BallinaEkonomiArsyet pse kërkohet shtyrja e Fiskalizimit

Arsyet pse kërkohet shtyrja e Fiskalizimit

spot_img
spot_img

Kontabilistët dhe audituesit ligjorë pohojnë se numri i ulët i certifikatave elektronike të lëshuara dhe pamundësia e kompanive të licencuara për zgjidhjet software, për të mbështetur biznesin, janë arsyet që e vënë në vështirësi zbatimin në kohë të fazës së dytë. Ekspertët kërkojnë që biznesit t’i jepet më tepër kohë të përgatitet, duke rekomanduar kohëzgjatje 36 muaj të fazës së parë, shkruan Dorina Azo e Monitor.

Në nisje të fiskalizimit, debati mes ekspertëve dhe sipërmarrjes ishte për kostot, që u vlerësuan të larta dhe të papërballueshme, sidomos për biznesin e vogël që u prek nga kriza e Covid-19. Pas 6 muajsh nga nisja e procesit, shqetësim është pazbatueshmëria e tij. Kontabilistët, audituesit ligjorë dhe kompanitë e tregtimit të kasave fiskale dhe zgjidhjeve software kërkojnë shtyrjen e fiskalizimit, pasi biznesit i nevojitet më shumë kohë të plotësojë kërkesat e reja.

Ndonëse zyrtarisht fiskalizimi ka nisur nga 1 korriku për transaksionet mes bizneseve pa para në dorë dhe nga 1 shtatori pritet për marrëdhëniet mes biznesit dhe konsumatorëve, pikëpyetjet, që po e shoqërojnë këtë proces janë të shumta.

Arsyet, sipas kontabilistëve, që do të vënë në vështirësi realizimin e fiskalizimit është se bizneset e mëdha po përballen me një sërë problemesh, që nuk rregullohen në legjislacion. Për ta, shqetësim është edhe biznesi i vogël, pasi ka mbetur i painformuar nga trajnimet online.

Frika për një proces të pazbatueshëm te biznesi i vogël është edhe për drejtuesin e një prej kompanive kryesore të tregtimit të kasave fiskale, pasi për të gjitha hallkat e reja të procesit, këtyre bizneseve ju nevojitet më shumë kohë. Audituesit ligjorë pohojnë se jo vetëm bizneset, por edhe administrata tatimore dhe institucionet financiare nuk janë gati për zbatimin e fiskalizimit. Rekomandimi i tyre është që faza e parë të zgjasë 36 muaj.

Procesi ka filluar, por presioni për zbatimin e tij për momentin nuk është i lartë. Qeveria ka miratuar një akt për ngrirjen e gjobave që lidhen me fiskalizmin deri në 31 dhjetor 2021. Artur Papajani, konsulent fiskal, mendon që ky akt do të ndikojë negativisht në rritjen e informalitetit, “Kjo masë e pamenduar fare dhe e pastudiuar, veç do rrisë evazionin, do keqësoje edukimin e tatimpaguesve, do ndëshkojë në një etapë të dytë me mijëra biznese. Vetëm, këtu nuk duhej të arrinte sistemi tatimor shqiptar. Është kthim prapa në kohë. Pra shteti vetë u thotë bizneseve , ngaqë unë nuk jam gati t’ju siguroj mbështetje “ shisni pa faturë”,” pohon ai.

Pse kërkohet shtyrja e fiskalizimit

Ekspertët dhe kompanitë më të mëdha të tregtimit të kasave në vend rekomandojnë shtyrje të procesit, pasi bizneset në tërësi, sidomos sipërmarrjet e vogla, nuk janë gati. Për ta, procesi është i pazbatueshëm, pasi shumë prej problematikave të hasura në praktikë nuk janë të rregulluara në ligj, ekziston mungesa e ndërlidhjes automatike të kompanive të certifikuara që ofrojnë zgjidhje software me programet e kontabilitetit dhe nuk është zhvilluar ende një fushatë derë më derë për të orientuar biznesin e vogël i cili nuk ka ndjekur trajnime online.

Audituesi ligjor, z. Bujar Bendo, e sheh si të parealizueshëm procesin e fiskalizimit, sepse për të, jo vetëm bizneset, por edhe administrata tatimore, kompanitë e certifikuara për programet software dhe institucionet financiare nuk janë ende gati. Z. Bendo pohoi për “Monitor” se faza e parë duhet të zgjasë 36 muaj, ashtu siç ka ndodhur edhe në vendet e zhvilluara që kanë zbatuar para Shqipërisë fiskalizimin. Ai rekomandoi se në fazën e parë, ku janë përfshirë bizneset që kryejnë transaksione pa para në dorë me entet publike, duhet të lihet një vit kohë për zbatimin e fiskalizimit pa penalitete dhe dy vitet e tjera të jenë praktikë.

“Ne vend ekziston klima se sistemi financiar nuk është i besueshëm, për shkak të pastrimit të parave. Për këtë arsye, të gjithë përplasen në banka, pra çdo transaksion duhet të jetë bankar dhe transparent. Në banka ka dy alternativa të ofrimit të shërbimit, online dhe me paraqitjen në sportele. Bizneset preferojnë më tepër që veprimet t’i kryejnë në sportele, pasi 90% e tyre nuk e njohin anën informatike për të përdorur teknologjinë. Ambienti i biznesit, ende nuk është i përgatitur për zbatimin e këtij procesi.

Edhe administrata tatimore, doganore dhe kompanitë e certifikuara nuk janë gati. Për këtë arsye, procesi nuk mund të nisë tani, pasi duhet të marrë më shumë kohë. Faza e para e procesit, që parashikon fiskalizimin për transaksionet pa para në dorë mes enteve publike dhe sipërmarrjes, duhet të zgjasë 36 muaj. Më pas të kalohet te faza e dytë. Për të kaluar te faza e fundit, për transaksionet me para në dorë mes bizneseve dhe konsumatorit, duhet t’u lihet 5 vjet kohë zbatimit të dy fazave të para”.

Sipas tij, edhe me kostot e procesit do të ketë abuzime për shkak të pranisë së lartë të kompanive që ofrojnë zgjidhje software dhe tarifat që aplikohen kundrejt shërbimit nuk kontrollohen nga shteti. “Nëse do të kishte marrë më shumë kohë shteti, edhe kostot mund t’i minimizonte”, shton audituesi ligjor, Bujar Bendo.

Të njëjtën qasje ndan edhe kontabilisti Sotiraq Dhamo, i cili thekson se, nga konsultimet me tatimpaguesit kanë rezultuar shumë paqartësi për zbatimin e procesit, që duhet të rregullohen në ligjin e fiskalizimit. Që procesi të mos dështojë dhe tatimpaguesit të mos dëmtohen, kontabilisti rekomandon shtyrjen e nisjes së fazës së dytë deri më 31 dhjetor 2021.

“Kompanitë e licencuara për ofrimin e zgjedhjeve software nuk janë të certifikuara për të gjitha shërbimet. Nëse një kompani është certifikuar për fiskalizimin mes bizneseve, nuk është për fazën tjetër që është biznes dhe konsumator, apo faturat shoqëruese.

Jo të gjitha kompanitë që ofrojnë programet e kontabilitetit janë gati për ndërlidhjen me programin software. Nga konsultimet me tatimpaguesit kanë lindur shumë problematika dhe zgjidhja e tyre nuk përcaktohet në legjislacion. Për shembull, një problem që do të lindë është arkëtimi i pjesshëm i faturave. Si do të klasifikohen këto raste, si: arkëtim i mëvonshëm apo arkëtim me dorë.

Për shitjet e mallit jashtë vendit (rastet e shitjes së mallit pa u zhdoganuar), në rast se një subjekt blen mall në një kompani të huaj dhe i duhet të transferohet shitja në një tjetër klient që është jashtë vendit; si duhet të veprojë për lëshimin e faturës elektronike? Po në rastin e shërbimeve delivery, si do të veprohet, pasi fatura lëshohet në dyqan, ndërsa pagesa kryhet në momentin e dorëzimit të porosisë.

Është e pamundur që nga motoristi apo transportuesi të lëshohet fatura në momentin e dorëzimit të porosisë. Për shkak të gjithë këtyre problematikave sugjeroj se do të ishte e nevojshme një tjetër shtyrje e afatit të zbatimit të procesit, të paktën deri më 31 dhjetor 2021. Nuk jemi kundër procesit, por shtyrja e afatit do të ndihmonte në mosdështimin e procesit dhe të mos dëmtohen tatimpaguesit, pasi janë të domosdoshme të reflektohen rregullime të tjera ligjore”.

Kundër shtyrjes

Kundër shtyrjes së fiskalizimit janë kompanitë e certifikuara për ofrimin e zgjidhjeve software. Administratori i kompanisë devPOS, Igli Gjelishti, shprehet se shumë biznese janë të paqartë për procesin dhe për këtë, duhet të punojmë shumë për të sqaruar subjektet, por e konsideron një vendim të padrejtë, shtyrjen e procesit për sipërmarrjet që kanë nisur të lëshojnë fatura elektronike.

“Mendoj se një fushatë e gjerë komunikimi nga administrata tatimore do të ndihmonte shumë. Një shtyrje e procesit në këtë pikë, nuk do të ishte e drejtë kundrejt atyre 1 mijë apo 5-6 mijë subjekteve në total që kanë blerë programet software, pa pritur afatet maksimale, por edhe ndaj ne prodhuesve të zgjidhjeve software që punojmë prej dy vjetësh për këto sisteme”.

A do të shtyhet fiskalizimi për biznesin e vogël?

Biznesi i vogël që kryen transaksione me para në dorë pritet të nisë fiskalizimin nga 1 shtatori. Për kompanitë e tregtimit të kasave fiskale dhe kontabilistët, kjo fashë subjektesh do të gjendet më në vështirësi për të zbatuar procesin. Drejtori i përgjithshëm i kompanisë A.E Distribution sh.p.k, z. Bledar Balla, nënvizon 6 elementë të procesit të fiskalizimit që nga marrja e certifikatës elektronike dhe deri te trajnimet që kërkojnë më shumë afat për t’u realizuar nga biznesi i vogël.

“Nuk jemi kundër procesit të fiskalizimit, por do të duhej të ishte kryer një analizë më e mirëmenduar dhe periudha e tranzicionit të ishte më e gjatë, në mënyrë që të mos krijohet hapësirë për abuzime. Në legjislacion është parashikuar që nga 1 shtatori të nisë faza e fiskalizimit për bizneset e vogla, ne sugjerojmë se për këtë fashë, procesi duhet të shtyhet.

Procesi ka disa hallka, si: 1. Kërkesa e certifikatës elektronike për nënshkrimin elektronik tek e-Albania; 2. Pagesa e vlerës së certifikatës elektronike 4,000 lekë në bankë; 3. Regjistrimi i operatorëve (punonjësve që do të kryejnë faturimin) në e-Albania nga ana e biznesit; 4. Përshtatja e kasës ose instalimi i një zgjidhje software të re për biznesin; 5. Konfigurimi i tyre me të gjitha parametrat dhe kodet si më lart (të detyrueshme); 6. Trajnimi i biznesit në përdorimin e sistemit të fiskalizimit për zbatimin e të cilave, biznesit të vogël i duhet më tepër kohë”, thekson z. Balla.

Për subjektet e vogla, edhe kontabilisti Sotiraq Dhamo sugjeron se duhet të gjendet një rrugë tjetër për t’i shpjeguar se si do të funksionojë lëshimi i faturave elektronike. “Administrata tatimore po zhvillon trajnime online, por biznesi i vogël e ka të pamundur të gjejë kohë për ndjekjen e trajnimeve. Nga administrata tatimore duhet të gjendet një tjetër rrugë për të arritur te bizneset e vogla”.

Audituesi ligjor, Bujar Bendo, në Monitor Brief Insight tha se pritet që precedenti i parë për procesin të jetë te biznesi i vogël. “Çedimi nga ana e ligjvënësit do të vijë duke thënë që bizneset të cilat janë jashtë TVSH-së të spostohen. Do të rrijë edhe pak dhe do të spostohen përsëri, pasi nuk ka rrugë tjetër”./MONITOR

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular