Për herë të parë Universiteti Bujqësor i Tiranës do të ketë fermën e vet didaktike në shërbim të studentëve dhe pedagogëve. Qeveria miratoi sot vendimin për kalimin e fondit 1 milion Euro në dispozicion të këtij universiteti. Gjatë një deklarate për mediat, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z.Bledi Çuçi dha më tepër detaje rreth këtij vendimi, i cili miratohet një ditë pas punësimit të rreth 370 studentëve ekselentë në administratën publike. 31 prej tyre janë punësuar në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
“Ferma me sipërfaqe 135 Ha është një sipërmarrje që bëhet për herë të parë në vendin tonë. Ajo përfshin ngritjen e infrastrukturës didaktike trainuese dhe demonstruese, sistemimin e tokës dhe reahabilitimin e sistemit të ujitjes, rritjen e mekanizimit, mbarështimin e kafshëve dhe krijimin e koleksioneve të bimëve. Ajo do të shërbejë gjithashtu si një qendër kërkimore për pedagogët, për praktikat mësimore të studentëve dhe për trajnimin e specialistëve të bujqësisë. Do të jetë gjithashtu edhe një atraksion për turistët, sidomos pjesa e kopshtit zoologjik me kafshët e buta. Ngritja e kësaj ferme do të jetë për Universitetin Bujqësor të Tiranës edhe një formë alternative për të siguruar të ardhura për vetë universitetin”, tha ministri Çuçi.
Në vijim të deklaratës ai theksoi rëndësinë e partneritetit të universitetit me Ministrinë e Bujqësisë.
“Ne do ta përdorim ekspertizën e Universitetit Bujqësor si shërbim konsulence për të hartuar politika dhe projekte në fushën e bujqësisë, zhvillimit rural, sigurisë ushqimore, peshkimit dhe veterinarisë. Ky universitet mbetet një pol i rëndësishëm i kërkimit shkencor dhe i ka të gjitha kapacitetet për t’i shërbyer nevojave të vendit në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural”, u shpreh ministri.
Punësimi i studentëve ekselentë dhe kalimi i fondit 1 milion euro në llogari të Universitetit Bujqësor të Tiranës, janë vetëm hapi i parë i një partneriteti afatgjatë që Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të vendosë me një nga institucionet më të rëndësishme të arsimit të lartë në vend.