Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka mbajtur sot një fjalim në Samitin e PPE (EPP) për Ballkanin Perëndimor, ku theksoi se është jetike për BE-në të përqëndrojë energjinë e saj drejt marrëveshjes përfundimtare të njohjes reciproke midis Kosovës dhe Serbisë.
“Vetëm në këtë mënyrë do të hyjmë në një epokë të re të bashkëpunimit dhe zhvillimit”, thekson kryedemokrati.
“Ngjarjet e fundit në kufirin Kosovë-Serbi dhe në Malin e Zi, tregojnë se sa e brishtë mbetet paqja dhe stabiliteti në këtë rajon. Remineshencat e një të kaluare jo shumë të largët, të përziera me interesa gjeo-strategjike të fuqive jo-perëndimore, janë një fitil që mund të ndizet nga momenti në moment. Siç e dimë të gjithë, problemet e pazgjidhura shumë lehtë mund të kthehen në kriza. Kjo është arsyeja pse është jetike për BE-në që të përqëndrojë energjinë e saj drejt marrëveshjes përfundimtare të njohjes reciproke midis Kosovës dhe Serbisë.
Dhe për ta arritur këtë, njohja e Kosovës nga 5 Shtetet Anëtare të mbetura duhet së pari të përfundojë. Asnjë paralelizëm nuk mund të bëhet, asnjë argument nuk mund të justifikojë mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës, përderisa Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka certifikuar atë. Vetëm në këtë mënyrë, Ballkani Perëndimor do të hyjë në një epokë të re të bashkëpunimit dhe zhvillimit, e cila me siguri do të jetë një vlerë e shtuar për BE-në”, thuhet në fjalën e Bashës.
Lulzim Basha në samitin ku marrin pjesë drejtues politikë nga e gjithë Europa/ PPE publikon pamjet, momenti kur kreu i PD-së mbërrin takim
Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, po merr pjesë në samitin e PPE, që hapi punimet në orën 16.00 të ditës së sotme.
Faqja në Instagram e PPE (EPP), ka postuar foto në story të mbërritjes së liderëve të partive, mes të cilëve edhe të kryetarit Basha.
Në mëngjes Basha postoi në Facebook një videomesazh i cili do të përcillet në Samit.
Gjithashtu Basha do të ketë edhe një fjalim gjatë këtij evenimenti, ku marrin pjesë drejtuesit kryesorë politikë, krerë qeverish dhe presidentë nga e gjithë Europa.