Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo komentoi sot rreth çështjes së gruas së lindur në Amerikë që iu bashkua grupit terrorist Shteti Islamik, duke thënë se se asaj nuk duhet t’i lejohet kthimi nga Siria për në Shtetet e Bashkuara. Sekretari Pompeo saktësoi se gruaja në fjalë nuk është shtetase amerikane, pasi në kohën e lindjes babai i saj ka qenë diplomat i Jemenit i akredituar në Shtetet e Bashkuara.
Presidenti Donald Trump tha se pati urdhëruar Sekretarin e Shtetit të mos lejonte hyrjen në vend të Hoda Muthanas, megjithëse avokati i saj informoi se ajo është e gatshme të përballet me prokurorinë amerikane për faktin se ajo shkoi me dëshirë në Siri dhe se shfrytëzoi mediat sociale për të lavdëruar vrasjet e perëndimorëve.
Sekretari Pompeo i tha kanalit NBC se “ajo vërtet mund të ketë lindur këtu”, por se “ajo nuk është shtetase amerikane dhe as nuk e ka të drejtën të kërkojë shtetësinë amerikane”.
Sekretari Pompeo tha se gruaja 24-vjeçare, e cila sapo lindi një fëmijë me bashkëshortin e saj të tretë xhihadist, nuk është shtetase amerikane për shkak të statusit diplomatik që ka patur babai i saj.
Por, avokati i saj u ka thënë mediave amerikane se babai i saj e pati përfunduar shërbimin diplomatik “muaj të tërë”, përpara se ajo të lindte në shtetin amerikan Nju Xhersi, në vitin 1994, duke e bërë atë kështu shtetase amerikane.