Në 26 nëntor të vitit 2020, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural shpalli tenderin me objekt “Blerje karburant për përdorim nga fermerët në sektorin e bujqësisë”, me fond limit 7.9 miliard lek, si procedurë mbi kufirin e lartë monetar, me kohëzgjatje 12 mujore.
Në janar të vitit 2021 fitues i këtij tenderi shpallet bashkimi i operatorëve, Kastrati shpk dhe Kastrati Group. Nga dokumentat rezulton se në garë kanë marë pjesë 3 operatorë, nga të cilët njëri nuk ka si objekt të veprimtarisë tregëtare karburantet, dhe tjetri me ofertë 0 lekë. Ky fakt që vërehet rëndon në procedurat e tenderave, tregon paracaktimin e fituesit, i cili kujdeset të fus në garë sa për numër edhe ndonjë operator tjetër.
Në këtë tender fituese klasifikohet oferta e vetme, pra pa garë, me vlerë 7.9 miliard lekë, sa 100% e vlerës së fondit limit.
Për vitin 2022 janë zhvilluar tre tendera me objekt “Blerje karburant për skemën e rimbursimit të femerëve”dhe të tre janë fituar me 100% të vlerës së fondit limit, nga bashkimi i operatorëve Kastrati shpk dhe Kastrati Group sha.
Konkretisht;
Në shkurt të vitit 2022, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural shpalli tenderin me objekt “Blerje karburant për skemën e rimbursimit të femerëve”, me fond limit 7.9 miliard lek, si procedurë mbi kufirin e lartë monetar me kohëzgjatje 12 mujore.
Në 16.03.2022 kalsifikohet fituese shoqëria Kastrati shpk dhe Kastrati Group sha (si bashkim operatorësh) me 7.9 miliard lekë, sa 100% e vlerës së fondit limit dhe si operator i vetëm në garë, pra pa garë.
Në maj të vitit 2022, Ministria e Bujqësisë shpalli tenderin me objekt “Blerje karburant për skemën e rimbursimit të femerëve”, me fond limit 4.16 miliard lek, si procedurë mbi kufirin e lartë monetar me kohëzgjatje 12 mujore.
Në datën 13.06.2022 klasifikohet fituese shoqëria Kastrati shpk dhe Kastrati Group sha (si bashkim operatorësh) me 4.16 miliard lekë, sa 100% e vlerës së fondit limit dhe si operator i vetëm në garë, pra pa garë.
Në gusht të vitit 2022, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural shpalli tenderin me të njëjtin objekt dhe po me fond limit 4.16 miliard lek, si procedurë mbi kufirin e lartë monetar me kohëzgjatje 12 mujore.
Në datën 06.09.2022 shoqëria Kastrati shpk dhe Kastrati Group sha shpallet fituese me 4.16 miliard lekë, sa 100% e vlerës së fondit limit dhe si operator i vetëm në garë.
Pra, vetëm në vitin 2022, shoqërisë Kastrati i janë dhënë 16.22 miliard lekë nëpërmjet 3 tenderave pa garë dhe sa 100% e fondit limit, dhe në total nëpërmjet 4 tenderave pa garë dhe sa 100% e vlerës së fondit limit, Ministria e Bujqësisë i ka dhënë 24.12 miliard lekë po të njëjtit operator ekonomik.
Në asnjë nga katër tenderat e organizuar për blerjen e karburantit për skemën e rimbursimit të femerëve nuk është saktësuar në dokumentacion Bashkia të cilës do t`i akordohet karburanti për fermerët dhe sasia përkatëse.
Por qeveria, mendoi të investoj edhe për ngritjen e një sistemi shpërndarjeje për karburantin. Për këtë vuri në dispozicion edhe 1 miliardë lekë të tjera.
Në vitin 2021, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit shpalli tenderin me objekt “Sistemi për shpërndarjen dhe monitorimin e karburantit për fermerët për Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural”, me fond limit 970 milionë lekë.
Pra, në total janë shpenzuar mbi 25 miliardë lekë , ku përfituesit e vërtetë nga shteti, duket qartë që nuk janë fermerët.