Izraeli dhe Libani kanë pranuar një marrëveshje armëpushimi për t’i dhënë fund luftimeve, sipas presidentit amerikan Joe Biden.
“Kam lajme të mira nga Lindja e Mesme. Kam folur me kryeministrat e Izraelit dhe të Libanit dhe qeveritë e tyre kanë pranuar propozimin e SHBA-së që t’i japin fund konfliktit. Falënderojë presidentin e Francës, Emmanuel Macron, që ndihmojë në arritjen e kësaj marrëveshje”, ka thënë presidenti i SHBA-së, Biden.
Ai ka thënë se marrëveshja do të hyjë në fuqi në ora 04:00 të së mërkurës me kohë lokale, e luftimet ndërkufitare do të ndalen. Ai ka thënë se s’do të lejohet që Hezbollahu të rigrupohet.
“Të jemi të qartë, Izraeli nuk e nisi këtë luftë, as populli libanez nuk e kërkoi atë luftë, as Shtetet e Bashkuara”, ka thënë ai.
Që nga fillimi i luftës, më shumë se 70,000 izraelitë janë detyruar të jetojnë si refugjatë, ka thënë Biden.
“Ky ka qenë konflikti më vdekjeprurës mes Izraelit dhe Hezbollahut në dekada”, është shprehur ai.
Ai ka thënë se do të punojë për të arritur marrëveshje armëpushimi edhe në Gaza.
“Populli i Gazës e meriton një fund të luftimeve dhe vendosjeve. Njerëzit në Gaza kanë kaluar nëpër ferr dhe kanë vuajtur shumë”, ka thënë Biden.
Ai ka thënë se Hamasi ka vetëm një zgjedhje.
“Rrugëdalja e vetme është të lirohen pengjet të marra në Izrael vitin e kaluar, dhe t’i japin fund luftimeve, që do të lejonin hyrjen e ndihmës”, tha Biden.
Biden ka thënë se SHBA-ja do t’i vazhdojë përpjekjet për arritjen e armëpushimit në Gazan.
Po ashtu ka thënë se SHBA-ja është e përgatitur për të bërë “marrëveshje historike” për krijimin e një shteti palestinez dhe për normalizimin e marrëdhënieve mes Arabisë Saudite dhe Izraelit.
“Besoj se kjo agjendë mbetet e mundur”, tha Biden.
Ai ka thënë se vendimi i marrë nga udhëheqësit e Izraelit dhe Libanit për ta pranuar armëpushimin e propozuar nga SHBA-ja, dëshmon se “paqja është e mundur”.