Adriatik Spahiu do të jetë kandidati i Partisë Demokratike në Këlcyrë. Spahiu është pasardhës i një familjeje fisnike me tradita patriotike në zonën e Dëshnicës. Studimet e larta i ka kryer në degën e Gjeografisë, pranë Universitetit të Tiranës. Që në krye të herës, me ndryshimet demokratike në fillimvitet ’90, Spahiu është angazhuar pranë së djathtës. Ai ka mbajtur postin e kreut të Dhomës së Tregtisë në Përmet deri në vitin 2004, kur u largua drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Biznesmeni shqiptaro – amerikan jeton prej vitesh në Florida.
Spahiu është angazhuar edhe në Amerikë pranë “Vatrës”, duke mbajtur për dy mandate postin e nënkryetarit të kësaj organizate të rëndësishme në diasporë. Aktualisht është kreu i “Vatrës” për shtetin e Floridas, ku jeton me familjen dhe zhvillon edhe aktivitetin e tij të biznesit.
Spahiu është kthyer në Shqipëri për të dhënë kontributin e tij pranë Partisë Demokratike dhe ka pranuar propozimin për të qenë kandidat për vendoret e 14 majit në Bashkinë e Këlcyrës.