Paralajmërimit të presidentit iranian, Ali Khamenei, ndaj muxhahedinëve të strehuar në Tiranë dhe Durrës si një hakmarrje ndaj Shqipërisë, pasi goditën me 35 raketa bazat amerikane në Irak, i është përgjigjur sot kryeministri Rama nga OSBE.
Kryeministri Rama gjatë fjalës së mbajtur të tij si drejtues i OSBE, ka reaguar dhe për deklaratën e diktatorit iranian Ali Khamenei, i cili përmendi dje një ‘vend djallëzor në Europë që ka bërë komplot me SHBA kundër Iranit’, duke nënkuptuar Shqipërinë.
Kryeministri Rama theksoi se Shqipëria ka marrë një risk me strehimin e opozitës iraniane në Tiranë, por paralajmëroi dhe sulmoi presidentin iranian se çdo sulm ndaj Shqipërisë do jetë sulm ndaj NATO-s. Edhe në konferencën e shtypit të Edi Ramës me Thomas Greminger, sekretar i përgjithshëm të OSBE, kryeministri shqiptar theksoi se goditja ndaj Shqipërisë prej Iranit mbetet sulm ndaj NATO-s.
Ndërkohë në Tiranë dhe Durrës janë në gadishmeri të lartë strukturat e antiterrorit dhe ato ushtarake. Zonat përreth vendit ku strehohen mijërat e muxhahedinëve iranian janë nën masa të rrepta sigurie. Po kështu mësohet se survejohen edhe qendrat e mëdha tregtare.
Ndërkohë ka folur për news24 Bezat Safari, një nga drejtuesit e muxhahedinëve në Tiranë. Ai ka thënë se regjimi iranian njeh vetëm gjuhën e forcës dhe se shtoi që lideri i Iranit njihet si babai i terrorizmit ndërkombëtar.
Ndërkohë Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka thënë të mërkurën se Shqipëria nuk është një vend djallëzor, por një vend demokratik që ka vuajtur nga një diktaturë djallëzore e pashembullt, ndaj të drejtat e njeriut i ka të shenjta.