Avokati Spartak Ngjela e ka konsideruar qeverinë e Edi Ramës më të dobëtën e të gjitha kohërave në 100 vitet e fundit.
I ftuar në intervistën e mbrëmjes në RTV Ora, Ngjela tha se moszgjidhja e çështjes së tërmetit tregon se në qeveri nuk ka profesionistë.
Spartak Ngjela: “Kjo është qeveria më e dobët e të gjitha kohërave në 100 vjet në Shqipëri. Qeveria më aproprofesionale dhe i ra në kokë një gjendje e rëndë e tërmetit të cilën nuk e zgjidh dot, nuk ka profesionistë. Kush e ka zgjedhur ti kërkojë llogari.”
Avokati shtoi se mungesa e parave të emergjencës duhet të çonte kryeministrin në akuzë.
Ndërsa shprehu besimin se me ardhjen e SPAK, gjërat do të rregullohen.
Spartak Ngjela: “Gjendja është shumë rëndë, njerëzit janë në çadra, qeveria nuk kishte para emergjence, mungesa e parave të emergjencës në çdo ve të botës fut kryeministrin në akuzë, patjetër.
Këtu nuk çan njeri kokën fare. Pse? Sepse nuk ka qenë SPAK deri tani, shyqyr që doli SPAK ti vëmë frerë këtyre sepse ky tërmet, është vepër e korrupsionit shqiptar dhe mafias së ndërtimit. Nuk do të kishte asnjë vdekje, dëme mund të kishte por vdekje jo.”
Beti Njuma: Do mbizotërojë mafia e betonit apo drejtësia?
Spartak Ngjela: “Drejtësinë nuk e ndalojmë dot sepse është situata ku po vendoset drejtësia në Shqipëri. Nuk e ndalojnë dot. Është vrasje e cilësuar që do shkojë në gjykatë. Çfarë do vendosë gjykata nuk e di. Por mendoj se do të dënohen të tërë. Sepse ka krijuar impresion, lëndim psikologjik dhe shpirtëror të familjeve shqiptare. Këta po bëjnë lojë që të shpëtojnë, menduan se mund të bënin trazirë por nuk e bëjnë sot. Donin të zhduknin gjurmët por nuk e bënë dot.”