BallinaAktualitetJashtë spektaklit/30 gra letër të pazakontë Ramës për 8 marsin

Jashtë spektaklit/30 gra letër të pazakontë Ramës për 8 marsin

spot_img
spot_img

Sot më 8 mars, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, kryeministri Edi Rama ka marrë një letër krejt të pazakontë.

30 gra përmbaruese të Dhomës Kombëtare i kanë shkruar një letër shefit të qeverisë ku e vënë në dijeni për sfidat, vështirësitë por edhe padrejtësitë e mëdha që hasin në profesionin e tyre.

LETRA E PLOTË:

Në vend të Urimit të Kryeministrit të Shqipërisë I dashur Kryeministër,

Si çdo vit, në këtë ditë dhe ka shumë vite që na uron… me gjetjet, publikimet dhe surprizat e bukura për 8 Mars. Por sot për ne është ndryshe.

Jemi Ne, ato që do të urojmë. Jeni Ju, ai që do të pranoni këtë letër – urim! Jemi ne – si gra, motra, nëna apo shoqe të dikujt në këtë ditë të 8 Marsit.

Jeni ju – si bashkëshort, bir dhe Kryeministër që do të uroni “Ditën e Gruas” më shumë se të tjerë ndoshta, sot.

Ne jemi ato që ju nuk i njihni Kryeministër. Nuk i keni takuar asnjëherë. Nuk i keni dëgjuar po kaq herë. Ndoshta, vetëm dini se ato, d.m.th. ne – ekzistojmë.

Nuk jemi shumë, vetëm 30 përmbaruese të Dhomës Kombëtare.

I dashur Kryeministër, Urojmë që kjo letër të lexohet dhe kuptohet nga Ju.

Ky do të ishte dhe urimi më i bukur, i munguar për kaq vite! Tani që mësuat se kush jemi, duhet t’ju tregojmë dhe arsyen e këtij urimi.

Ajo gjendet brenda përpjekjeve dhe lodhjes së përditshme, problemeve dhe pamundësive që na krijohen, padrejtësive që hasim në ushtrimin e detyrës sonë.

Profesioni ynë është përmbarimi. Ekzekutimi i vendimeve gjyqësore dhe zbatimi i drejtësisë së dhënë. Urojmë që të kuptoni, sa e vështirë është të ekzekutosh një vendim gjykate në Shqipëri. Veçanërisht po të jesh përmbaruese femër.

Urojmë që ta kuptoni se, përmbaruesja duhet të zbatojë një vendim gjykate dhe kjo nuk mund të ndalohet. Nuk duhet të pengohet! Nuk mund të mos ekzekutohet! Duhet me çdo kusht nga gjithkush të respektohet! Por kjo është kaq shpesh dhe në shumë raste krejt e pamundur në vendin tonë.

Veçanërisht, kur përballë vendimit të gjykatës është shteti. Eksluzivisht, kur përballë përmbarueses del pushteti.

Dhe kur përballë vendimit të saj qaset m’andej një individ që sheh dhe dëgjon se si vendimi gjyqësor edhe mund të refuzohet, vonohet apo anashkalohet.

Atëherë kjo bëhet pamundësia jonë. Padrejtësia e profesionit tonë. Bëhet një barrë shumë e rëndë në ngarkesën tonë të përditshme.

Si gra, si nëna, si femra të këtij profesioni. Përmbaruesja duhet të zbatojë vendime ndaj institucioneve shtetërore – dhe nuk i realizon dot! Përmbaruesja duhet të zbatojë vendime edhe ndaj Këshillit të Ministrave që ju drejtoni – dhe nuk e bën dot!

Përmbaruesja has çdo ditë vështirësitë e profesionit si nënë, si grua, si femër – dhe këto i duron me sukses! I dashur Kryeministër, Ndoshta në këtë ditë të guximit femëror duhet të flasim edhe në emër të gjinisë mashkullore të profesionit tonë. Të atyre që bashkë me ne meritonin shumë më tepër vëmendje se sa realisht ju u keni dhënë këto vite, që si Kryeministër uroni. Ju besojmë e dini që në 4 vitet e fundit ne si përmbaruese vetëm “luftojmë” me ministrat e kabinetit tuaj qeveritar nëpër gjykata. Dy palë gjyqe në 4 vite qeveri dhe përmbarim bashkë. E vetmja marrëdhënie me anëtarët e qeverisë suaj ka qenë salla e Gjykatës Administrative të Apelit.

Së fundmi, njëri ministër syresh që ju e larguat, u përlesh me përmbaruesit si tigër i vërtetë për tarifat e përmbarimit, derisa iku me nderin e atij që çoi porosinë e bankave në vend.

E dimë fort mirë që, nuk kemi forcën bankare për t’ju bindur, por të paktën lexoni në këtë urim diçka për anën tjetër të historisë sonë. Mund të bënim pjesë të tij edhe ministren tuaj, që nuk pati kohë të na dëgjojë asnjëherë. Por ajo ashtu si ne, sot ka 8 Mars.

E vërteta është krejt tjetër z. Kryeministër: Bankat vendosin në këtë vend. Ministrat ekzekutojnë vendimin e tyre. Përmbaruesit refuzojnë zbatimin e këtyre vendimeve. Padi në gjykatë. Gjykata gjykon me frikën, kush është më i rrezikshëm, pushteti sot apo drejtësia që po vjen… Ne besojmë se sovraniteti i ligjit do të vendoset dikur. Ne besojmë se ekzekutimi i vendimeve gjyqësore do të bëhet nga përmbaruesit dhe përmbarueset kurajoze dhe dinjitoze të Shqipërisë. Pasi një të tillë do të donit edhe Ju, nëse një ditë do të vini të ekzekutoni vendimin Tuaj ndaj një kundërshtari që e mposhtët në gjykatë dhe do t’ju duhet njëra prej nesh.

I dashur Kryeministër, Kuvendi i shumë burrave të Shqipërisë po përpunon prej muajsh një nismë tuajën për të ndryshuar ligjin e përmbarimit. Nismë e pakuptimtë! E panevojshme! Draft qesharak! Gjithsesi, asnjëra prej nesh nuk u pyet. Nuk u dëgjua. Nuk u kërkua. Madje, asnjë prej përmbaruesve që na përfaqësojnë (për hir të së vërtetës ata janë të gjithë burra) nuk u lejua që t’i afrohet projektligjit në fazën disamujore të përgatitjes së tij.

Dy burra të Komisionit të Ligjeve e penguan me stoicizëm praninë tonë. Kontributin tonë femëror – përmbarimor nuk e deshën. Qëllimi i tyre burrëror është të drejtojnë një Komision që përjashton gratë përmbaruese kontribuuese. Të propozojnë dhe relatojnë mbi një ligj që as nuk e kuptojnë dhe as janë informuar kurrë mbi të. Para tre ditësh këta burra na e dërguan për mendim projektligjin e tyre dhe “mendimi” ynë kërkohet brenda datës 15 mars.

Por, i dashur Kryeministër seanca parlamentare për miratimin e ligjit zhvillohet në 13 mars. Sikur të uronit në 6 mars, askush nga mësuesit apo gratë e këtij vendi nuk do ju merrte as Ju seriozisht. Kjo nuk është shaka. Kjo është qasja “burrërore” ndaj nesh e Kuvendit të Shqipërisë, apo komisionit të burrave. Ne shpresojmë që dikush ndër burrat do të kthejë arsyen diku pranë ndërgjegjes dhe nuk do e shkatërrojë përfundimisht këtë profesion.

Bashkë me të dhe mundin tonë të shumë viteve sakrifica në terrenin e vështirë të përmbarimit. Shpresojmë dhe për Ju, që ta kuptoni këtë. Ta ndaloni këtë! Urojmë që më në fund të kthehet vëmendja ndaj një profesioni që anatemohet prej shumë vitesh. Urojmë të respektohet vullneti ynë. Të drejtat tona! Por edhe sikur jo…!

Kjo ditë e shënuar për gratë dhe nënat kudo në botë, tash’ e 109 vite më parë, na frymëzon dhe tregon se në asnjë rast, nuk duhet të ligështohemi. Nuk duhet të nënshtrohemi! Dhe nuk duhet t’u nënshtrohemi padrejtësive që do të hasim në të gjitha rrugët e jetës. Ndaj, i dashur Kryeministër, ju dërgojmë sot në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, këtë letër me urimin tonë të veçantë dhe miqësor: Asnjë protestë nuk brohoret më tepër se sa një grua që uron në 8 Mars!

 

 

 

 

 

 

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular