Nga Sali Berisha
Vrasja e avokatit Gurra me të drejtë ka tronditur thellë avokatinë e vendit dhe opinionin publik të qytetit të Elbasanit, ku ai kishte një reputacion të mirë dhe më gjërë.
Kam ndjekur me keqardhje dhe trishtim të thellë këtë krim të rëndë të radhës të narkoshtetit.
Me këtë rast i shpreh familjes Gurra ngushëllimet e mia të ndjera dhe Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë, solidaritetin tim njerëzor.
Të dhënat e deritanishme flasin se kemi të bëjmë me një vrasje shtetërore tipike për narkoshtetin.
Avokati Gurra, penalist i njohur mbronte disa nga bandat më të rrezikshme të partisë së krimit, kurse në Elbasan ai ishte avokat i palës kundërshtare të bandës që është një me pushtetin.
Kështu që në të dy rastet duket se ai për shkak të detyrës mësoi edhe sekrete të shtetit të mafies, lidhjeve të qeveritarëve me drogën, vrasjet, trafiqet dhe për qeveritarë që ishin peng i lidhjeve të tyre me krimin.
PRANDAJ DHE SHKAKU I EKZEKUTIMIT TË TIJ MAFIOZ SHTETËROR QËNDRON ME SA DUKET PARA SE GJITHA TE SEKRETET QË AI MËSOI PËR SHKAK TË PROFESIONIT, TË CILAT NUK RREZIKONIN BANDITËT DHE VRASËSIT ORDINERË, POR SHEFAT E TYRE NË PUSHTET DHE QEVERI.
Me këtë shpjegohet dhe heshtja totale e qeveritarëve të të gjitha niveleve për këtë krim të shëmtuar.
Ata heshtin sepse duket se ndjehen të lehtësuar.
Avokati, për shkak të detyrës, mësoi ato që kurrë nuk duhej t’i dinte për bajlozët e narkoshtetit.
Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe vrasjen shtetërore mafioze për shkak të detyrës të avokatit Gurra, shtoj se shkaku i vërtetë i këtij krimi të shëmtuar fshihet thellë në arkivat e zeza të narkoshtetit të Edvinit.