KRYETARI I PARTISË DEMOKRATIKE LULZIM BASHA, TAKIM ME GUNTHER KRICHBAUM, ZËDHËNËS I ÇËSHTJEVE EUROPIANE I GRUPIT PARLAMENTAR CDU/CSU DHE ANËTAR I ASAMBLESË POLITIKE TË PPE
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha priti sot në selinë e kësaj partie z. Gunther Krichbaum, Zëdhënës i Çështjeve Europiane të Grupit Parlamentar CDU/CSU në Bundestag dhe anëtar i Asamblesë Politike të Partisë Popullore Europiane. Në takim morën pjesë edhe nënkryetarët dhe Sekretari i Përgjithshëm i PD-së.
Z. Basha i shprehu z. Krichbaum mirënjohjen e thellë për kontributin e tij të veçantë dhe të CDU-së në mbështetje të PD-së dhe rrugëtimit europian të Shqipërisë.
Partia Demokratike është thellësisht e pëkushtuar për të kontribuar në proceesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE si interesi më madhor i shqiptarëve.
Z. Basha theksoi se lufta kundër korrupsionit është prioritet kombëtar i Partisë Demokratike, jetik për ecjen përpara dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Shqipëria renditet ndër vendet më të korruptuara ne botë dhe kjo e bën edhe me emergjente luftën kundër këtij fenomeni. Partia Demokratike mbështet punën e institucioneve të drejtësisë dhe inkurajon SPAK të vijojë me vendosmëri përpjekjet për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe për të çuar para drejtësisë ata që kanë abuzuar më paratë dhe besimin e qytetarëve.
Z. Basha e njohu z. Krichbaum edhe me iniciativën për vetting-un e politikanëve, proçes i cili synon të pastrojë politikën duke bërë transparencë mbi ligjshmërinë e pasurisë dhe pastërtinë e figurës në raport me lidhjet me krimin e organizuar të politikanëve.
Një vend të veçantë në këtë takim zuri edhe reforma zgjedhore dhe domosdoshmëria për t’i dhënë fuqi votës së qytetarëve dhe garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Kryetari i PD e njohu me propozimet e Partisë Demokratike për listat 100% të hapuara, që qytetarët të zgjedhin vetë deputetin që do t’i përfaqësojë, votim dhe numërim elektronik, votën e diasporës dhe rritjen e masave ndëshkuese për përdorimin e administrates dhe fondeve publike për qëllime elektorale.
Duke u ndalur te zhvillimet në Partinë Demokratike, z. Basha theksoi se partia është në një proces riorganizimi të saj, ku shumë të rinj tashmë janë bërë pjesë e përgjegjësisë për të ndërtuar alternativën që presin dhe duan shqiptarët. Brenda marsit të vitit të ardhshëm, PD do të përzgjedhë ekipin e kandidatëve për deputetë dhe do të nisë diskutimet publike mbi programin e saj, me propozime dhe objektiva që do ta ndryshojnë Shqipërinë dhe përshpejtojnë futjen e saj në BE.