Te PSG janë të gjithë të bindur se Lionel Mesi do të jetë blerja e radhës e klubit francez që ka si objektiv të triumfojë në Ligën e Kampioneve dhe po bën çmenduri sa u përket shpenzimeve për ta realizuar këtë synim. Sipas “Le Parisien”, gazetës që është e lidhur ngushtë me klubin, tashmë te PSG e cilësojnë gjithçka çështje ditësh, pasi edhe lojtarëve u është bërë e ditur se Mesi do të vijë.
Burimet e gazetës konfirmojnë se në klub janë lajmëruar për afrimin e futbollistit si dhe po bëhen gati për pritjen e tij ashtu siç e meriton, ndonëse mbeten disa detaje për t’u mbyllur para zyrtarizimit. “Palët janë dakord për pjesën më të madhe të gjërave, mbeten detajet dhe dokumentet që duhen redaktuar”, shkruan portali i gazetës së njohur franceze.
Aty theksohet se në konferencën për shtyp të të dielës, Mesi nuk do të japë detaje për të ardhmen, pasi do të jetë vetëm për Barcelonën dhe vitet e tij aty. Ndërkohë, janë mësuar edhe detajet për rrogën e argjentinasit, që do të jetë mes 35-40 milionë eurove në vit. Sqarohet se përfaqësuesit e klubit dhe babai i lojtarit, që kryen edhe rolin e menaxherit të tij, janë në kontakt të vazhdueshëm për çdo detaj në marrëveshje.
Ndërkohë, klubi ka përgënjeshtruar se futbollisti do të prezantohet të martën para Kullës Eifel, siç ndodhi me Nejmar dhe kjo e fundit të ketë një projektim për të. Megjithatë, burimet e gazetës sigurojnë se parashikohet që ai të kryejë vizitat mjekësore në një spital amerikan në periferi të Parisit e më pas të hedhë firmën në kontratë. Por për ta parë në fushën e lopës në një ndeshje futbolli, do të duhet të pritet, pasi në klub nuk kanë ndër mend ta rrezikojnë lojtarin derisa të jetë në formën ideale. Parashikohet që ndeshja e tij e parë e PSG do të ketë më 12 shtator ndaj Klermont. PANORAMASPORT.AL