Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë, të martën, se Federica Mogherini është duke e zhvilluar një proces të fshehtë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai e as kabineti i tij nuk kanë dhënë detaje më shumë.
Informatën e ka ndarë në një konferencë shtypi pas mbledhjes së Qeverisë, kur i është kërkuar një qëndrim përkitazi me kërkesën e Mogherinit për ta hequr taksën ndaj importeve serbe, si parakusht për rifillimin e dialogut.
Kreu i ekzekutivit ka thënë se dialogu veç është duke u zhvilluar.
“Mogherini e ka vazhduar një dialog si gjysmë të fshehtë. Ajo veç është mirë me e nxjerrë në dritë atë dialog. Pra, mos me e mbajtë fshehtë”, ka thënë kryeministri Haradinaj. “Le ta nxjerrë në tavolinë dhe le të vazhdojë dialogu si i ka hije”.
Meqë kryeministri nuk ka folur më gjatë për këtë, gazeta ka kërkuar më shumë informacione nga këshilltarja e tij për media, Donjeta Gashi. Por, ajo nuk iu ka dhënë përgjigje pyetjeve që kërkonin informacione për kohën kur Haradinaj është vënë në dijeni për këtë dialog të fshehtë dhe për aktorët mes të cilëve është zhvilluar dialogu; për autoritetet që e kanë përfaqësuar Kosovën në këtë proces; dhe për atë nëse kryeministri pajtohet me një dialog të këtillë.