Kryeministri Rama, përmes një postimi në rrjete sociale ka komentuar në lidhje me polemikat që u bënë në rrjet pas deklaratës së djeshme. Dje kreu i qeverisë tha se një serb që i hakërret Dua Lipës në rrjetet sociale vetëm sepse ajo është një kosovare krenare, nuk ndryshon askund me shqiptarët që iu sulën Bregoviç-it dhe kjo u mor si një mënyrë barazimi mes saj dhe Bregoviç.
Ndërsa sot, Rama shkruan se nuk ka bërë asnjë krahasim mes Dua Lipës dhe Goran Bregovicv por ka thënë me një shembull të vërtetën e hidhur se të barabartë.
“Ashtu siç bënë Bregoviçin kriminel serb pa asnjë fakt, tani sokëllijnë që unë paskam barazuar Dua Lipën me të! Dhe histeria vazhdon por jo, unë nuk kam barazuar hiçfare Dua Lipën me Goran Bregoviçin, po kam thënë me një shembull të vërtetën e hidhur se të barabartë, njësoj krejt janë ata që shajnë e mallkojnë, në serbisht a në shqip, artistët e sportistët me emër të palës tjetër! Histeri fashiste që as nuk e mbron, as e nderon, po vetëm e turpëron shqiptarinë, e cila s’mund të jetë kurrë shembëlltyrë e urrejtjes!”, shkruan Rama.