Ivanov nuk i dekreton ligjet me emrin Maqedonia e Veriut

0
275

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Gjorge Ivanov, refuzoi të dekretojë 11 ligje që janë miratuar me emrin Republika e Maqedonisë së Veriut.

Siç bënë të ditur shërbimet e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, bëhet fjalë për ligje në sfera të ndryshme në ekonomi, marrëveshje për bashkëpunim mes shteteve, marrëveshje për shërbimet e sigurisë, për shërbime në armatë, ligjin për komunikime elektronike, për qasje të lirë në informacionet e karakterit publik e të tjera.

Ivanov, ligjet nuk i dekretoi me arsyetimin se “gjatë ushtrimit të funksionit, gjithmonë ka vepruar në bazë të betimit të dhënë se do të mbrojë kushtetutën dhe interesat e Republikës së Maqedonisë”.

Kuvendi bëri të ditur se kreu i shtetit nuk i ka dekretuar as ligjet që ishin miratuar me dy të tretat e votave, që kryesisht kanë të bëjë me reformat në gjyqësor, e që konsiderohen si kyçe për procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.

Ligjet janë miratuar pas 11 janarit, kur edhe ishin miratuar ndryshimet kushtetuese për ndryshimin e emrit të Maqedonisë në Republika e Maqedonisë së Veriut.

Ivanov e ka kundërshtuar Marrëveshjen për Emrin me Greqinë, të arritur më 17 qershor, 2018, duke thënë se ajo nuk është në interesa të shtetit.

Ai edhe më parë ka refuzuar të dekretojë ligje, si atë për përdorimin e gjuhëve dhe ratifikimin e Marrëveshjes me Greqinë. Ai këtë e ka arsyetuar me vlerësimin e “ligjet bien ndesh me Kushtetutën dhe rrezikojnë identitetin dhe gjuhën maqedonase”.