Nga Ervis Iljazaj
Sigurisht shumica e opinionit publik shqiptar mezi ka pritur që Sekretari Blinken të bënte ndonjë koment për situatën politike të brendshme në Shqipëri. Duke ditur ndikimin që ShBA ka në Shqipëri, edhe për punët e brendshme tona, do të përbente një ushqim për mediat dhe politikën këtu. Por Sekretari i Shtetit Amerikan ka shmangur çdo deklaratë dhe çdo indicie e cila mund të interpretohej apo keqinterpretohej nga aktorët vendas.
Sigurisht që në vizitën e tij në Tiranë, e përjashtuara e madhe nga takimet me të ka qenë opozita. Pyetjes se përse nuk ka bërë asnjë takim me krerët e opozitës, Blinken u përgjigj shkurt dhe në mënyrë diplomatike.
Disa prej sekretarëve të shtetit amerikan të cilët kanë vizituar më parë Shqipërinë kanë zhvilluar takime me përfaqësues të opozitës, disa të tjerë jo. Kjo varet nga konteksti dhe qëllimi i vizitës. Vizita e Blinken në Shqipëri ishte një vizitë tërësisht gjeopolitike. Dhe prandaj ka qenë një vizitë shtetërore dhe jo me aktorë të tjerë.
Momenti gjeopolitik që po kalon Ballkani është një moment i rëndësishëm dhe fakti që zgjodhi Shqipërinë është një shenjë se, shqiptarët janë aleati i tyre kryesor në këtë rajon.
Gjithashtu, është një shenjë kortezie për Shqipërinë për të gjitha politikat që ajo ka ndërmarrë në kuadër të politikave të NATO-s apo aksioneve të tjera me interes për politikën e jashtme të ShBA.
Për ta kuptuar qëllimin e vizitës së tij mjafton të shikojmë mesazhin e drejtuar Ambasadës Amerikane në Shqipëri të cilën e falënderon për punën e bërë, për projektet e përbashkëta ushtarake, për reformën në drejtësi dhe mirëpritjen e afganëve.
Që të treja përbëjnë politikën e jashtme amerikane dhe investimet e tyre të drejtë për drejta. Baza e NATO-s në Kuçovë, mbështetja ndaj SPAK. Kaq mesazhe donte të jepte, dhe kaq dha. Dhe shumica e pyetjeve që iu drejtua Sekretarit Amerikan ishin pikërisht për gjeopolitikën.
Megjithatë, fakti që nuk takoi asnjë përfaqësues të opozitës, edhe pse vizita ishte tërësisht gjeopolitike, mbetet për tu diskutuar. Dhe kjo përbënte interesin kryesor të opinionit publik në Shqipëri. Kjo mungesë, duhet të bëjë të reflektojë thellë opozitën shqiptare.
Ndoshta asnjëra nga opozitat e sotshme në Shqipëri nuk plotëson kushtet për të takuar një personalitet kaq të rëndësishëm botëror siç është Sekretari i Shtetit Amerikan. Që të konsiderohesh aleat i amerikanëve dhe të meritosh takime në nivele të tilla duhet të plotësosh dy kushte. E para, duhet të jesh një opozitë euroatlantike dhe në raport me ShBA dhe Perëndimin, duke qenë se Shqipëria bënë pjesë në proceset integruese në BE dhe anëtare e NATO-s. Dhe e dyta, të jesh një opozitë e rëndësishme nga pikëpamja e përfaqësimit elektoral për sa i përket numrave. Të dyja opozitat kryesore sot në Shqipëri, ose më saktë ato brenda të djathtës nuk i plotësojnë këto dy kushte. Ose më saktë, kanë vetëm njërin prej tyre.
Ajo e Lulzim Bashës, për momentin nuk është opozita kryesore për sa u përket numrave, por nuk është e padëshiruar për Perëndimin dhe ShBA. Ka vokacionin perëndimor, por nuk është më e rëndësishmja nga ana e përfaqësimit.
Ndërsa ajo e Berishës, është një opozitë në konflikt me Perëndimin dhe në izolim të plotë, duke qenë se është i shpallur non-grata nga ShBA dhe Britania e Madhe. Antony Blinken nuk mund të takojë një opozitë me liderin e të cilit është në gjyq ndërkombëtar. Mirëpo, opozita e Berishës sot konsiderohet opozita kryesore. Luftën brenda së djathtës për momentin e ka fituar Berisha duke qenë se sot ka shumicën e saj. Amerikanë janë koherent me qëndrimet e tyre. Ata e kanë bërë të qartë se nuk bashkëpunojnë me asnjë forcë politike nëse lideri i tyre është non-grata. Demokratët zgjodhën në shumicën e tyre Berishën, tashmë duhet të mbajnë pasojat. Pasoja kryesore, izolimi i plotë ndërkombëtar i forcës së tyre politike.
Në këtë kuptim, kur një nga opozita shqiptare të plotësojë të dyja kushtet, atëherë po, mund të konsiderohet e denjë për takime të niveleve të tilla. Deri atëherë, e gjithë mbështetja amerikane do të shkojë në favor të Edi Ramës, për fatin e keq të Shqipërisë.