Gratë shqiptare janë nënat më të reja të Europës. Sipas një publikimi të fundit të Eurostat mosha mediane e nënave për herë të parë në Shqipëri është 26.1 vjeç, më të rejat në Europë së bashku me Bullgarinë. Shqipëria renditet ndër vendet me përqindjen më të lartë të vajzave që bëhen nëna në moshë të re, ndërsa ka shënuar në 2017 përqindjen më të ulët të grave që bëhen nëna për herë të parë mbi 40 vjeç.
Në vitin 2017 mosha mediane e nënave për herë të parë varjone ndër vendet anëtare të Bashkimit Europian.
Mosha mediane më e ulët u shënua në Bullgari, njëjtë si në Shqipëri, e ndjekur nga Rumania me 26.5 vite, Letonia 27.1 vite, Lituania 27.5 vite. Në kontrast, mosha mediane e nënave për herë të parë ishte mbi 30 vjeç në Itali me një moshë mediane prej 31.1 vjeç, Spanjë 30.9 vjeç, Luksemburg 30.8, Greqi 30.4 dhe Irlandë 30.3 vite.
Në krahasim me rajonin Shqipëria ka një diferencë të dukshme për sa i përket moshës së nënave për herë të parë. Në Maqedoni mosha mediane e nënave për herë të parë ishte 26.9, ndërsa në Serbi 27.8.
Në 2017-n ndër vendet me përqindjen më të lartë të nënave adoleshente
Në 2017-n numri total i lindjeve në Shqipëri ishte 30896, prej të cilave lindje për herë të parë ishin 12,918 lindje. Rreth 10.8% e këtyre lindjeve u kryen nga vajza nën 20 vjeç, çka bën që Shqipëria të renditet ndër vendet me përqindjen më të lartë të nënave adoleshente, pas Bullgarisë dhe Rumanisë, në të cilat lindjet për herë të parë nga nënat adoleshentë ishin përkatësisht 13.8% dhe 13.9%.
Rreth 72% e lindjeve për herë të parë u kryen nga nëna që i përkisnin moshës në intervalin 20-29 vjeç. Ndërkohë 16.1% e këtyre lindjeve u kryen nga nëna që i përkisnin moshës 30-39 vjeç. Nga ana tjetër Shqipëria ka përqindjen më të ulët të lindjeve për herë të parë nga nëna mbi moshën 40 vjeç. Ato përbënin rreth 1% të totalit të lindjeve për herë të parë në 2017-n.
Për çdo 100 lindje gjatë 2017-s në Shqipëri, 45 ishin lindje për herë të parë, 36 ishin lindje të fëmijës së dytë, 13 ishin lindje të fëmijës së tretë dhe vetëm 4 lindje ishte lindje pas 3 fëmijësh. Monitor