Keisli Alia ka fituar shpejt simpatinë e ndjekësve. Me videot dhe fotot e saj, shpesh ka shërbyer si frymëzim në stil, por edhe në mënyrën e jetesës.
Keisli vjen në këtë intervistë për ‘Panorama’, ku zbulon edhe anën tjetër të asaj çfarë shohim në rrjetet e saj sociale. Angazhimi mes familjes dhe punës si juriste, duket se e ka gërshetuar më së miri me të qenurit një imazh edhe në rrjetet sociale.
Më tej, blogerja zbulon sesi funksionon nga brenda bota e famshme e rrjeteve sociale.
Keisli si influencer, si keni mbërritur deri këtu, përse e nisët këtë rrugëtim?
Nisi e gjitha si një pasion midis meje dhe aparatit tim fotografik. Isha vetëm 17 kur prindërit më dhuruan një aparat profesional e endesha rrugëve të Tiranës për të kapur veshjen perfekte në vendin perfekt.
Sot e shihni si pasion apo edhe si një punë?
Aktualisht e shoh si një full time job, e miksuar më shumë dashuri e pasion brenda.
Duket se është shtuar shumë numri i influencerëve në vendin tonë, sa e vështirë është të identifikoheni?
Mendoj se me shumë është shtuar numri i atyre që duan të identifikohen si influencer sesa i njerëzve autentikë që ndajnë eksperiencat e tyre, ndaj nuk besoj se është vështirë të identifikohesh sot për atë çka je.
Shpesh flasim për ‘Instagramin’ apo ‘Tik-Tok’ si një platformë me pagesa të mira, mund të na flisni më shumë për këtë, sa paguheni, si i zgjidhni bashkëpunimet?
Bashkëpunimet e mia janë kryesisht afatgjata, unë paraprakisht i testoj produktet ose shërbimet e pastaj zgjedh t’i ndaj me ndjekësit e mi. Nuk kam marketuar kurrë një produkt që s’do ta përdorja vetë pavarësisht ofertave monetare që mund të më ofronin. Pagesat janë të ndryshme ne varësi të platformës ku do postohet, mënyrës së marketuar dhe frekuencës së postimeve.
Sipas jush, çfarë ka më shumë në Shqipëri, blogere apo jurist?
(Qesh) Janë të 2 njësoj në numër, kemi po aq influencer sa kemi juriste, po unë të dy profesionet i dashuroj, juridikun e kam lënë pak në hije për vetë faktin se sistemi i drejtësisë në vend të lë për të dëshiruar e s’do doja kurrë të bëja një punë pa qejf.
Të qenurit një personazh i njohur në rrjetet sociale, ju ka ndihmuar apo penalizuar në punën tuaj?
Mendoj se më ka favorizuar deri diku, por në asnjë moment nuk më ka penalizuar.
Keisli si nënë, sa ju ka ndryshuar mëmësia?
Pafund, nuk e mendoja ndonjëherë që do lija veten pas për një krijese të vogël që do më bënte zbor. Po është ndjenja më e bukur që mund të përjetoj çdokush.
Si e koordinoni kohën mes kaq shumë angazhimeve?
Me pak drama me partnerin po ia dalim.
E keni projektuar të ardhmen, si do të donit ta shihnit veten?
Do të doja ta shihja veten në moshën 45 vjeç ‘retired’ nga të gjitha punët duke shijuar ndonjë ishull tropikal. /PanoramaPlus