Kryetari i Lëvizjes së Re, Arian Galdini është kërcënuar me jetë nëpërmjet mesazheve të dhunshme të shpërndara nëpër rrjetet sociale.
I ftuar në emisionin “Studio Live” me gazerarin Arbër Hitaj në Report Tv, Galdini i konsideroi thirrje të tilla si ‘minë me sahat’ për shoqërinë tonë.
Duke dhënë detaje, Galdini zbuloi se në faqet ku janë bërë thirrje për ta vrarë, shpërndaheshin postime ku inkurajonin qytetarët të merrnin pjesë në protestën e nesërme të Rithemelimit.
“Disa faqe në rrjetet sociale të inkurajuara politikisht, inkurajonin ndjekësit e opozitës për të marrë pjesë në protestën e nesërme të Rithemelimit. Këto faqe anonime përveç thirrjeve të vazhdueshme për pjesëmarrje në protestë kanë publikuar disa video të natyrës amplifikuese, duke e nisur me akuza duke thënë se unë jam trafikant droge, mashtrues etj etj”– u shpreh Galdini.
Ai shtoi se thirrjet të tilla të dhunshme janë parë nga qindra mijëra njerëz nëpër rrjete sociale.
“Në fund fare është përbyllyr me thirrje publike që kush më sheh në rrugë të më vrasë dhe të më asgjësojë. Kam pritur solidaritet. Imagjinoni pak, thirrje publike nga profile masive që shihen nga qindra mijëra njerëz”– shtoi kreu i Lëvizjes së Re.
Sipas Galdinit, shkak për kërcënime të tilla mund të jetë bërë një deklaratë e tij para disa ditëve ku shprehej se në demokraci, nuk janë partitë politike ato që organizojnë protesta por vetë qytetarët.
“Jam shprehur publikisht para disa ditëve, se nuk besoj që në demokraci partitë politike duhet të organizojnë protesta, por këtë gjë duhet ta bëjnë vetë grupet e interesit, shoqëria civile e qytetarët. Partia politike ka detyrë të përgatisë platformat më të mira”- tha Galdini duke shprehur se nuk kishte pasur mjaftueshëm solidaritet ndaj tij për këtë çështje.
Denoncimi i bërë nga Arian Galdini, tashmë po ndiqet nga policia e shtetit për të vënë para përgjegjësisë persona që fshihen pas profileve të tilla nëpër rrjetet sociale.