Një video ku tregohen tre persona të maskuar dhe të armatosur rëndë, teska futen në ambientet e një lokali në Lezhë, duke terrorizuar disa të rinj, mbetet ende e pazbardhur nga policia.
Sipas informacioneve të siguruara nga Gazeta SHQIP, ngjarja ka ndodhur në një lokal në rrugën e vjetër Lezhë-Milot, ndërsa policia nuk ka ende një reagim zyrtar.
Nga pamjet vërehet se këta 3 persona kanë kërcënuar katër persona të tjerë që ishin në një tavolinë.
Referuar pamjeve të kamerave të sigurisë, ngjarja ka ndodhur pas mesnatës së datës 13 nëntor.
Tre personat shihen me automatik në krah, ndërsa njëri prej tyre u afrohet të rinjve dhe u kërkon mjetet e identifikimit. Pasi shohin identitetin e tyre personat e maskuar dhe të armatosur dalin nga lokali dhe largohen.
Ajo çka duket nga pamjet hedh dyshimet se kemi të bëjmë me një grup vrasësish me pagesë që kanë dalë në kontroll të shënjestrës së tyre, sepse pasi kontrollojnë kartat e identitetin të rinjve largohen nga lokali, ndoshta për vijuar kontrollet në një tjetër ambient.
Policia ka shoqëruar 3 persona, për t’i marrë në pyetje lidhur me ngjarjen.