Vegla e shumëpritur e Facebookut, Clear History, e dedikuar për fshirjen e informacioneve nga përdoruesit të cilat ky rrjet social i mbledh përmes aplikacioneve të palëve të treta ose faqeve të internetit, më në fund do të paraqitet këtë vit.
Arritjen e veglës Clear History e konfirmoi shefi i financave të kompanisë Facebook, David Wehner, në një konferencë të mbajtur në SHBA.
Vegla Clear History u premtua qysh në maj të vitit të kaluar përpara Konferencës së Zhvilluesve F8 të Facebookut dhe në atë kohë u bë ide me të cilën do të duhej të kthehej besimi i humbur i përdoruesve. Themeluesi dhe drejtori i Facebookut, Mark Zuckerberg tha se kjo vegël punon në mënyrë të ngjashme si opsioni për fshirjen e historisë në browser dhe se është një hap përpara në përpjekjet e kompanisë së tij për ta korrigjuar imazhin pas skandaleve në rastin “Cambridge Analytica”, shkruan KOHA Ditore. Facebooku e mbledh një sasi të madhe të informacioneve në lidhje me atë që përdoruesit e bëjnë në rrjetin social, por edhe jashtë tij, kështu që vegla si Clear History do ta kishte një ndikim të rëndësishëm në mundësinë e Facebookut që t’i drejtojë reklamat dhe të mbledhë të ardhura nëse përdoruesit i heqin informacionet në lidhje me aktivitetet e tyre online. Facebooku thuhet se po planifikon që në pranverë ta fillojë testimin e veglës në fjalë.