Nga Fatmir Guda (Anëtar i Këshillit Kombetar te PD)
Ndërkombëtarët i vënë përfundimisht vulën debatit se kush e gëzon për ta tagrin e kreut të PD dhe liderit të opozitës, duke i rihapur partisë së parë pluraliste në vend rrugën e partneritetit pas dy viteve tollovi e përplasjesh të forta në një luftë të pakompromis për tu shkëputur njëherë e mirë nga çdo praktikë korruptive apo reminishencë e së kaluarës komuniste.
Me votimin e sotëm unanim të Këshillit të Europës për të emëruar kryetarin e PD Z. Lulzim Basha si raporter për konfiskimin e aseteve ruse dhe përdorimin e tyre për riparimin e dëmeve të shkaktuara nga agresioni i Rusisë kundër Ukrainës, përtej vlerësimit që i bëhet Shqipërisë në aktualitetin e trazuar gjeopolitik, para së gjithash ky akt indirekt konfirmon dakortësinë e perëndimit me kursin e qartë politik që Partia Demokratike ka dëshmuar gjatë dhe pas proçesit të riorganizimit të saj. Kursi i cili është përcaktuar përfundimisht njëherë e mirë drejt rrugës së antarësimit të vendit në BE, bazuar në orjentimin euro-atlantik.
Madje siç bëhet me dije që një propozim i ngjashëm po diskutohet edhe në Kongresin Amerikan, pasi edhe Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen ka kërkuar që Rusia dhe oligarkët e saj duhet të kompensojnë Ukrainën për dëmin dhe të mbulojnë kostot për rindërtimin e vendit, e përcakton kryetarin e opozitës Z. Basha si partnerin e besueshëm të SHBA ndonëse i papërbaltur dashakeqësisht prej përrallisjeve me rubla ruse dhe e konfirmon atë zyrtarisht pas rizgjedhjes së tij në krye të PD më 29 Korrik.
Gjithsesi ajo që vlen të veçohet është se më shumë sesa vlerësim për Lulzim Bashën votimi i KE është vëmëndje e shtuar për Shqipërinë në rrugën e saj integruese për në familjen e përbashkët Europiane.
Tanimë PD nuk është më për partnerët tanë europianë një forcë politike non grata e izoluar. Dhe ky sigurisht është një lajm shumë i keq për qeverinë e Edi Ramës, e cila e kapur në skandale të njëpasnjëshme korruptive nuk gëzon më të njëjtën mbështetje si partner i besueshëm i Washingtonit.