E ëndërronim si ‘çadër’ kombëtare që do e mbrojë mbarë shqiptarinë, e Shqipëria u bë vend ku vjedhësi i 50 eurove shkon në burg, e ai i 50 milion eurove bëhet mik i kryeministrit dhe burrështetas.
Ne dëshironim një Shqipëri me të cilën do krenoheshim dhe që do i mbronte vlerat tona kombëtare si edhe ato të shtetit ligjorë, e Shqipëria u bo vend që mbron vetëm brekushet dhe prapanicën cullak të piktorit Kryeministër dhe e cila shkon drejtë NATO-s e BE-së duke mos parë se s’ka kë të çojë atje, se e tërë rinia i është shpërndarë nëpër botë dhe se, është bërë vend ku ngjarje kulturore janë dasmat e ‘VIP-ave’, e ditë festive ato kur mbahen mitingjet partiake, ku votuesit u duartrokasin politikanëve që para syve i gënjejnë dhe e plaçkitin popullin.
Pra ne donim një Shqipëri që do jetë strumbullarë, rreth të cilit do bashkoheshin gjitha vlerat dhe forcat tona kombëtare, e ajo u bë përbashkuese e hajdutëve dhe kriminelëve politikë mbarëshqiptarë, me çka në botën shqiptare, çdo gjë mbeti e copëzuar, përpos krimit dhe nëntokës politike.
Ne donim një Shqipëri të fortë, me shqiptarë të kënaqur në të, e jo një ‘Rilindje’ të fortë me politikanë milionerë që na mësuan si mbrohet partia dhe pushtetarët, por jo edhe atdheu, që vendin e bënë pronë të veten, duke i kthyer shqiptarët atje ku ishin në kohën e mbretit: popull të cilin, o e dëbojnë nga vendlindja, o ai vetë e braktisë atë, popull të cilit, o ia grabisin tokën e detin, o pushtetarët e tij i shesin dhe i dhurojnë ato, vetëm për të mbetur në pushtet.
Donim një Shqipëri që do ishte lokomotivë e kulturës, artit dhe ekonomisë kombëtarë, e ajo u bë vend ku policia e ‘mbron’ teatrin nga aktorët dhe ku rrënohet mbëmendja e popullit, me qëllim që kalendari i vlerave tona artistike të nisë nga dita kur në pushtet erdhi qeveria e ‘Rilindjes’ dhe të fillojë me shkarravinat e piktorit të dështuar.
Ne shqiptarët jashtë mëmëdheut besuam se do kemi një Shqipëri që do na bëjë të krenohemi me të, e ajo u bë vend që rrezikon të mbetet pa shqiptarë, sepse nga rreth dy milionë emigrantë shqiptarë sa e kanë braktisur vendin, 390 mijë prej tyre kanë marrë shtetësi të huaj.
Dhe sa e dhimbshme është ta pranosh, se nga e gjithë ajo që ëndërronim e shpresonim se do bëhet Shqipëria jonë, neve shqiptarëve jashtë mëmëdheu ajo na dhuroi vetëm dëshpërim, zhgënjim…dhe turpin.
Gjithsesi, ne shqiptarët jashtë mëmëdheut, jo se Shqipërinë e duam më shumë se vëllezërit tanë që jetojnë në të, por nuk duhet harruar se ajo u bë shtet sepse ishte ëndërr dhe vullnet mbarëshqiptarë, andaj edhe kemi të drejtë të themi: duhet mbrojtur Shqipërinë nga destruktiviteti politikë sepse, jo vetëm për shtetasit e saj, por edhe për ne jashtë mëmëdheut, për shumëçka, ajo është më e shtrenjta që kemi. Dhe shqiptarët e atjeshëm, mbrojtjen e saj nga politikanët kriminelë, nuk ia kanë borxh vetëm vetvetes, por edhe neve ëndërrimtarëve që mbase ‘mbrapshtë’ kemi ëndërruar.
Siç kemi të drejtë t’i themi piktorit të ‘Rilindjes’: kthejua Shqipërinë shqiptarëve e teatrin aktorëve! Edhe pse e dimë se të kërkosh një gjë të tillë nga Kryeministri i sotëm i Shqipërisë, është njësoj si të kërkosh ndërgjegje nga ai që nuk ka turp dhe i cili, gjitha vlerësimet dhe kritikat ndaj tij, i komenton me thënien se karvani do të shkojë përpara, sado të lehin qentë dhe që, vetveten e ndjen si kalorës, popullin si deve e kritikët e tij si qenë, ai që assesi ta kuptojë se nuk quhet karvan tufa e hienave, që e gllabëron popullin.