Deputeti i Partisë Demokratike Flamur Hoxha, i ftuar në ‘Pikat mbi i’ në ‘News24’, komentoi protestën e zhvilluar më 8 janar në selinë e PD-së.
Gjatë bisedës në studio anëtari i Kryesisë, gjithashtu theksoi se nëse do të kishte viktima në atë protestë, ndoshta ai do të kishte lënë mandatin.
Më tej ai u shpreh se 8 janari do të mbahet mend si një ditë e zezë në historinë e vendit.
‘Gjatë protestës u lënduan disa protestues dhe për këtë situatë nuk u ndjeva mirë. Ata persona që dhunuan selinë nuk kanë lidhje me PD-në. 8 janari do shihet si një ditë e zezë në historinë tonë. Vendimi non-grata nuk duhej të lidhej me partinë. Lufta politike në parlament u humb para dy vitesh nga një vendim i gabuar. Ne duhet të jemi larg interesave politike. Politika është një mision jo një interes personal’, tha ai.
Gjatë bisedës në studio ai tregoi momente nga protesta e dhunshme në selinë e PD.
Ai u shpreh se gazi lotsjellës u përdor nga jashtë. Të gjithë të pranishmit u munduan të ruanin gjakftohtësinë për të mos pasur konfrontime fizike.
‘Aty kishte deputete, vajza , zonja. Në momentet e mbledhjes kishte thyerja xhamash. Nëse do të kishin hyrë brenda mjafton të hapej dera kryesore. Ne ishim në mbledhje dhe pamë shkatërrimin katit të parë, u përpoqëm të ruanim gjakftohtësinë për tu ruajtur nga konfrontimi fizik. Nëse do të kishin hyrë brenda pasojat do të ishin besoj të rënda. Nga brenda mundohej të vendoseshin tavolina për të penguar hyrjen e njerëzve nga jashtë. Gazi lotsjellës u përdor nga jashtë. Nga brenda janë përdorur bombolat fikse. Ndërsa policia ka ndërhyrë me shumë vonesë’, tha ndër të tjera ai.
Ai gjithashtu theksoi se nuk ka parë asnjë person të armatosur në seli, duke hedhur poshtë në këtë mënyrë akuzat e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Hoxha tha se në selinë e PD-së nuk ka parë asnjë person të armatosur para dhe pas protestës së 8 janarit. “Pse u blinduan dyert? Po në një rast të kundërt, nëse dera kryesore nuk do ishte e blinduar, do kishim konfrontim njerëzisht. Nuk i njoh njerëzit që kanë precedentë penale. Ne u shpërndamë në strukturat e PD për të qëndruar pranë njëri-tjetrit. Jo nuk pash njerëz të armatosur. S’ka logjikë. S’kam parë asnjëherë. Pjesa e manipulimit është më e turpshme. Sipas gjykimit tim një demokrat nuk dhunon dhe nuk shkon të dhunojë një demokrat. Kundër një shqiptari jo e jo. Shumë anëtarë të Këshillit Kombëtar janë shoqëruar. U mbajtën 72 orë. Si do të përfundojë kjo histori? Politika duhet të ketë lëvizje elitash. Duhet të kuptojmë se deri në një fare mase do japim për politikën. Shqiptarët meritojnë një PD ndryshe. Ka ardhur koha që secili prej nesh të japë mundësi për njerëz që kanë aftësi dhe të mbledhin votat e demokratëve. PD duhet të hapë një epokë të re. E gjithë shoqëria shqiptare po ashtu. E kam quajtur gjithmonë institucion Berishën. Sot ndodhemi në një situatë të cilën po tërhiqen të gjithë se kush të marrë demokratë për vete. PD është kjo që është sot. Pjesa e grupit të rithemelimit të PD, ka vetëm një rrugë, ose ti bashkohet partisë, ose të krijojë një parti të re.”, tha Hoxha.