Nga Bujar Leskaj
Edhe pse paketa e plotë fiskale për projektbuxhetin e vitit 2023 nuk është publikuar, disa propozime kyçe të saj janë bërë publike, të tilla si dhjetëfishimi i gjobës ndaj bizneseve të mëdha(të rregjistruara si subjekte të tatimit mbi fitimin dhe TVSH), nëse ato për herë të dytë nuk lëshojnë faturë për mallrat dhe shërbimet që blejnë dhe shesin.
Gjoba për to shkon 1.500.000 lekë dhe përbën gjobën më të lartë fiskale që është parashikuar ndonjëherë për bizneset, në historinë e pas tranzicionit shqiptar. Ndërkohë që dyfishohet gjoba për mosdeklarim të punonjësve dhe nënpagim të tyre në listëpagesat.
Por çfarë nënkuptojnë këto gjoba të rritura? Rritja disa herë e gjobave tatimore për lloje të ndryshme kundravajtjesh tatimore përbën shqetësimin kryesor publik. Jemi në një kohë që paketa fiskale duhej të shërbente si një bazë diskutimesh dhe propozimesh, jo vetëm për gjobat dhe sanksionet, por për të ulur taksa si TVSH dhe akciza nga produkte tejet sensitive për nivelin e jetesës të mbi 627 mijë qytetarëve të llogaritur nga INSTAT, me të ardhura nën kufirin e varfërisë ose me të ardhura të pakta.
Paketa fiskale duhej të pasqyronte të gjithë kërkesave dhe nevojat e biznesit dhe individëve tatimpagues, lidhur me thjeshtimin e sistemit tatimor dhe eliminimin e ndërhyrjeve të shpeshta në ligjet tatimore, të cilat çorientojnë biznesin dhe rrisin stokun e kundravajtjeve dhe dhjetëra mijëra gjobave nga mosnjohja e ndryshimeve të reja fiskale prej operatorëve ekonomikë.
Sekti Rama trumbeton se gjobat e rritura me herë do të rrisin disiplinën fiskale dhe shmangin evazionin, mirëpo në kushtet e një sistemi tatimor të dobët dhe një patronazhi politik të fortë në të gjitha hallkat e strukturës fiskale, morali i një politike tatimore mbetet i shkëputur si instrument dhe kthehet në të kundërtën e tij.
Zgjedhjet vendore po afrohen dhe Rama kërkon të trembë bizneset e mëdha me gjobat e dhjetëfishuara, që këto t’i nënshtrohen kërkesave për të financuar fushatën e tij zgjedhore, ose ndryshe do të përballen me rrënim të aktivitetit, nga gjobat më të rënda të para ndonjëherë në periudhën e tranzicionit shqiptar.
Me paketën fiskale 2023, Rama u kërkon bizneseve të mëdha “të kolliten” dhe të “kolliten mirë”, për të përkrahur financiarisht kandidatët e sektit për kryetarë bashkish.
Veprimet e administratës me “sëpatën” e gjobave në dorë, gjoja në emër të forcimit të disiplinës fiskale dhe luftës ndaj evazionit fiskal, në të vërtetë minojnë gjoja “objektivat” që qeveria e sektit Rama i ka vendosur vetës për një sistem të thjeshtë, të ndershëm dhe efiçient fiskal. Gjobat tejet të larta jo vetëm që nuk mbështesin respektimin e parimeve të taksimit, por përcaktojnë sjelljen e tatimorëve drejt një orientimi të gabuar.
Sikurse e ka thënë me plot të drejtë studjuesi i njohur i teorive të taksimit Gary Becker, “Gjobat e larta në një administratë të dobët fiskale mund të japin efekt të kundërt. Nga njëra anë, ato rrezikojnë të rrisin dëshirën dhe oreksin për t’iu shmangur detyrimit fiskal nga subjektet tatimpaguese, nga ana tjetër rrezikojnë të pasurojnë me zor punonjësit e administratës tatimore në kontakt të drejtpërdrejtë me biznesin, për shkak të përpjekjeve të këtij të fundit, për t’iu shmangur me çdo mënyrë marrjes së gjobës së lartë, për shkak të kundravajtjes që ka kryer”.
Pikërisht këto dy gjëra do të ndodhin me rrebeshin e gjobave të larta të sektit Rama në paketën fiskale për vitin tjetër. Së pari, bizneset do të detyrohen të paguajnë më shumë financime të fshehta dhe të hapura për kandidatët për kryetarë bashkie të sektit. Së dyti, zarfat nën dorë të dhëna tatimorëve do të rriten shumëfish, ndoshta shumë më tepër se sa rritja e vetë gjobave.