Gjykata Kushtetuese vulosi sot 30 Qershorin duke legjitimuar zgjedhjet lokale të dy viteve më parë, të cilat opozita i bojkotoi dhe Presidenti nuk i njohu. Avokati Jordan Daci, që mbrojti padinë e Shoqatës së Bashkive në gjykatë në një intervistë për Abcnews.al thotë se me këtë vendim nuk humbi ai, por të gjithë shqiptarët, pasi sipas tij Kushtetuesja nuk u dha përgjigje shumë pyetjeve, pasi nesër mund të përsëritet i njëjti skenar. Daci shprehet se pret zbardhjen e vendimit për të parë nëse kemi të bëjmë me një rrëzim procedural, që “do të ishte më e rëndë”. Apo nëse kemi rrëzim se “mendojmë se nuk ekzistojnë shkaqe që do të ishte më e pranueshme nga pikëpamja doktrinare”. Avokati thekson se nëse do të kishim rrëzim se nuk ka pasur shumicë, “mesazhi është shumë i qartë. Këtu është falë ndikimit politik dhe po pres të shoh konfigurimin e votave se mund të kemi edhe një ide më të qartë” deklaroi ai.
Intervista e plotë për Abcnews.al me avokatin Jordan Daci
Si e komentoni vendimin e Gjykatës Kushtetuese?
Të shohim nëse është rrëzuar me votim 5 me 2 apo për shkak se nuk është arritur shumica.
Kjo nuk ndryshon gjë apo jo?
Kjo ndryshon shumë gjëra. Nëse nuk është arritur shumica, tregon shumë elementë që do i komentoj pasi ta shoh. Në logjikën time është kjo, bastin nuk e humba unë, por Shqipëria dhe shqiptarët. Për mua ka dy tre çështje të rëndësishme. Ishte një mundësi e mirë për të rikthyer besimin në parimet demokratike dhe që Shqipëria mund të bëhet. Gjykata Kushtetuese mund të kishte bërë zgjedhje pa fund. Dua të shoh nëse kemi një vendim që është rrëzuar, apo që për shkak se nuk është rrëzuar shumica është rrëzuar. Janë dy gjëra të ndryshme, që vijnë edhe për shkak të situatës që gjykata nuk është e plotë.
Por çështja u vulos?
Çështja është mbyllur. Kanë humbur shqiptarët dhe Shqipëria.
Edhe si precedent në të ardhmen?
Shqiptarët ta gëzojnë me të gjithë të mirat dhe të këqijat edhe për të ardhmen. Prandaj vendimet duhet të jenë largpamëse. Praktika dhe zakoni kushtetues kërkon kohë. Ne kishim tre mundësi; të jepnim mesazhin që institucionet ku zgjidhen mosmarrëveshjet është Kushtetuta dhe jo rruga. Kërkesa mund të rrëzohet ose me procedurë, që nuk do të merret fare me thelbin dhe ky është shërbimi më i keq që i bëhet vendit, pasi nesër mund të ndodhë sërish e njëjta gjë dhe palët do të kenë të gjitha të drejtat të pretendojnë të njëjtat gjëra, pasi gjykata nuk nxori qëndrim si kjo çështje duhet të jetë. Nesër prapë mund të dalë KQZ t’i thotë dekretit të Presidentit nuk të respektoj ose një president që mund të bëjë një gjë të ngjashme. Edhe nëse nuk do të fitonte kauza, do të fitonte kauza e madhe pasi Shqipëria do të kishte përgjigje për 20-30 çështje. Kishte mbi 25 çështje që duhet t’i shteronte edhe nëse do të rrëzonte kërkesën, por duke u dhënë përgjigje pretendimeve nëse mund të ketë nesër një skenar të ngjashëm. Gjykata kishte një mundësi të dytë, më ekstreme që të pranonte kërkesën sikur ishte duke shfuqizuar. Por gjykata nuk ka bërë as atë që ka thënë komisioni i Venecias. Venecia tha që është e qartë që interesi i qytetarëve nuk është mbrojtur dhe që duhet të ketë zgjedhje të reja. Mekanizmi është që ta urdhërojë Kushtetuesja, që të thotë se legjislacioni zgjedhor ka këto probleme. Çfarë do të ndodhë nesër nëse do të ketë sërish një kandidat, nëse do të ketë vetëm një emër? Këto të gjitha janë pa përgjigje sot. Gjykata Kushtetuese mund të zgjedhë që të bëjë edhe rolin e strucit, por të gjithë shqiptarët, ato zgjedhje nuk ishin në rregull dhe ky është një fakt i pamohueshëm.
Po tani çfarë ndodh?
Kur ky është një fakt i pamohueshëm kush e ka gabim, pala që thotë hajde ta diskutojmë se kemi një problem të madh dhe ti si gjykata i jep një zgjidhje apo pala që thotë nuk kishte asnjë problem dhe gjykata nuk duhet të japë zgjidhje. Unë mendoj se kjo pjesa e dytë është shumë gabim, që përfaqëson Shqipërinë e 30 viteve të fundit, ku drejtësia dhe politika, të gjithë kanë shkuar në djall. Unë pres, dua të shoh nëse kemi një rrëzim të kërkesës dhe nëse e kemi procedural, që do të ishte më e rëndë, nëse kemi rrëzim se mendojmë se nuk ekzistojnë shkaqe do të ishte më e pranueshme nga pikëpamja doktrinare, nëse do të kishim rrëzim se nuk ka pasur shumicë, mesazhi është shumë i qartë. Këtu është falë ndikimit politik dhe po pres të shoh konfigurimin e votave se mund të kemi edhe një ide më të qartë.
A do ta dërgoni çështjen në Strasburg?
Është një vendim që duhet ta marrë shoqata, nuk kam tagër përfaqësimi në Strasburg.