Zv.kryeministrja dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi punimet për riparimin dhe fuqizimin e nënstacionit “Tirana 1”, në zonën e “Zogut të Zi”, i cili pritet të përfundojë në maj të këtij viti.
Projekti i rikonstruksionit ka nisur në maj të 2024 dhe aktualisht kanë përfunduar 95% e punimeve, por nënstacioni nuk e ka ndërprerë në asnjë moment furnizimin me energji elektrike për 25 mijë banorë të kësaj zone.
“Në këtë nënstacion, të ndërtuar 75 vite më parë, është duke u zëvendësuar e gjithë teknologjia, duke rritur kapacitetin nga 33 mega në 100 mega. Në të gjithë vendin aktualisht janë në riparim disa nënstacione dhe po ndërtohen disa të tjera të reja”, u shpreh ministrja e Energjisë Belinda Balluku.
Administratori i OSSH, Blendian Dalipi, përmendi disa nga investime ku po punohet aktualisht, sic janë punimet për rikonstruksionin e NST Lezhës, Velipojës. Po ashtu, ka përfunduar nënstacioni i Pogradecit, edhe aty është kaluar nga operimi 10 kV, në 20 kV.
“Po riparohet nënstacioni i Kuçovës, ndër më të rëndësishmit të zonës së Jugut.
Prej gati një viti ka nisur ndërtimi i një nënstacioni të ri në Fier i cili shërben për të gjithë qarkun e Fierit, Lushnjës dhe pjesës tjetër të Jugut si një një garanci për furnizimin e gjithë kësaj zone” tha administratori i OSSH, Blendian Dalipi.
Administratori Dalipi theksoi se OSSH ka planifikuar dhe ndërtimin e nënstacioni të ri në Piqeras, si siguri për të gjithë bregun, si dhe do të riparohet nënstacioni i Xarës që i shërben Ksamilit, si përgjigje ndaj zhvillimeve urbane në atë zonë.
Tjetër nënstacion i cili po riparohet, tha Dalipi, është ai i Akërnisë, që i shërben rajonit të Vlorës, por do të shërbejë edhe si siguri për aeroportin e ri të Vlorës.
“Njëkohësisht po punohet për fuqizimin e nënstacionit të Skraparit, i cili deri dje ka operuar në pothuajse 100% të kapaciteteve të tij. Kemi futur në fuqizim dhe riparim linjën Kafaraj-Fier dhe nënstacionin e ri të Kafarajt”, deklaroi Dalipi.
Sa i takon nivelit të humbjeve teknike në rrjetin elektrik, në fund të vitit 2024 ato zbritën në 17% duke shënuar një shifër rekord, ndërsa objektivi është të arrihet niveli 16%.
“Të gjitha nënstacionet që po fuqizohen, riparohen apo ndërtohen të reja, kontribuojnë pa dyshim në rritjen e cilësisë së ofrimit të shërbimit të shpërndarjes së energjisë, por nga ana tjetër mbështesin qëllimin për uljen e humbjeve teknike, pasi ulja e humbjeve teknike është edhe kursim parash, të cilat shkojnë më pas në uljen e çmimit, siç kemi bërë edhe duke nisur nga 1 shkurti”, deklaroi ministrja Balluku.