Nga Ardit Gjinali
Njëjtë si e djeshmja , e sotmja thërret sërish “Marsin”, muaj që po ndjen barrën epike të të quajturit si i tilli “muaj i Popujve”….në emër të popujve të Marsit janë artikuluar revolucione, ngritur tymnaja përçarëse retorike, brohoritur sharje plot pasion negativ e vargmaleve të akuzave që “visheshin” njëjtë si bora tek të tillët, por në ndryshim nga e bardha e borës, të tillat akuza ishin zezona në qëllim dhe mjet për të jetësuar uzurpimin e së nesërmes të së djeshmes.
“Marsi kalendarik” u shfaq sërish mëshirë-munguar mbi kohën njerëzore që largohet me shpejtësi për të na kujtuar që e djeshmja është njëjtë me të sotmen, e pandryshuar dhe vullnet-plotë negativisht për të vijuar pa-ndryshueshmërinë më shumë se mërzitëse që përpiqet të shndërrojë “shpresën për ndryshim” në një bashkim mekanik fjalësh të thërritur rrëmujshëm dhe të mjegulluar nga zhurmnaja që mbron të djeshmen në veprim politik pavarësisht thirrjeve për të nesërmen në retorikë politike, gjjthashtu.
“Kurthet politike të Marsit” shënojnë fillimin e të njëjtit politik, me paudhësi të njëjta që përshkojnë të njëjtat udhë dhe dëftejnë fabula me kontekst dhe tekst të njëjtë me të shkuarën politike jo aq të largët. Ky “Mars politik” nuk mund të vijojë shpërdorimin e vazhdueshëm të instiktit të qëndresës politike të demokratëve të zakonshëm të këtij vendi në funksion të agjendave me afat ripërtëritës dhe njëjtë përsëritëse ndaj përdorimit të keq të emocionit njerëzor, brengës shpirtërore dhe shpresës së ushqyer gënjeshtërt ndaj dhjetëra njerëzve.
Partia Demokratike ka nevojë për një projekt të ri politik kombëtar që tejkalon fitoret e vogla të disa njësive administrative, është një parti kombëtare dhe si e tillë duhet të veprojë politikisht. Ky projekt i ri politik kombëtar duhet të ngrihet në përputhje me interesin kombëtar dhe mund të jetë garancia më shumë se politike që do ta shndërronte Partinë Demokratike në një alternativë të vërtetë qeverisëse të së nesërmes, larg butaforisë, emocionalitetit, boshllëkut intelektual dhe përsëritjes politike së vazhdueshme, gjithashtu.
Partia Demokratike duhet të ngrihet sërish mbi një projekt politik kombëtar i bazuar në mendim të konsoliduar politik dhe veprim kah racionalitetit për të ndërtuar një koalicion besimi me flukse shoqërore që tejkalojnë siglat politike përkatëse.
Koha politike thërret për një PD politikisht moderne, larg dogmave dhe arkaizmit, aleancave politike jetë-shkurtra politik,me Integritet moral të munguar dhe politik të cunguar, gjithashtu. Zhvillimet dinamike të së ardhmes politike të afërt do të diktojnë pozitivisht një ndryshim thelbësor dhe PD duhet ti paraprijë këtij ndryshimi.
Nuk është koha që të kushtëzohemi nga kurthet politikë të secilit Mars kalendarik të jetësuar nga aktorë të ndryshëm politikë, por të fillojmë një rrugë të re politike të bazuar në vizionin e qartë euro-atlantik për një PD të rëndësishme sërish. Koha politike është tani !