Me një vendim të datës 27 dhjetor të firmosur nga gjyqtarja e Posaçme Rudina Palloj, është ushtruar kontroll në shtëpinë e Ilir Beqaj, ish ministër Shëndetësie, si dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë në Agjencinë Shtetërore të Programin Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, e njohur si SASPAK.
SPAK kontroll në shtëpinë e Ilir Beqajt, shoferit, 5 bashkëpunëtorëve dhe disa organizatave…
Kontrollet janë urdhëruar pas dyshimeve të forta për abuzime me fondet e huaja, ku në përgjime janë kapur disa nga bashkëpunëtorët e tij, çka ka çuar SPAK deri në vendimin për të ushtruar kontroll në banesat e tyre, ku janë marrë dokumente, kompjuterë, si dhe celularët e tyre për të zbërthyer komunikimet mes palëve. Burime të besuara për News24 dhe BalkanWeb thanë po ashtu se janë bastisur dhe zyrat e disa organizatave që kanë përfituar fonde nga SASPAK.
Burimet konfirmojnë se bashkëpunëtorët e Beqajt, janë mbajtur nën përgjim dhe vëzhgim kohët e fundit, sikurse dhe vetë ish-ministri i cili u largua nga drejtimi i agjencisë SASPAK, pasi gjykata caktoi masën e sigurisë për të detyrim për paraqitje dhe ndalim për të dalë jashtë vendit, nën dyshimet për shpërdorimin detyre në lidhje me koncesionin 100 mln eurosh të sterilizimit.
Hetimi i ri, i çelur nga SPAK, është duke u zhvilluar për korrupsion, abuzime me tenderat dhe lidhje të Beqajt me kompaninë farmaceutike “Delta Pharma”, si dhe favorizim të saj gjatë kohës që ishte ministër shëndetësie.