët e ngritën zërin kundër censurës së Parlamentit dhe kundër izolimit të tyre.
Edhe BE e tha fjalën e vet kundër pengimit të gazetarëve për të raportuar lirshëm në Kuvendin e Shqipërisë. Një falenderim edhe për qendrimin e ambasadores së Francës pro lirisë se medias dhe kundër censures shtetërore.
Tani i takon Kuvendit të Shqipërisë të tërhiqet. Vendimi i paligjshëm, antikushtetues dhe antidemokratik që pengon gazetarët të bëjnë punën e tyre në Kuvend duhet të zhbëhet. Ky është një vendim politik, i marrë nga Byroja e Kuvendit, e cila drejtohet nga Granoz Ruçi dhe jo nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit. Si I tillë, në vend të justifikimeve, Gramoz Ruçi duhet të kërkojë ndjesë publikisht dhe të tërheqë pa vonesë vendimin e gabuar!
Kufizimi i lirisë së medias në një vend që pritet të hapë negociatat me BE është po aq i papranueshëm sa vjedhja e votës!”, thekson Vokshi.