Nacionalisti serb Milorad Dodik u dënua me një vit burg. Ai akuzohet për shkelje të urdhrave ndërkombëtare dhe veprimtari separatiste.
Një gjykatë në Bosnje dhe Hercegovinë e dënoi liderin serb të Bosnjës, Milorad Dodik, me një vit burg për shkak të veprimeve të tij separatiste dhe mosrespektimit të urdhrave të përfaqësuesit ndërkombëtar, Christian Schmidt.
Përveç kësaj gjykata në Sarajevë e urdhëroi Dodik që të japë dorëheqjen nga posti i tij si president. Nëse vendimi merr formë të prerë, ai gjithashtu nuk do të lejohet të mbajë asnjë detyrë politike për gjashtë vitet e ardhshme.
Politikani pro-rus Dodik synon shkëputjen e Republika Srpska, nga Bosnja dhe bashkimin e saj me Serbinë, gjë që ka rritur frikën për një konflikt të ri në rajon, të ngjashëm me luftën e viteve 1992-1995.
Retorikë provokuese
Pas shpalljes së vendimit, Dodiku i cili nuk ishte i pranishëm në gjykatë, deklaroi se nuk do ta apelojë vendimin e gjykatës. Në vend të kësaj ai planifikon të miratojë në Republika Srpska ligje që do t’u ndalojnë institucioneve qendrore ligjore të Bosnjë dhe Hercegovinës, si gjykata shtetërore dhe policia shtetërore, që të veprojnë në territorin e Republika Srpska.
Bashkimi Evropian bëri thirrje për përmbajtje dhe për t’i dhënë fund retorikës provokuese.
Struktura komplekse e Bosnjës, e krijuar nga marrëveshja e paqes e Dejtonit për t’i dhënë fund luftës së viteve 1992-1995, është e ndarë në dy rajone: Republika Srpska e dominuar nga serbët dhe Federata Boshnjako-Kroate, secila me strukturat e veta qeverisëse.
Prokurorët kishin kërkuar një dënim prej pesë vjetëve burg për Dodikun, për mosrespektimin e urdhrave të përfaqësuesit ndërkombëtar, i cili mbikëqyr zbatimin e marrëveshjeve të paqes që i dha fund luftës së përgjakshme të viteve 1990 në Bosnje./DW