Një ditë më parë qarkulluan shumë lajme e komente për deklaratën e miratuar nga grupet parlamentare të koalicionit të madh qeverisës në Gjermani në lidhje me çeljen e negociatave.
Për shkak se deklarata përmbante shumë pika, pati disa momente që nuk dolën shumë në dritë. Një prej tyre e evidentoi kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi. Ajo tha se Shqipëria po rrezikon të kthehet në faktor destabiliteti në rajon. Sipas saj, kjo është hera e parë në 30 vite që Shqipëria kritikohet në këtë drejtim.
Por çfarë thuhet në dokumentin gjerman?
‘Deklaratat politike dhe përpjekjet për bashkimin e popullatës shqiptare në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni nën Shqipërinë e Madhe mund të çojnë në konflikte të paparashikueshme në Ballkanin Perëndimor.
Ato duhet të ndalen menjëherë sepse këto përpjekje do të ishin të papajtueshme me anëtarësimin në BE dhe do të çonin në ndërprerjen e negociatave të anëtarësimit’.
Nëse ka pasur një fushë ku Shqipëria ka marrë gjithmonë vlerësime nga BE dhe SHBA, ajo ka qenë tek roli paqtues në rajon. Shqipëria është vlerësuar gjithmonë si faktor stabiliteti.
Por pas komenteve të kryeministrit Edi Rama për bashkimin e popullatës shqiptare dhe pozicionimit të tij në krah të tezës për ndarjen e Kosovës, Berlini ka reaguar i alarmuar.
Ndërkohë në dokumentin gjerman, Bundestagu i bën thirrje qeverisë që ‘të sigurojë që Shqipëria të përmbushë plotësisht kriteret politike dhe ekonomike në rast anëtarësimi’ duke nënizuar se ‘përmbushja e rreptë e kritereve të Kopenhagenit mbetet parakusht për anëtarësimin. Nuk duhet të ketë anëtarësim automatik, për shembull duke përmendur një datë pranimi përpara përfundimit të negociatave’.
‘Qeveria duhet të sigurojë, që kuadri i negociatave të ndërtohet në mënyrë të tillë që të sigurohet një vazhdim konsekuent i kursit të reformës dhe mbi të gjitha zbatimi i reformave të miratuara nga Shqipëria. Nëse pas hapjes së negociatave të pranimit, Shqipëria vonon, pezullon ose tërheq përmbushjen e detyrimeve, atëherë negociatat e pranimit duhet të ndalojnë dhe në rast dyshimi, të ndërpriten. Hapja dhe mbyllja e kapitujve individualë të negociatave duhet të varen nga kritere të qarta,’ thuhet në dokument.