Partizani rikthehet të fitojë derbin e kryeqytetit ndaj Tiranës pas tetë ndeshjesh. Goli i Xhuliano Skukës në minutën e katërt i dhuroi “Demave” triumfin 1-0 ndaj kampionëve në fuqi në një sfidë që prodhoi rivalitet në “Air Albania”, aty ku nuk mungoi protagonizmi i ultrasve me koreografitë e tyre.
Sulmuesi kryesor i Partizanit nisi shpejt festën e Partizanit me një diagonale të bukur, ndërkohë që shtylla i mohoi festën Tedi Carës dhe golin e qetësisë të kuqve në pjesën e dytë. Bardheblutë ushtruan presion, por goli i barazimit nuk erdhi.
Sfida u ndërpre për 12 minuta në fillimin e pjesës së dytë, me tifozët e Tiranës që lëshuan fishekzjarrë dhe flakadanë në një nga tribunat qendrore. Fitorja e sotme vijon të mbajë Partizanin në krye të Superiores, tashmë me 4 pikë më shumë se armiqtë e përjetshëm.
Në fund pati tension dhe përplasje mes lojtarëve në fushë, ndërkohë që tifozët shfrynë dufin duke thyer dhe hedhur në fushë shumë stola.