BallinaTe tjeraHasan Prishtina, të pathënat e mungesës në shpalljen e Pavarësisë në Vlorë!...

Hasan Prishtina, të pathënat e mungesës në shpalljen e Pavarësisë në Vlorë! Misteret rreth mikut të Ismail Qemalit

spot_img
spot_img

MAKSIM BORIÇI/ Ajo çfarë ka ndodhur me Hasan Prishtinën, mikun e ngushtë të Ismail Qemalit, Isa Boletinit dhe Luigj Gurakuqit ditën e shpalljes së Pavarësisë më 28 nëntor 1912, për shumë kohë ka qënë e mbuluar me intriga e mistere të pafundme.

Mungesa e tij në ceremoninë madhështore në Vlorë, nuk u sqarua asnjëherë e plotë nga historiografia e regjimit komunist në Shqipëri. Sakaq, edhe studimet e albanologëve shqiptarë nga Kosova, nuk e zbardhën asnjëherë të plotë historinë e mungesës së Prishtinës në festën e madhe për të cilën kishte ivestuar si rrallëkush prej vitesh. Kjo mungesë e pafalshme në zbulimin e së vërtetës bëri që trupi i tij të prehej në Greqi deri në vitin 1977. Ca më keq kur akademitët shqiptarë këtej dhe matanë kufirit shtetëror e dokumentonin shpesh në punimet e tyre figurën e Hasan Prishtinës si figurë të një reaksionari dhe tradhëtari të atdheut.

Të tillë e kishte koleksionuar në arkivat e veta dhe monarkia, për të cilën atdhetari nga Kosova mbetej një i dyshuar që “nuk kishte punuar asnjë ditë për çështjen kombëtare”. Po në fakt, cila është e vërteta e kësaj qasje ndaj kësaj figure të jashtëzakonshme, pse regjimi komunist nuk u interesua asnjëherë ta zbardhte të plotë kontributin e tij të shquar dhe si e trajtonte shtypi i kohës, ai vendas dhe i huaj mungesën e Hasan Prishtinës në ceremoninë e celebrimit të pavarsisë në 28 nëntor në Vlorë…

E VËRTETA E MUNGESËS SË MADHE DHE INTRIGAT E QARQEVE ANTISHQIPTARE

E vërteta e mungesës së Hasan Prishtinës në ceremoninë e shpalljes së pavarsisë në Vlorë prej vitesh e për arsye nga më të ndryshmet, u mbajt e fshehur, madje u mbulua dhe me mistere nga më të çuditshmet. Studiuesi Kudusi Lame, së fundi, ka hedhur dritë në arsyet e vërteta që e penguan Hasan Prishtinën të jetë i pranishëm në Vlorë më 28 nëntor 1912. Ja çfarë shkuan ai: “Hasan Prishtina – burri më i madh i kohës së tij, vizionari, atdhetari, luftëtari, komandanti Suprem i Kryengritjes së Përgjithshme për Pavarësinë e Shqipërisë, u pengua forcërisht të ishte në Vlorë atë ditë të madhe. Nuk di për çfarë interesash, nuk di nga kush e me urdhër të kujt, atë ditë, kur bashkëveprimtari i tij, Ismail Qemali me bashkëveprimtarë të tjerë, ngritën Flamurin e Kombit në Vlorë, më 28 nëntor 1912, do ta vendosnin Hasan Prishtinën në foltoren e parlamentit osman në Stamboll, duke mbajtur fjalim për perandorinë.

Dhe për këtë, prej vitit 1933, kur u vra pabesisht nga një shqiptar në Selanik. Deri në vitin 1963, Hasan Prishtina do të ishte një tradhtar dhe armik i popullit e kombit shqiptar. Kur në fakt, Hasan Prishtina më 28 nëntor 1912, së bashku me Idriz Seferin, Bajram Currin e të tjerë, ishte i burgosur në Burgun e Beogradit, nuk dihet me urdhër të kujt e për interesat e kujt, veç i burgosur arbitrarisht, sepse nuk duhet të ishte në rrjedhat e veprimtarisë historike të kombit të tij. Dhe u deshën 30 vjet për ta sqaruar këtë të vërtetë, thjesht se fjalimin në parlamentin osman Hasan Prishtina e kishte mbajtur në 28 nëntor të vitit 1911 e jo më 28 nëntor të vitit 1912. E vogël kjo ngatërresë, por dikujt i vlejti, për ta lënë Hasan Prishtinën jashtë rrjedhës së krijimit të pavarësisë së Shqipërisë dhe 30 vjet në armiqësi me kombin e tij që i shërbeu si askush tjetër”.

NGA REAKSIONAR, NË FIGURË E SHQUAR E ÇËSHTJES KOMBËTARE

Kur Hasan Prishtina mbahej forcërisht në burg në Beograd, mediat antishqiptare vinin në dukje se ai ishte duke mbajtur një fjalim në paralamentin turk. Një fjalim ky që as më pak dhe as më shumë ishte kumtuar një vit më parë. Ngatërresa e qëllimtë në këtë rast përpalte figurën e shquar të atdhetarit që kishte investuar për vite me radhë në krahtë të Ismail Qemalit, Isa Boletinit e Luigj Gurakuqit për pavarsinë e Shqipërisë. Vrasja në rrethana misterioze në vitin 1933 në Selanik, e bëri edhe më të mistershme historinë e pjesëmarrjes së tij në ditën e ngritjes së Flamurit Kombëtar në Vlorë. E ndërsa monarkia nuk ishte e interesuar ta zbardhte të vërtetën për arsye që dihen e që lidheshin kryesisht me armiqësinë e hershme të Prishtinës me mbretin Zog, ndodhi kështu dhe me regjimin komunist që nuk u kuptua asnjëherë pse mbeti në kurthin e lajmeve të rrema se Hasan Prishtina ditën e pavarësisë kishte qenë duke mbajtur fjalim në paralamentin turk.

Deri në vitin ’60, Hasan Prishtina do të mbetej një figurë “non grata” për historiografinë komuniste të Tiranës. Në fillim të viteve ’60, falë këmbënguljes të një grupi studiuesish nga Kosova, do të bëhej rehabilitimi i tij dhe cilësimi “Reaksionar”, “Armik i Popullit”, tashmë do të bëhej “Figurë e shquar e çështjes kombëtare”. Ky rivlersim i vonuar do të sillte ndërkohë dhe përkujdesjen për të sjellë nga Selaniku eshtrat e Hasan Prishtinës dhe vendosjen e tyre në Kukës në vitin 1977.

KOTRIBUTI I AKADEMIK ALEKS BUDËS NË REHABILITIMIN E HASAN PRISHTINËS

Të parët që kanë kërkuar rehabilitimin e figurës së Hasan Prishtinës, kanë qënë studiuesit kosovarë. Një grup i tyre i ka drejtuar Komitetit Qëndror të Partisë kërkesë konfidenciale për të riparë figurën e patriotit dhe atdhetarit të shquar Hasan Prishtina. Me porosi të Enver Hoxhës, kreut të regjimtit, kërkesa e tyre me përkujdesjen e veçantë të instruktorëve të KQ për çështjen e Kosovës, është adresuar tek Akademia e Shkencave. Kreu i kësaj të fundit, Aleks Buda, është marrë vet drejtpërdrejt me hulumtimin e çështjes. Takimi me studiuesit kosovarë që kishin nënshkruar kërkesën në adresë të Komitetit Qëndror, ka qënë hapi i parë i procesit të nisur.

Pastaj, puna ka vijuar me Istitutin e Historisë dhe Akademinë e Albanologjisë së Kosovës. Pas shumë bisedave, konsultave e ballafaqimeve me dokumente autentike e shënime të kohës, është proceduar me vendimin për ta rehabilituar figurën e Hasan Prishtinës. Njëri nga studiuesit kosovarë që ka nisur tërë procesin, Gani Demiri, është shprehur se kjo ka qënë një punë shumë e vështirë, po falë kontributit të veçantë të profesor Aleks Budës, i cili nuk u lodh asnjëherë për t’i shkuar problmeve deri në fund, u realizua një mision fisnik, duke u zbardhur përfundimisht figura e shquar e Hasan Prishtinës.

HASAN PRISHTINA, BIOGRAFIA ZYRTARE

Hasan Prishtina, patriot e demokrat revolucionar i shquar që luftoi për lirinë dhe pavarësinë e Atdheut, për demokratizimin e jetës së vëndit, për çlirimin e Kosovës nga zgjedha serbomadhe dhe bashkimin e saj me shtetin shqiptar. Lindi në Vuçiternë në një familje patriote. Studimet e larta i kreu në Stamboll për shkencat politiko-juridike. Në vitet 1908-1912, u zgjodh tri herë në parlamentin osman, të cilin e përdori si tribunë për mbrojtjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve. Në fillim të vitit 1912, së bashku me Ismail Qemalin ishte ndër nismëtarët për organizimin e Kryengritjes së Përgjithshme të Armatosur në Shqipëri ku u shqua si udhëheqësi kryesor. Në vitin 1912, u ngarkua me detyrën e ministrit në qeverinë kombëtare të Vlorës.

Me themelimin e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” u zgjodh antar i tij, ndërsa në dhjetor të vitit 1919, Komiteti e ngarkoi si kryetar të delegacionit të tij në Konferencën e Paqes në Paris, ku do të kërkonte bashkimin me shtetin kombëtar shqiptar të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi. Mori pjesë aktive në organizimin e Kongresit të Lushnjes në vitin 1920 dhe në prill të vitit 1921, u zgjodh deputet i Dibrës në parlamentin shqiptar. Në dhjetor të vitit 1921, kryesoi një ndër qeveritë më demokratike të vendit. Hasan Prishtina ishte një nga drejtuesit dhe organizatorët kryesorë të lëvizjes antizogiste të shkurt-marsit 1922. Gjatë viteve 1922-1923, u shqua si kundërshtar i vendosur i reaksionit të brendshëm.

Shquhet si luftëtar për mbrojtjen e “Zonës neutrale” të Junikut nga forcat serbe dhe ato zogiste, si udhëheqës i lëvizjes nacionalçlirimtare dhe i çetave kryengritëse në Kosovë kundër sundimit serb. Hasan Prishtina mori pjesë aktive në përgatitjen e Revolucionit demokratikoborgjez të Qershorit të vitit 1924 dhe luftoi për vënien në jetë të programit të qeverisë demokratike të dalë nga ky revolucion. Në shtator të vitit 1924, në krye të një delegacioni në emër të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, shkoi në “Lidhjen e Kombeve” në Gjenevë ku protestoi kundër barbarizmave mbi popullsinë shqiptare të qarqeve shoviniste serbe në Kosovë. Pas dështimit të revolucionit të 1924-ës, u largua jashtë Atdheut.

Gjatë tërë kohës në mërgim (1925-1933), qëndroi në krahun më të përparuar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. E vazhdoi luftën kundër regjimeve diktatoriale e monarko-fashiste, kundër tiranisë zogiste në Shqipëri dhe zgjedhës serbomadhe në Kosovë. Nën drejtimin e tij, u themelua “Komiteti i Çlirimit të Kosovës”, i cili veproi jashtë vendit krahas Komitetit të Çlirimit Nacional. Hasan Prishtina, luftën nacionale në Kosovë u përpoq ta bashkrendojë me luftën e popujve të shtypur ballkanikë. Disa herë u bë nismëtarë i bashkëpunimit me përfaqësuesit dhe organizatat nacionalçlirimtare të Maqedonisë, të Bosnjës, të Kroacisë e të tjerë që vuanin nën zgjedhën e regjimeve shoviniste të huaja.

Hasan Prishtina kërkonte respektimin e të drejtave kombëtare të të gjithë popujve ballkanikë gjë që do të arriej sipas tij, me krijimin e shteteve kombëtare në bazë të parimit të vetëvendosjes, duke përjashtuar çdo formë të hegjemonizmit ndaj tjetrit. Katër herë armiqtë organizuan atentate me armë. Dy herë e burgosën pushtuesit serbë dhe bullgarë. Gjashtë herë e dënuan me vdekje: xhonturqit, feudali e vegla e Serbisë, Esat Toptani, qarqet shoviniste serbomadhe dhe tri herë qeveria e Ahmet Zogut. Më 14 gusht 1933, u vra me atentat nga agjentët e Ahmet Zogut në bashkëpunim me qeverinë jugosllave. Hasan Prishtina ka lënë një varg artikujsh, si dhe kujtimet e tij për kryengritjen antiosmane të 1912-s që kanë vlerë për historinë e lëvizjes sonë kombëtare e demokratike. Në vitin 1977, eshtrat e tij u sollën nga Selaniku në Shqipëri.

Gazeta greke “Fos”: Shqiptari që vrau shqiptarin në Selanik

Kur arritën në kryqëzimin e rrugës “Vogaciku”, Ibrahimi nxorri me shpejtësi revolverin sistem “Smith” dhe shkrepi dy herë kundër Hasanit, tue e shtrirë këtë pa frymë në tokë.

Me gjithë këtë, guximtari u ul mbi trupin e shtrirë dhe zbrazi mbi kryet e të plagosurit edhe tre pushka të tjera të revolverit për të përfunduar krejtësisht qëllimin. Pas këtyre, guximtari vrapoi për t’u larguar nga rruga “Vagaciku”, aty nga Mitropolia, nga shkaku që të shpëtonte prej popullit, i cili u grumbullua shpejt. Turma filloi të gërthiste dhe ta ndiqte dhe kjo skenë duket se turbulloi Ibrahimin, i cili i shushatur u rrëzua mbi vitrinën e një dyqani atje afër dhe të cilën e theu, por shpejt fitoi fuqinë dhe vrapoi nga “Rruga e Mitropolisë”. Por, populli e ndiqte nga pas dhe ky atëherë u fut në shtëpinë e doktor Dukidhit, ku pastaj e zuri një polic.

Ky e vuri në një motoçikletë dhe e shpuri në qendrën e Policisë, ndërsa Hasan Prishtina, sillej në spitalin bashkiak, ku doktorët vërtetuan vdekjen. Vrasësi i ish-kryeministrit shqiptar, quhet Ibrahim Hysen Çelo, edhe është në moshën 37 vjeç, nënshtetas shqiptar, mjaft intelektual, flet frëngjisht dhe italisht pa gabim dhe turqisht në gjuhën amtare. I sjellshëm në mënyrat, i veshur bukur, bën përshtypjen se është një njeri që nuk është lindur për vrasës.

Në Greqi erdhi prej Nicës së Francës më 9 maj 1933, edhe pse nuk u paraqit të rregullohet sipas ligjit për të huajt, u dënua me një gjobë prej 230 dhrami. I vrari, Prishtina Hasan Ahmet, edhe ky shqiptar, i ardhur dikur si nënshetas austriak, ka qenë ministër i Punëve të Brendëshme dhe i Punëve Botore në Shqipëri dhe për një kohë të gjatë kryeministër i Shqipërisë në regjimin e Fan Nolit. U tha konkretisht prej qarqeve shqiptare të këtushme, se ky qe nënkryetar i fanolistëve dhe përfaqësonte në Ballkan, Turqi dhe Evropën e mesme Fan Nolin, i cili ndodhet në Rusi tue drejtuar propagandën kundër Mbretit Zog. Vrasja e Hasan Prishtinës, është një mister i madh për arsyen pse autoritetet mbajnë një fshehtësi të madhe.

Por, me gjithë këtë, prej lajmeve që kemi mbledhun, kuptohet se gjatë shumë ditëve, shikoheshin që të dy bashkë e sidomos në hotelin “Astorja” ku banonte i vrari. Bashkëfjalimet e tyre dukeshin miqësore edhe për të njohurit e tyre përshpëritesh se “diçka përgatitnin”, e cila plasi në vrasjen e djeshme. Nga sa kemi mundur të informohemi prej burimeve të ndryshme që mundin ta dijnë më mirë se si qëndrojnë punët, Hasan Prishtina qe një tip i njeriut të shqetësuar, që mundohej me çdo sakrificë të organiozojë organizata, gjë që i ka kushtuar kurdoherë ekspulsive, nga gjithë shtetet e Ballkanit ku banonte.

Gazeta tjetër greke “Të reja nga Maqedonia”, duke folur për atentatin, shkuan: Vrasja u krye në orën 2 pasdite më datë 13 gusht 1933. Në rrugën “Çimisqi” u pa një zotëri i moshuar, i mbajtur mirë dhe me tipare simpatike, të ecte përkrah e të fjaloste me një person të veshur mirë, i gjallë, sa e tradhtonte dhe toni i zërit. Arritën në kryqëzimin e rrugës “Çimisqi-Vogaxhiku” dhe po drejtoheshin për te “bakallhane IVI” dhe në largësi dy hapa nga kinkaleria e invalidit J. Janopullo. Njeriu me pamje të zymtë nxorri rrufeshëm revolverin e markes “SMITH” dhe shtiu kundrejt bashkëbiseduesit, i cili ishte Hasan bej Prishtina, që ra në trotuar. Kalimtarët e mbledhur nga të dy të shtënat, panë vrasësin të turret me mizori të parrëfyer mbi viktimën dhe t’i zbrazë edhe tre plumba të tjerë, dy në kraharor dhe të tretën në kokë, si e shtënë vdekjeprurëse, për të qenë i sigurtë për përfundimin e aktit të vrasjes.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular